Vëzhgim/Analizë

Dëgjesat publike, zëri i mohuar i banorëve të Belshit

Qershor 2018/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/Elbasan

Mungesa e dëgjesave publike ka sjell investime gjysmake në Bashkinë e Belshit. Banorët kanë ngritur zërin disa herë duke protestuar për investimin e kryer në qendër së qytezës. Sipas tyre në qendër ka më shumë beton e më shumë pllaka, se sa gjelbërim.

Investimi gjysmak i rrugës Cërrik-Belsh
Investimi i rrugës Cërrik-Belsh bënte pjesë në premtimet elektorale të kryetarit të Bashkisë Belsh Arif Tafani, ndërkohë që konkurronte për zgjedhjet 2015. Banorët e zonës së Belshit u gëzuan që rruga Cërrik-Belsh më në fund do të ndërtohej, por gëzimi nuk zgjati shumë. Banorët e Gradishtës në territorin e bashkisë Belsh do të kenë në vend të rrugës së shkatërruar, një segment të aksit kombëtar Cërrik-Belsh-Urë Vajgurore. Ndërsa punimet vazhdonin, ata mësuan fillimisht që rruga nuk do të kishte kanalizime të ujërave të bardha dhe të zeza, e më pas që do të kishte vetëm një trotuar, megjithëse shtëpitë janë përgjatë dy anëve të rrugës. Banorët e mësuan mungesën e trotuareve dhe kanalizimeve vetëm gjatë periudhës kur investimi ishte kishte nisur.

Segmenti Cërrik-Belsh-Grekan një investim i Fondit të Zhvillimit Shqiptar është ndarë në tri kontrata, ku një prej të cilave është fituar nga një bashkim kompanish: Vëllezërit Hysa kanë 70% të punimeve, Kompania Varaku 20% dhe Kompania Ergi 10%. Kontrata është lidhur në 29.06. 2017 dhe punimet duhet të përfundonin brenda një afati prej 20 muajsh. Vlera e fituar është rreth 744 milion lekë pa TVSh. Punimet vazhdojnë dhe në bazë të tenderimit të loteve janë brenda kohës së përcaktuar në kontratë.

Ankesat e banorëve
Pëllumb Tafani është një prej banorëve të lagjes Gradishtë. Ai shprehet se rruga është një gjë e mirë për banorët por kanalizimet janë të domosdoshme. “Rruga shumë mirë që po bëhet, e kemi pritur por tani për tani nuk kemi kanalizime dhe duam që të mos derdhen ujërat në rrugë por të ketë kanale”, shpjegon ai.

Ndërkohë Bujar Uruçi, një tjetër banor thotë se kjo rrugë është menduar për fushatën elektorale. “Trotuar ka vetëm në një krah në të majtin, dhe ndoshta kjo lagje duke qenë 80% e majtë do të kalojë vetëm në një krah. Ndërkohë kanalizime nuk janë parashikuar, drejtimi i rrugës devijon në disa raste. Ne kemi kontaktuar disa herë kryetarin e bashkisë por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje”, vijon z. Uruçi.

“Ne na rrezikohen fëmijët. Si do kalojmë të gjithë në të vetmin trotuar kur shtëpitë janë në të dy anët?! Kjo është rrugë nacionale dhe kemi shumë frikë, sepse sa hapim derën e shtëpisë dalim në rrugë direkt”, shpjegon banori Fatos Uruçi, i cili mbështet shqetësimin e banorëve të tjerë të zonës për mungesën e trotuareve.

Ky investim shkurton goxha  kohën e banorëve për të shkuar në  qytetin e Elbasanit por edhe për t’u lidhur me  pjesën tjetër të fshatrave.

