Vëzhgim/Analizë

Korsitë e biçikletave, ende një ëndërr e largët

9 Qershor 2018/ Porta Vendore/Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër,

Në kryeqytet e jo vetëm , kanë qenë jo të pakta rastet kur kanë ndodhur aksidente me biçikletë. Për shkak të mungesës së korsive dhe ndërgjegjësimit të pakët qytetarë e sidomos të shoferëve, shpesh përdoruesit e dyrrotakëve e gjejnë veten në rrezik. Tirana si në shumë problematika të tjera diferencohet nga qytetet, sepse investimet e fundit kanë bërë të mundur që të ketë një rrjet më të gjatë të korsive të biçikletave në kryeqytet, madje edhe projektet e afërta të Bashkisë Tiranë, flasin për shtrirje të korsive edhe në zona të tjera. Por në qytetet e tjera të Shqipërisë,  çfarë ndodh me korsitë e biçikletave? Sa akses kanë qytetarët për ta realizuar lëvizjen e tyre në mënyrë ekonomike, të shëndetshme dhe me sa më pak ndotje ndaj mjedisit? Porta Vendore ka bërë një vëzhgim në 5 qytete; Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë e Shkodër, lidhur me këtë situatë.

Tirana, qyteti me më shumë korsi biçikletash

Kryeqytetit vitet e fundit i janë shtuar përdoruesit e biçikletave dhe po kështu ka ndodhur edhe me korsitë, dedikuar njerëzve e që përdorin atë, megjithëse jo në përpjesëtim të drejtë. Shumë nga rrugët e reja si ; rruga “Dritan Hoxha”, rruga “Gjergj Filipi” te Pallati i Kongreseve, rruga e “ Kosovarëve”, përgjatë një pjesë të bulevardit “ Dëshmorët e kombit” si dhe pranë lulishtes së komunës së parisit janë të pajisura me korsi për biçikletat, çka ia lehtëson goxha lëvizjen qytetarëve.

Sipas një vëzhgimi të Portës Vendore, shumë nga rrugët e reja që po ndërtohen në zona të ndryshme të Tiranës kanë të përfshirë brenda investimit të tyre edhe korsinë e dedikuar për biçikleta. Bashkia Tiranë premtoi në fillim të vitit 2018, se qytetit do ti shtoheshin edhe 10 km korsi e dedikuar. Ndërhyrje të cilat do të shtrihen në disa zona si; aksi bulevardit “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu edhe në rrugën e re të Kombinatit.

Në bazë të vëzhgimit realizuar nga Porta Vendore, Tirana rezulton me numrin më të madh të korsive të biçikletave krahasuar me qytetet e tjera të Shqipërisë. Por përsëri ata që lëvizin çdo ditë me biçikletë, tregojnë se shpesh është e rrezikshme për jetën e personave që përdorin mungesa e korsive rrugët e Tiranës.

“Unë gjithë jetës i kam dhënë biçikletës. Shpresoj të rregullohet kjo puna e korsive sepse shumë veta tani po preferojnë biçikletën . Duhet menduar edhe njëherë kjo punë aq sa mund të bëhet, sepse jashtë shtetit e dimë që ka korsi të veçanta për to, sidomos Belgjika, Zvicra e përdorin shumë biçikletën. Unë shpesh kam qenë shumë afër incidenteve por i kam mënjanuar”, tha 70 vjeçari Tanush Kaso.

Ndërsa Anxhelo Hysenaj megjithëse është dashamirës i biçikletës, sërish nuk merr guximin që të lëviz me biçikletë “Unë kam shumë shokë që sapo kanë dalë në rrugë  i kanë ndodhur aksidente. Dhe në rrugët kryesore nuk është se ka korsi, jo më në ato dytësoret”, tha  Anxhelo.

Ened Mato, drejtues i Ecovolis prej 8 vitesh, tha për Portën Vendore se ndërgjegjësimi qytetarë ka ardhur në rritje për përdorimin e biçikletave, ku sipas tij kanë ndikuar edhe protestat e ndryshme të cilat kanë pasur në objektiv më shumë korsi për lëvizjen e lirë dhe ekologjike.

“ Ne kemi shkuar çerdhe më çerdhe, kopsht më kopsht, shkollë më shkollë për ndërgjegjesim, por mbetet ende për t’u bërë për sensibilizimin e qytetarëve që të mos e marrin makinën por biçikletën për të lëvizur. Ne besojmë fort se nëse një pjesë e mirë e qytetarëve, do të shkonin në punë me biçikletë, dhe kjo të nxitej nga kompanitë private do të ishte një praktikë e mirë për të gjithë punonjësit”, tregon Mato.

