4 qershor 2018/Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Ura Vajgurore
Në dalje të qytezës Ura Vajgurore, një rrugë gjithë pluhur të çon drejt lagjes periferi ’28 Nëntori”, por që për banorët dhe më gjerë njihet si lagja “Guri i Bardhë”. Në të dy krahët e rrugës, është e vështirë të gjesh pemë, pasi bimësia këtu pas mesditës zbardhet nga pluhuri i guroreve. Shfrytëzimi i tokave në këtë zonë ka përfshirë dhe kodrën e gjelbër, shqetësim të cilin duket se nuk e vë re askush. Ndotja që shkaktohet nga mospërdorimi i filtrave mbrojtës të guroreve të liçensuara nga shteti dhe që veprojnë aty është e madhe, po aq sa dhe shqetësimi i banorëve që kanë 25 vite që bashkëjetojnë me pluhurin. Por pavarësisht gjobave të vendosura gjatë vitit 2017-2018 për më pak ndotje, sërish institucionet hedhin shikim nga njëra-tjetra për ti dhënë zgjidhje kësaj situate.
Banorët e Urës Vajgurore: Po sëmuremi
Ka një debat në këtë zonë, përsa i përket ekzistencës së guroreve, pasi prezenca e tyre për herë të parë është hasur që në kohën e mbretit Zog, por lulëzimi i tyre në një territor të banuar, sot është kthyer në një çështje dite.
Ilmi Aliaj, është një prej banorëve të kësaj lagje, banesa e të cilit ndodhet vetëm pak metra larg aktivitetit të guroreve. Në fillim të viteve 1990 ai u vendos këtu sëbashku me familjen, pa ditur se do të vinte një ditë që jeta do ti bëhej ferr, ashtu siç dhe tregon.

“U shpërngula nga një zonë tjetër më e largët, pasi gjeta një tokë të lirë afër kodrave me pisha dhe ndërtova shtëpinë me shpresën se do t’u ofroja një jetë më të mirë dy fëmijëve të mi, pa ditur se menjëherë pas përfundimit të banesës shumë pranë do të niste aktiviteti i guroreve, të cilat u shtuan dhe sot na i kanë bërë jetën të vështirë jo vetëm mua, por gjithë lagjes”, thotë i moshuari për Portën Vendore.
Që pas viteve 1990 në këtë zonë lulëzoi biznesi i guroreve, për shkak të përbërjes së gurtë që ka toka, aktivitet i cili nuk ka kursyer edhe kodrat me pisha.
Aliaj, jeton në banesën e tij vetëm me bashkëshorten, pasi fëmijët kanë zgjedhur emigracionin, por jeta për ta vështirësohet nga ndotja që shkaktojnë guroret.
“Kur makineritë vihen në punë për përpunimin e gurit pluhuri ngrihet në qiell dhe ne nuk mund të dalim as në oborr, nuk mund të hapim as dritaret, ndërkohë që frutat e bahçeve tona zbardhojnë nga pluhuri”, thotë Aliaj.
Ai ka ngritur zërin disa herë në bashki, është takuar vetë me punëtorët dhe pronarët e guroreve, duke kërkuar që ndotja të shmanget, por askush nuk e ka dëgjuar, pasi jo vetëm në këtë lagje, por në të gjithë bashkinë e Urës Vajgurore, për ndotjen shteti ka më tepër se 25 vite që hesht.
Luljeta Ajdini, është një tjetër banore e kësaj lagje, e cila dëshiron që banesën e saj ta ajros një ditë e qetë, duke hapur dritaret e shtëpisë, pa frikën se tymi i bardhë i përpunimit të gurit do t’i pushtojë banesën.