Puna gjatë investimit të segmenti Cërrik-Belsh. Foto: Bardha Nergjoni

Por Faslli Uruçi thotë se kjo rrugë ka qenë e shtruar edhe një herë më parë me “asfalt elektoral” por përsëri pa kanalizime. “Ujërat derdhen në rrugë, dhe do ta gërryejnë prapë rrugën ndërkohë që këta vazhdojnë me po të njëjtën metodë. Sa i përket mureve, këtu është ecur me parti. Atje ku janë të majtë nuk prishet, atje ku janë të djathtë, prishet muri rrethues dhe rruga zgjerohet”, tregon Uruçi për Portën Vendore.

Sipas banorëve, toka nuk është kompensuar por vetëm janë rindërtuar muret rrethuese dhe objektet e prekura, ata akuzojnë se kompensimet e vetme që janë bërë, kanë qenë sipas ngjyresave politike.

Disa herë banorët protestuan gjatë fillimit të punimeve dhe i shprehën shqetësimin për mungesën e trotuarit dhe të kanalizimeve pushtetit vendor, por duket se çdo gjë ishte vendosur dhe zëri i tyre nuk mund të dëgjohej.

Fillimisht nuk pati reagim nga bashkia Belsh për kërkesat e banorëve. Më pas një përfaqësi e banorëve të Gradishtës u takuan me Kryetarin e Bashkisë, por takimi nuk zgjidhi asgjë, ndaj protestat vazhduan duke ndalur punimet e firmës përgjatë 4 muajve, deri në prill 2018.

Bashkia Belsh
Kryetari i Bashkisë Arif Tafani deklaroi se investimi është i Fondit të Zhvillimit Shqiptar, i cili ka realizuar edhe projektin ndërsa bashkia nuk ka rol por ka ndërhyrë për të evituar probleme sociale apo konflikte. “Ne kemi një marrëveshje me fondin e zhvillimit dhe nuk kemi pasur rol tjetër në këtë investim. E megjithatë kemi luajtur rolin tonë kur është dashur për të bërë të mundur që mos kemi probleme me banorët” thotë ai për Portën Vendore. I pyetur nëse është bërë një konsultim paraprak me banorët për gjurmën ku ishte parashikuar investimi për ndërtimin e rrugës, Kryetari i Bashkisë e mohoi një gjë të tillë.

Pas 4 muajsh protesta nga banorët e zonës, Bashkia Belsh vetëm në mes të muajit prill vendosi t’i drejtohet Fondit të Zhvillimit Shqiptar me kërkesën për disa ndryshime në projekt, të cilat preknin kanalizimet në shtratin e rrugës, të paparashikuara më parë, si një kërkesë që vjen nga banorët, të cilët e kishin ngritur disa herë këtë shqetësim. Por, Bashkia Belsh i kërkon në këmbim të investimit në kanalizimet e ujërave të zeza heqjen nga projekti të ndriçimit të lagjes, të cilin aktualisht nuk ka deklaruar se do ta mbulojë nga buxheti i saj.

Një tjetër ndryshim i kërkuar nga bashkia Belsh vetëm pak ditë më parë është edhe parashikimi i një trotuari në një pjesë të rrugës për ta trajtuar si zonë urbane, pasi më parë nuk ishte llogaritur si e tillë edhe pse kishte një dendësi të madhe banesash .

Dokumenti i vetëm që zotërohet nga institucioni vendor është një marrëveshje për realizimin e investimit nga ana e Fondit Shqiptar i Zhvillimit.