Fëmijët e kopshteve në Tiranë, duke mësuar të pedalojnë.

Projektit “bike-sharing” i Bashkisë Tiranë, promovuar në datën 8 qershor,  shtojë numrin e biçikletave që do të mund të përdoren në kryeqytet, kundrejt një pagese që është përllogaritur të jetë më e ulët se ajo për biletën e transportit urban. Sipas Bashkisë Tiranë , masat e marra për lëvizjen me biçikletë  do të minimizojnë edhe ndotjen e ajrit në qytet.

“Një vëmendje shumë e rëndësishme i është kushtuar cilësisë së ajrit në Tiranë, pasi ne e dimë që zona urbane është ajo që ka pasur një zhvillim të mbingarkuar, viteve të fundit. Rrjeti i rrugëve të biçikletave dhe krijimi i zonave pedonale, janë të gjitha masa të marra nga bashkia dhe punë konkrete që ne kemi bërë, për të arritur përmirësimin e cilësisë së ajrin në zonat urbane”, tha Diana Mile, Drejtore e Politikave Mjedisore në bashkinë Tiranë .

Gjatë një guidë të turistëve të huaj në kryeqytet.

Edhe sipas ambientalistit Lavdosh Ferruni, zgjidhja për ndotjen e madhe të ajrit që ka kryeqyteti, do të zgjidhej vetëm nëpërmjet mjeteve alternative dhe duke mënjanuar makinat e kaosin e madh, që ato sjellin në mjedis.


Durrësi, midis kërkesës për korsi biçikletash dhe mungesës së investimeve

Bashkia e qytetit të Durrësit ka sot rreth 175 mijë banorë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre përdorin biçikletën, si në zonën urbane, ashtu edhe në atë rurale. Shpesh herë ata bëhen subjekt i lajmeve, si pasojë e përfshirjes së tyre në aksidente rrugore.

Brenda qytetit sot ka vetëm dy rrugë të pajisura me pistë për biçikletat. Gjatë vëzhgimit të Portës Vendore në rrugën “Pavarësia”, në zonën e Plazhit, një pjesë e korsive janë të pakalueshme për shkak të shumë pusetave që i mungojnë kapakët dhe gjenden në mesin e rrugës.

Përgjatë stinës së verës në qytet rritet edhe më shumë përdorimi i biçikletës, megjithëse infrastruktura e nevojshme mungon. Së fundmi, një grupim qytetar që përfaqëson përdoruesit e biçikletave në qytet, “Bicycle Durrës”, protestoi përpara bashkisë së qytetit, për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për lëvizjen me biçikletë.

Protesta për infrastrukturën e biçikletave, Durrës. Foto: Geri Emiri

“Ne po protestojmë pasi rrugët që po rikonstruktohen së fundmi nga bashkia, nuk e kanë të përfshirë ndërtimin e pistës për biçikletat”, tha për Portën Vendore, Klaudio Hyseni, koordinator në “Bicycle Durrës”.

Bashkisë së qytetit i është kërkuar nga qytetarët edhe në rrugë zyrtare marrja e masave për këtë problematikë. “Bicycle Durrës” ka plotësuar dhe dorëzuar një peticion me 200 firma, ku bashkisë së qytetit i kërkohej që të vendoste sinjalistikën vertikale e horizontale, vendet e parkimit dhe pistat për biçikletat.

“Biçikleta është një alternativë e shëndetshme për të lëvizur dhe ndihmon në pakësimin e trafikut e ndotjes në qytet”, u shpreh për Portën Vendore, Edlira Shtemari, koordinatore në “Bicycle Durrës”.

Nga vëzhgimi në terren i Portës Vendore, rezulton se në investimet e reja, si ndërtimi i sheshit “Veliera” dhe rehabilitimi i rrugëve pranë saj, por edhe në rrugët e tjera që po i nënshtrohen rikonstruksionit, nuk janë përfshirë pistat për biçikletat.

Rrugët që po rikonstruktohen, Durrës. Foto: Geri Emiri

Porta Vendore kontaktoi disa herë me përfaqësuesit e bashkisë Durrës, por ata nuk pranuan të prononcohen lidhur me këtë çështje .

Elbasani, qyteti me një korsi biçiklete

Qyteti i Elbasanit numëron 140 mijë banorë në një sipërfaqe urbane 7.9 km/2. Në vitin 2010 Elbasani numëronte 54 makina për 1000 banorë. Në këto 8 vjet numri i mjeteve është shtuar ndjeshëm dhe po kështu edhe rritja e sasisë së shkarkimeve në ajër. Sipas përllogaritjeve në nivel bashkie, sasia e karbonit të shkarkuar në ajër, shkon deri në rreth 40 tonë karbon në vit.