“Ditët më të gëzuara për ne janë ato kur guroret nuk punojnë, pasi mund të rrimë në oborr, mund të hapim dritaret, por kjo ndodh rrallë, thotë ajo për “Porta Vendore”. E shqetësuar që nuk shijon dot as oborrin e saj, gruaja ka tashmë një tjetër hall, atë të shëndetit për veten dhe fëmijët.
“Jemi pesë persona në banesë dhe kemi probleme me alergjitë, pasi kemi vite që jetojmë mes pluhurit dhe nëse askush nuk kujtohet për ne, që një ditë të gjithë do të sëmuremi”, rrëfen Luljeta.
Zyrtarisht sipas të dhënave nga Bashkia e Urës Vajgurore, lagja ’28 Nëntori” ka 3.700 banorë, një pjesë e të cilëve janë banorë të hershëm dhe një pjesë tjetër janë vendosur pas viteve 1990 këtu.
Ajo çfarë i shqetëson tanimë banorët është frika që ndjejnë për shëndetin, kryesisht të fëmijëve të tyre. Në qendrën shëndetësore të lagjes çdo ditë ka vizita tek mjeku i familjes, i cili pranon faktin se 16 persona këtu janë të prekur nga astma dhe shumë të tjerë janë prekur nga alergjitë stinore. Lindita Hazizi, mjeke familje sqaron se vizitat mjekësore nuk shoqërohen me fluks, por rekomandimet janë dërguar drejt mjekëve specialistë, të cilët kanë nxjerrë konkluzione se ka raste me probleme në frymëmarrje dhe me alergji stinore.
Ndriçim Mbrati, një tjetër banor i hershëm i kësaj lagje, ka humbur çdo besim se çështja e guroreve do të zgjidhet, pasi siç shprehet interesat e biznesit duket se janë më të mëdha se shëndeti i banorëve.
“Kam 30 vite në këtë lagje. Kur unë ndërtova banesën, këtu nuk kishte asnjë gurore, por që sapo u ndërtuan ato u bënë ferri i jetës tonë. Është e sigurt që problemet e alergjive, virozat që bien shpesh këtu, kanë vetëm një ndikim, ndotjen e lartë që shkakton aktiviteti i guroreve, por për ne, nuk kujtohet askush”, thotë ai.

Shqetësimi i ndotjes i bashkon të gjithë banorët e kësaj lagje, të cilët përballë realitetit nuk kanë hequr kurrë dorë nga protestat, ankesat dhe gjithçka tjetër, por që janë përballur gjithnjë me indiferencën institucionale.
Shoqëria civile
Problemi i ndotjes nga aktiviteti i guroreve nuk është i panjohur dhe për shoqërinë civile në këtë qytet, madje reagimi i saj është i vetmi që ka thyer heshtjen e gjatë.

“Ndotja në shëndetin e banorëve, duket se ka ndikim të madh, pasi ne çdo ditë dëgjojmë raste të reja me probleme në frymëmarrje, alergji, dhe akoma më shumë me sëmundje edhe më të rënda, pasi kanceri në qytezën tonë është shumë i përhapur”, thotë Vilson Shehu, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës ‘The youth of Ura” .
Për Shehun problematika e gurores është e trashëguar ndër vite dhe çdo pushtet vendor që ka ardhur ka bërë përpjekje për ta minimizuar sadopak, por s’ka arritur. Nga ana tjetër sipas tij shoqëria civile ka bërë jo pak për këtë shqetësim.
“Guroret, lobim advokim, krijimi i grupeve ekologjike”, kështu quhet projekti që ka përfunduar zbatimin e tij në bashkinë e Urës Vajgurore, në fokus të së cilit ka qenë sensibilizimi i banorëve dhe drejtuesve të biznesit të guroreve, në lidhje me ndotjen në mjedis. Arjana Bardhaj, është një vajzë e re nga qyteti i Urës-Vajgurore e cila një vit më parë, nisi nga puna për zbatimin e këtij projekti, mbështetur nga “Lëviz Albania”
“Unë jam lindur, rritur dhe jetoj në këtë qytet, të cilin normalisht që e dua, por e dua më të pastër. Si të gjithë banorët dhe unë jam ndeshur me ndotjen në ajër që sjell aktiviteti i guroreve”, rrëfen Arjana.
Matje për ajrin në këtë zonë nuk ishin bërë prej vitesh, ndaj Arjana me grupin e të rinjve ekologjik realizuan 2 matje për ajrin në këtë zonë brenda periudhës 1 vjeçare të projektit.
“Ky projekt zhvillohej për herë të parë dhe qe një risi, pasi kemi një pasqyrim të plotë të situatës, të faktuar me dëshmi nga banorë të zonës, të cilët tregojnë me foto dhe video, shkallën e ndotjes, por dhe plasaritjet në banesat e tyre si pasojë e përdorimit të lëndëve plasëse. Kemi një raportim të plotë të situatës së shkallës së ndotjes, e cila është 2 deri në 3 herë më e lartë se normat e lejuara në Shqipëri, por nga ana tjetër për herë të parë kemi dhe një reagim institucional. Inspektoriati i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave në Berat, sëbashku me specialistë të ardhur nga Inspektoriati qëndror ushtruan inspektime të plota të zonë, ku u penalizuan me gjoba biznese dhe u bënë pezullimet e disa lejeve të bizneseve, ndërsa nga ana tjetër është premtuar se Agjensia Rajonale e Mjedisit, sëbashku me I.M.P, në Berat do të kryejnë monitorime të plota dhe periodike në zonë”, thotë Bardhaj.