Në këtë marrëveshje zgjidhja e konflikteve dhe problemeve teknike i përket njësisë së qeverisjes vendore.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit
I kontaktuar nga “Porta Vendore” Fondi Shqiptar i Zhvillimit deklaroi se projekti është konsultuar vazhdimisht me Bashkinë Belsh, që ka dhënë edhe lejen e ndërtimit. Sa i përket pretendimeve të banorëve për trotuarin, rrugën dhe kanalizimet, vetë Fondi nuk ka marrë asnjë ankesë për këtë problem. “Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka marrë asnjë ankesë për këtë problem. Pas komunikimeve me Bashkinë Belsh jemi informuar se ankesa nuk ka pasur as pranë kësaj bashkie, lidhur me pretendimet e banorëve. Nga ana jonë mund t’ju themi se projekti i tenderuar nuk kishte të parashikuar kanalizime të ujërave të zeza. Gjatë ndërtimit Bashkia Belsh ka paraqitur kërkesë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza (KUZ) në rrugë, për të shmangur ndërhyrje në asfaltin e ri në të ardhmen”, deklaruan përfaqësuesit e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit konfirmon plotësimin e kërkesës së bashkisë pa cenuar vlerën e kontratës. Por në fakt bashkia në kërkesën e saj deklaron që fondet për ndriçimin e rrugës të kalojnë për kanalizimet. Kjo do të bëjë që banorët në përfundim të investimit të rrugës të mos kenë ndriçim, gjë që pritet të mbulohet në tëardhmen nga institucioni vendor, por ky i fundit nuk ka asnjë afat kohor.

Sa i përket pretendimeve të banorëve për trotuarin, institucioni investues konfirmon se trotuari parashikohet vetëm në një anë ndërsa në anën tjetër, është një kanal betoni për largimin e ujërave sipërfaqësore.

Banorët deklarojnë se nëse do të ishin pyetur, ata nuk do të lejonin ndërtimin e një rruge kombëtare përmes lagjes së tyre dhe nëse kjo do të ishte e pamundur, do të insistonin që rruga të kishte trotuare në të dyja anët.

Banorët: Nuk ka pasur dëgjesa publike
I pyetur mbi zhvillimin e dëgjesave publike me banorët e Belshit sekretari i Këshillit Bashkiak Mustafa Çarçiu tha se ka një mungesë interesimi për dëgjesat. “Ne kemi organizuar disa dëgjesa publike sa i përket planit të përgjithshëm rregullues por pjesëmarrja ka qenë minimale dhe interesi i banorëve shumë i vogël. Ne kemi bërë njoftime në faqet tona por kjo nuk ka sjellë pjesëmarrje më të madhe”, tregon ai.

Por ndërkohë banorët thonë se nuk kanë pasur njoftime. Ardjan Uruçi tha për Portën Vendore se nuk mjaftojnë njoftimet nëpër faqe por banorët duhet të njoftohen derë më derë dhe t’i shpjegohet se për çfarë bëhet dëgjesa. “Nëse do kishte pasur një gjë të tillë në lagjen e Gradishtës sigurisht që të gjithë do të merrnin pjesë”, tregon Ardjani, banor i Belshit.

Po kështu në Belsh ngritja e një kulle në fazën e dytë të “Rilindjes Urbane” ka filluar të diskutohet nga banorët, të cilët deri më tani nuk kanë pasur asnjë informacion nëpërmjet konsultimit publik apo formave të tjera të pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje, për këtë investim.

Kulla nën auditin e KLSH
Ndër procedurat e prokurimit është edhe një kullë e parashikuar të ndërtohet në perëndim të sheshit të Belshit pjesë e Rilindjes Urbane që ende nuk ka filluar të zbatohet, edhe pse procedura e tenderimit është kryer.

Mbi vonesat, punime të pakryera dhe shkelje sa i përket procedurave të tenderimit në 14 procedura të tenderimit dhe zbatimit, KLSH ka nisur procedim penal ndaj kryetarit të bashkisë Belsh Arif Tafani, si dhe të grupit të prokurimit dhe monitorimit të zbatimit të projekteve.

Përsa i përket kullës nuk ka një afat kohor, pasi ajo është pjesë e ansamblit të rilindjes urbane që është bërë me lote dhe pritet të përfundoje në fund të vitit.

Nga një analizë që Porta Vendore kreu në të gjitha njësitë vendore të Bashkisë Belsh, mësohet se vetëm hartimi i planeve vendore që vjen si detyrim ka pasur dëgjesa publike.

Përgjithësisht ligji për konsultimin publik mbetet në dëshirë të njësive vendore pasi në shumicën e rasteve projektet e mëdha nuk janë konsultuar me banorët.

Rreth autorit: 
Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.