10 qershor 2018/ Alert News/Granit Sokolaj/ Cërrik
Vetëm pak kilometër larg qytetit të Cërrikut, poshtë një urë mblidhen çdo ditë të dielë, me qindra blegtorë nga i gjithë qarku Elbasanit, por edhe nga rrethe të tjera. Ata nxjerrin aty kafshët e tyre që i kanë për t’i shitur, ndërkohë që dhjetra të tjerë të interesuar presin poshtë këmbëve të urës, për të blerë “gjahun” e tyre.
Bëhet fjalë për tregun e kafshëve të gjalla në Gostimë, pjesë territorial e Bashkisë Cërrik, i cili siç thonë dhe vetë fermerët, në këtë gjendje është qëkur u krijua si i tillë, prej më shumë se 100 vjetësh.
Në kuadër të projektit “Për Monitorimin e Tregjeve të Kafshëve të Gjalla, si shkak për cenimin e sigurisë ushqimore”, mbështetur nga Lëviz Albania, ekspertët e tregjeve zbritën në Gostimë, në tregun e njohur që në kohën e Turqisë.
Edi Fero, me profesion veteriner dhe ekspert i këtyre tregjeve tha se, situate këtu është katastrofike, ndërkohë që qindra kafshë e ferma rrezikohen nga transmetimi i sëmundjeve”.

“Ky treg ka një rëndësi të madhe për zonën e Dumresë por edhe për Qarkun e Elbasanit. Kjo që po themi sot, është e përsëritur. Në këtë treg, si dhe në të tjerat, është një situatë katastrofike e kjo bëhet më e rëndë me rritjen e temperaturave. Sëmundjet shtohen e rreziku për përhapjen e infeksioneve nga kafsha në kafshë e më pas edhe te konsumatorët nëpërmjet sëmundjeve zoonotike, apo nëpërmjet qumështit dhe mishit, është gjithmonë në rritje”, tha Fero, duke theksuar se, “është për të ardhur keq që, vetë Bashkia e Cërrikut nuk ka bërë qoftë dhe lëvizjen minimale, për më shumë kushte në këtë treg, ndërkohë që nuk mund të mendohet e flitet për mirëqenien e kafshëve apo standardeve të tyre”, përfundon veterineri Fero.
Të indinjuar janë dhe blegtorët që çojnë kafshët aty për t’i shitur. Ata tregojnë dhe biletën me vlerën e 100 lekëve që paguajnë kur futen. “Duam kushte, pasi ky treg shekullor është në këtë gjendje të mjerueshme dhe shteti nuk vë dorë”, thotë njëri prej tregtarëve.
“Të paktën, Bashkia Cërrik ta shtrojë. Shikojeni si është, në çfarë kushtet, mes pluhurit dhe baltës. Ne paguajmë për të hyrë këtu”, shprehen blegtorët.

I vetmi person që përpiqet t’ju vijë në ndihmë, është veterineri zyrtar i Bashkisë Cërrik, i cili vetëm sa është prezent, pasi asgjë nuk mund të bëjë për tjetërsimin e kushteve, por as për marrjen e masave që të ndalojë hyrje-daljet e kafshëve që ligjërisht nuk duhet të futen në atë treg. Shumica e bagëtive janë pa matrikuj, pa certifikata veterinare dhe si pasojë, nuk dihet as origjina e tyre, as sëmundjet që mund të kenë kaluar dhe as nga do të shkojnë, për mbarështim apo për mish. Ndërkohë, një bagazhi i një makine është i mbushur me mish dhe që fatkeqësisht për konsumatorin, as nuk duhet nga çfarë kafshe është, ku është therur e ku do të shkojë.
Megjithëse Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit iu kanë kërkuar bashkive e në këtë rast, edhe asaj të Cërrikut, që të marrin masa për përmirësimin e kushteve, në të kundërt do të mbyllen, asnjë masë apo ndërhyrje nuk është marrë. Ndërkohë, situata në tregun e Gostimës në Cërrik, vazhdon të jetë si në kohën e Turqisë.