Qendra e qytetit, Elbasan. Foto: Bardha Nergjoni

Zgjidhja e vetme mbeten mjetet alternative, siç janë dyrrotakët. Lëvizja me biçikletë në rrugët e qytetit të Elbasanit është tepër e vështirë. Sadeti është një prej grave që lëvizin çdo ditë me biçikletë për në punë. Ajo niset nga zona e Spitalit për të shkuar në një nga institucionet shtetërore në fund të qytetit, pranë lumit Shkumbin. “Është tepër e vështirë të lëvizësh mes makinave. Disa herë më duhet t’i zbres, ta marr përdore biçikletën e të kaloj në anën tjetër. Asnjë rrugë nuk të ofron mundësinë e lëvizjes në një korsi të veçantë. Ne do të duhet të ‘luftojmë’ me shoferët e mjeteve për të mbërritur në destinacion. Siguria duket pjesa më e vështirë për lëvizjen me biçikletë”, rrëfen ajo.

Sadeti shton gjithashtu, se të lëvizësh me biçikletë në Elbasan, do të thotë të rrezikon jetën nga një automjet që mund të të përplasë dhe kur  kthehet nga puna pa u dëmtuar, e konsideron veten me fat.

Ndërkohë shumë të rinj lëvizin me dyrrotakë për në shkollë apo punë. Ervin Gjoni është një prej tyre , ai e quan biçikletën zgjidhje për një pjesë të rrugës që kërkon ta përshkojë me biçikletë, por mungesa e korsive e bën lëvizjen të rrezikshme dhe Ervini mendon se në të ardhmen i duhet një mjet tjetër, pasi asnjë rrugë transversale nuk ka një korsi biçiklete.

Edhe drejtuesit e mjeteve, ankohen për vështirësitë që hasin sa i përket lëvizjes së biçikletave. Ardjani lëviz me taksi dhe tregon se përballet çdo ditë me biçikleta. “Mungesa e korsive të veçanta bëjnë që ata të lëvizin njëlloj me automjetet. Në çdo kohë të del një biçikletë përpara dhe rrezikon një aksident. Situata që përballojmë çdo ditë është një kaos i vërtetë” , përfundon taksisti.

Në Elbasan janë ndërtuar së fundi, të paktën 4 rrugë transversale, që e kanë të domosdoshme një korsi për biçikletat, por në asnjërën prej tyre nuk është parashikuar dhe nuk është ndërtuar një korsi e tillë. E kontaktuar nga Porta Vendore,  Bashkia Elbasan nëpërmjet zëdhënësit të saj Besim Dybeli, deklaroi se në rrugët e ndërtuara deri tani, nuk ka qenë e parashikuar ndërtimi i korsisë për biçikletat. “I vetmi segment që ka një korsi të dedikuar për biçikletat është pjesa fundore e bulevardit nga rrethrrotullimi 1 Maj deri tek rrethrrotullimi i Zaranikës. Nuk janë ndërtuar korsi të tjera, pasi nuk ka qenë e parashikuar në projekt. Në të ardhmen do të shikohet mundësia dhe do të projektohen edhe rrugë të tjera, me korsi biçikletash” tha Dybeli.

Mësohet se në shumë rrugë, shkaku i mungesës së korsive janë rrugët dhe trotuaret e ngushtë. Edhe pse është investuar në disa segmente, zgjerimi i tyre nuk ka përfshirë korsinë e dedikuar për dy rrotakët. Dhe deri në realizimin e një investimi të tillë për më shumë korsi, duket se do të vazhdojnë vuajtjet e qytetarëve me dyrrotakë, që përballen çdo ditë me rrezikun e jetës.

Vlora, qyteti me tre  korsi  biçikletash

Vlora si qytet bregdetar aktualisht përgjatë gjithë lungomares ka një korsi të dedikuar për biçikleta, e cila shfrytëzohet maksimalisht nga përdoruesit e dyrrotakëve.  Gjithashtu rruga e plazhit të vjetër në drejtim të pyllit të sodës dhe plazhit të Zvërnecit që është inauguruar se fundmi ka një korsi të dedikuar për biçikleta.  Edhe bulevardi i ri që tashmë ndodhet në rikonstruksion nga xhamia deri në skelë do të ketë korsi bicikletash. Në rrugët e tjera, termi korsi biçikletash duket i largët.

