Ndodhi

“Ndotja e lartë nga zhurmat, jo më bori me ajër në mjetet e transportit publik”

11 qershor 2018/ Troç.al/ Tiranë

Pa pankarta, megafon apo protesta . Me një gjetje origjinale, nxënësit e shkollës ‘Arbëria’ në Tiranë zgjodhën kërcimin për të sensibilizuar qytetarët e kryeqytetit të mos përdorin bori në kryqëzime dhe trafik. Nën moton ‘Pa bori’, të rinjtë performuan në sheshin ‘Nënë Tereza’, ‘Avni Rustemi’ dhe sheshin ‘Shqiponja’, që çdo ditë aksesohen nga një numër i lartë automjetesh e që më së shumti vuajnë ndotjen nga niveli i lartë i zhurmave. Përmes këtyre 3 flashmob-eve, të rinjtë arritën të tërheqin vëmendjen e drejtuesve të automjeteve, por edhe kalimtarëve, duke dhënë më pas mesazhin se të gjithë mund të ndihmojmë në reduktimin e zhurmës në ambientin që na rrethon. Flashmob-et u organizuan në kuadër të projektit “Pa zhurmë”, që mbështetet nga LëvizAlbania e që fokusohet pikërisht te reduktimi i efekteve të pakëndshme, që shkaktohen nga ndotja akustike.

SITUATA
Për vite me radhë, të dhënat zyrtare në vendin tonë tregojnë se ndotja akustike urbane në kryeqytet tejkalon normat e vendosura nga Bashkimi Evropian, por edhe nga legjislacioni shqiptar. Sipas matjeve të fundit të disponueshme, niveli mesatar i zhurmave në kryeqytet arrin në 70 decibel ditën dhe 57 db natën, ndërkohë që niveli i lejuar për ditën është 55 db, ndërsa për natën 35 db. Specialistët argumentojnë se veshi i njeriut mund të durojë zhurma deri në 85 decibel, pa shkaktuar dëme. “Çdo gjë më e lartë se kaq mund të përbëjë rrezik për humbje dëgjimi të përhershme”, shprehen ata. Megjithatë, studimet tregojnë se çdo zhurmë në apo mbi nivelin 65 decibel, mund të shkaktojë rritje të presionit të gjakut, të rrahjeve të zemrës dhe të hormoneve të stresit në gjak. Po ashtu, ekspertët vlerësojnë se zhurmat e vazhdueshme mund të japin dhimbje koke të rënda dhe të prishin ekuilibrin emocional. “Fli në heshtje të plotë. Sigurohu që dhoma e gjumit të jetë e qetë prej zhurmave. Nëse nuk mund të shmangni ose eliminoni zhurmën, zini veshët”, këshillon specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri teksa flet për rreziqet që sjell në shëndet një gjumë problematik. “Një gjumë jocilësor sjell funksionim jo të rregullt të sistemit nervor, ulje të nivelit të hormoneve, ulje të humorit, ulje të përqendrimit apo humbje të kujtesës”, shton Mërkuri. Në vitn 2007 studiuesit nxorën rezultatet nga studimet e tyre me 200.000 teste dëgjimi nëpër botë, duke zbuluar se banuesit në qytete kishin nivele të dukshme të humbjes së dëgjimit. “Dëgjimi i tyre ishte në nivele të tilla, sikur ata të ishin 10 apo 20 vite më të vjetër”,-vlerësuan specialistët. Ndërkaq, hulumtimet e bëra në kuadër të projektit “Pa zhurmë” tregojnë se sipas Institutit të Shëndetit Publik, çdo vit në vendin tonë regjistrohen 200 raste të reja të fëmijëve që kanë probleme me dëgjimin.

SENSIBILIZIMI
Ekspertët e fushës pranojnë që angazhimi i institucioneve në reduktimin e niveleve të zhurmës është i ulët, por sipas tyre i rëndësishëm është edhe angazhimi qytetar pasi të dhënat tregojnë se përdorimi i borive pa kriter nga drejtuesit e automjeteve është një nga indikatorët e kësaj situate. Kjo ishte dhe një prej arsyeve që projekti “Pa zhurmë” në një pjesë të tij u fokusua pikërisht te sensibilizimi i qytetarëve , pasi çdokush prej nesh ka mundësi, që përmes veprimeve të ndihmojë në këtë kauzë të rëndësishme. Ndërkaq, duke marrë parasysh mungesën e informacionit janë përgatitur edhe 2 spote, që mund të aksesohen lehtësisht online, të cilët përveçse flasin për rreziqet që sjell ndotja akustike ngrejnë edhe pikëpyetjen se “kur qytetarët dhe institucionet do të marrin seriozisht ndotjen akustike”. Në fakt, angazhimi i ulët qytetar pasohet nga indiferenca institucionale për zgjidhjen e këtij problemi. Nuk janë të largëta kohërat kur Drejtoria e Mjedisit në Tiranë ishte në konflikt me Institutin e Shëndetit Publik e për këtë arsye matja e zhurmave nuk realizohej fare. Po kështu, nëse klikon në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit të dhënat e fundit që janë publike, i takojnë vitit 2014, duke sjellë në hartën grafike edhe një shesh ‘Skënderbej’ tejet të zhurmshëm (në atë kohë sheshi aksesohej nga automjetet). Ndaj, përpos sensibilizimit qytetar, ‘Pa zhurmë’ do të trokasë edhe në dyert e institucioneve. “Referuar nenit 8 të ligjit nr.9774, datë 12.07.2007 bashkia harton dhe zbaton plane vendore për reduktimin e zhurmave si dhe shpall zonat e qeta nëpërmjet akteve nënligjore. Gjithashtu, bashkia kërkon nga personat fizikë dhe juridikë marrjen e masave parandaluese për të respektuar kufirin minimal të zhurmave në zonat urbane. Nisur nga kjo kompetencë e pa ushtruar ende, sidomos për pjesën e trafikut dhe përdorimit të borive në kryqëzime dhe vende pa sinjalistikë të rregulluar, “Pa zhurmë” ka nisur advokimin për nxitjen e bashkisë si kontraktor me kompanitë e transportit publik, për t’i kërkuar atyre përdorimin e borisë elektronike në vend të asaj me ajër, në çdo automjet të transportit publik”,- shprehet Ogerta Ujkashi, hartuese dhe zbatuese e projektit. “Synohet që ky detyrim të jetë pjesë e kontratës që palët lidhin mes tyre, si kusht për t’u licencuar e për këtë arsye po hartohet edhe një memorandum politikash që do i propozohet bashkisë së kryeqytetit, duke kërkuar një vendimmarrje brenda muajit tetor të këtij viti”,-përfundon ajo.

Facebooktwitterredditpinterestlinkedinmail