“Në çdo rrugë të re ka korsi biçikletash. Me përfundimin e bulevardit Vlorë-Skelë që ka korsi nga të dy anët, segmentet më të rëndësishme rrugore të qytetit mbyllen me korsi biçikletash”, tha Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, për Portën Vendore. Megjithatë sipas Lelit, Bashkia Vlorë po shikon mundësitë që të ketë ndërhyrje të tjera, në vendet të cilat nuk ka korsi biçikletash në qytet, por deri më tani nuk është se bashkia ka një afat të saktë, në lidhje me këto investime, duke e lënë Vlorë me vetëm 3 korsi për biçikletat në total.

Korsia e biçikletës në lungomare, Vlorë. Foto: Laurent Lamaj

Ndërsa drejtuesi i shoqatës së mjedisit SEEP,   Simo Ribaj shprehet se korsitë e biçikletave në qytet janë të pamjaftueshme për të përballuar fluksin në rritje të përdoruesve të biçikletave, ndërsa shton se hera herës rrezikohet jeta e përdoruesve të biçikletave pasi në korsitë e dedikuara për to, kalojnë motoçikleta me shpejtësi të madhe.

“Është modern projekti i korsisë në lungomare, por për momentin i pamjaftueshëm, pasi biçikleta po  bëhet shumë shpejt trend” rrëfen Ani, një i ri 25 vjeçar që përdor biçikletën për të shkuar në punë.

Por edhe rrugët e reja që janë konceptuar për të pasur korsi biçikletash, nuk janë gjithmonë sipas standardeve të duhura, si psh; rruga e bulevardit, e cila ka vend për përmirësim, sipas atyre që e përdorin biçikletën.

“Siguria është e pamjaftueshme sidomos aty ku korsitë ndërpriten nga makinat, ose në rastet kur aty kalojnë motoçikleta, por edhe makina kemi parë të kalojnë” vijon Ani.

Trendi për të lëvizur me biçikletë nëpër qytet si një mekanizëm shumë ekonomik për qytetarët duket se nuk shkon në të njëjtën linjë edhe me investimet e pushtetit vendor.

Për rrugët e reja dytësore shikojmë deformime të projektit lidhur me këto korsi, që sado të vogla që duken,  e bëjnë korsinë të papërdorshme për përdoruesit e biçikletave”, shprehet Ribaj.

Shkodra, qyteti i biçikletave

Prej më shumë se 100 vitesh, biçikleta është kryefjala e lëvizjes në Shkodër. I njohur si qyteti i biçikletave, Shkodra dyrrotëshin shumë shpejt e ktheu në një traditë që ruhet ende sot me shumë fanatizëm. Fëmijë, të moshuar, gra e burra pa përjashtim lëvizin me biçikletë, pavarësisht problemeve që janë shtuar kryesisht 10 vitet e fundit.

Të vetmet rrugë që kanë korsi biçikletash janë Parrucë-Xhabiej dhe Xhabiej-Perash deri tek shkolla mesme pyjore “Kolë Margjini”. Por edhe ato dy korsi që ka qyteti i Shkodrës shpesh janë të zëna nga makinat që qëndrojnë me orë të tëra të parkuara në vendin e gabuar, apo edhe nga kazanët e mbeturinave, duke i detyruar për pasojë këto përdorues biçiklete, të ecin paralel me makinat në mes të rrugës.

Investimet e reja gjithashtu sipas vëzhgimit të Portën Vendore në terren, nuk i janë përshtatur kërkesave për më shumë korsi biçikletash.

Musa Kurtulaj është një prej qytetarëve i cili kohë më parë ka lëvizur thuajse gjatë gjithë kohës me biçikletë. Vitet e fundit shtimi i mjeteve motorike dhe kaosi në lëvizje e ka detyruar atë, që tashmë biçikletën të mos e përdor thuajse fare.

“Ka një parregullsi të madhe në lëvizje. Drejtuesit e mjeteve nuk respektojnë aspak as pedaluesit dhe as këmbësorët. Madje më ka rastisur të shoh aksidente, edhe pranë vizave të bardha. Unë nuk jam i vetmi sepse ka edhe të tjerë që e kanë lënë biçikletën, pikërisht për këto arsye. Ka ardhur momenti që Shkodra të ketë korsitë e posaçme, për lëvizjen me biçikleta. Brezi i ri sidomos duhet që të edukohet për lëvizjen ekologjike. Mungesa e korsive sjell një problematikë të madhe në qytet, e kjo duhet të ndryshojë. Ndryshe numri i atyre që lëvizin me biçikletë, do të vijë duke rënë”, shprehet Kurtulaj.

Potencialet në Shkodër për të lëvizur me biçikleta janë të mëdha sepse rrugët janë të gjëra ashtu siç ka akse ku mund të ndërtohen  korsitë për biçikleta.

Enver Dushaj është një tjetër qytetar i Shkodrës i cili i ka qëndruar besnik biçikletës. Nga shtëpia në punë ose edhe pas orarit të punës, për Dushajn lëvizja me biçikletë është shpëtim.

“Gjatë gjithë jetës time kam përdorur biçikletën. Edhe pse profesioni im është shofer, unë nuk jam ndarë asnjëherë nga biçikleta. Më pëlqen shumë , ndaj edhe lëviz me të. Megjithatë unë nuk jam aspak i kënaqur. Shkodra ka vetëm dy korsi biçikletash dhe janë shumë pak, në fakt. Ne lëvizim ngjeshur me makinat dhe kjo bën që të jemi gjithnjë të ekspozuar, ndaj rrezikut të aksidenteve. Pavarësisht kësaj rrëmuje që sa vjen e shtohet, unë do vijoj të lëviz me biçikletën time”, tha për “Porta Vendore”, Dushaj.

Mirsad Basha, drejtues i “Eko Mendje”  përpiqet që Shkodra të mos e humb këtë traditë, megjithëse sipas tij, pedaluesit hasen me shumë vështirësi.

“Kanë kaluar 28 vite dhe ende Shkodra nuk ka mjaftueshëm korsi për biçikleta duke sjellë probleme për lëvizshmërinë”, thotë Mirsadi për Portën Vendore.

“Shkodra mbi dy rrota” është një projekt i financuar nga Lëviz Albania, që po zbatohet nga gazetari Bepin Kolvataj në Shkodër. Kolvataj përmes projektit të tij synon që të lobojë për zhbllokimin e korsive të biçikletave nga parkimi i mjeteve, si dhe shtimin e korsive për biçikletat në Shkodër.

“Shkodra megjithëse njihet si qyteti i biçikletave, për fat të keq duhet thënë se nuk i ka shkuar në sinkron traditës, kur flitet për zhvillimet infrastrukturore. Mungesa e korsive të biçikletave është një nga shqetësimet më të mëdha që haset sot, pasi përballë këtij përdorimi masiv, rreziku për të lëvizur me biçikletë mbetet i lartë. Këtë e tregojnë edhe aksidentet e shumta, ku në mbi 30% të rasteve një nga të dëmtuarit është përdorues biçiklete”, shprehet gazetari Kolvataj.

Sot Shkodrës përveç korsive, i mungojnë edhe vendqëndrimet e biçikletave. Në qytet nuk ka si në shumë qytete europiane një stacion për marrjen e tyre me qira, apo një muze për ekspozimin e kësaj tradite. “Vetë pushteti vendor, për statistika e përdor termin ‘Shkodra e biçikletave’, por në praktike, se ka përkthyer kurrë, për të investuar më shumë në këtë drejtim”, përfundon Kolvataj.

Të rinjtë e dashuruar pas biçikletës, Shkodër. Foto Senad Nikshiqi

Burime pranë Bashkisë Shkodër bëjnë me dije se është gati një plan i ri për lëvizshmërinë, ku janë  përcaktuar masat që synojnë të stabilizojnë lëvizjen në qytet, siç janë; gjobat, përmirësimi i orientimit të lëvizjes në disa akse të ngarkuara, parkimet me pagesë që aktualisht mungojnë, si dhe korsitë e reja për biçikletat. Ky plan po shqyrtohet nga ekspertët e bashkisë dhe pritet që në pak kohë të kalojë në këshillin bashkiak për miratim. Dy korsitë e biçikletave që ka Shkodra janë të pamjaftueshme. Në Shkodër thuajse çdo familje ka nga një biçikletë dhe ndryshe nga shumë qytete të tjera, dyrrotëshi e sfidon denjësisht makinën, qoftë edhe në numër.  Moszbatimi i rregullave të qarkullimit, mosrespektimi i atyre që pedalojnë dhe mungesa e korsive po sjell edhe aksidente në rritje shoqëruar në disa raste edhe me viktima, ku viktima e fundit ishte një 70 vjeçar, më 24 prill 2018 ku u aksidentuar nga një makinë në hyrje të qytetit.

Rreth autorëve
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa medias kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.

Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.

Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.

Laurent Lamaj është gazetar në Vlorë.

Senad Nikshiqi është gazetar në Shkodër.