Pushteti vendor i “pafuqishëm”
Problemin e ndotjes që vjen nga aktiviteti i guroreve, e pranojnë dhe në Bashkinë e Urës Vajgurore.
Sipas burimeve zyrtare të kësaj bashkie në territorin e lagjes “28 Nëntori” janë të liçensuara nga Ministria e Mjedisit, Agjensia Kombëtare e Mjedisit nëntë gurore, të cilat pranë kësaj bashkie paguajnë taksat vendore.
Adela Allajbeu, specialiste mjedisi pranë Drejtorisë së Urbanistikës, thotë se ndotësit e qytetit janë guroret, të cilat gjatë kryerjes së aktivitetit të tyre nuk përdorin impiantet e lëngshme, filtrat mbrojtës dhe nuk lagin rrugët dhe sheshet rreth kantierit gjatë kohës që ushtrojnë aktivitetin.
“Ndonëse, për aktivitetin e tyre guroret disponojnë leje nga disa ministri dhe Agjensia Kombëtare e Mjedisit ne si specialistë në bashkëpunim me policinë pyjore dhe atë bashkiake, kemi zhvilluar një sërë kontrollesh në këto subjekte, madje nuk kanë munguar dhe vendosja e gjobave për shkelje”, thotë Allajbeu për Portën Vendore. Megjithatë Bashkia e Urës Vajgurore nuk ka asnjë plan masash dhe as afate se kur mund të ndërmarrë veprime për ndryshimin e kësaj situate, me të cilët banorët kanë vite që përballen.
Ndër vite aksione për këtë çështje janë zhvilluar edhe nga Institucioni i Prefektit të Qarkut në Berat, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Mjedisit, e Agjensinë Rajonale të Mjedisit, por realiteti tregon se për të rritur fitimet e tyre subjektet e guroreve nuk përdorin filtra mbrojtës, duke shkaktuar kështu ndotje dhe krim mjedisor në zonë.
Bizneset e guroreve: Mungesa e infrastrukturës shkakton ndotjen
Sot, ato gurore që janë në punë jo çdo ditë të aktivitetit të tyre i marrin masat për shmangien e ndotjes, por për drejtuesit ndotja nuk shkaktohet vetëm nga aktiviteti i tyre, por dhe gjendja skandaloze e infrastrukturës.
Por drejtuesit e guroreve kanë një qasje tjetër, për burimin e ndotjes në këtë zonë:
Bardhyl Fesko, është një prej drejtuesve të bizneseve, i cili operon në këtë industri prej shumë vitesh.
“80% të ndotjes në ajër e shkakton infrastruktura e dobët, pasi mjetet tona qarkullojnë në rrugë skandaloze dhe vetëm rehabilitimi i rrugëve do të zgjidhte këtë problem”, vijon ai.
Masat e marra për ndotjen, nuk kanë çuar në zgjidhjen e problemit
“Sapo ministri i Mjedisit Blendi Klosi urdhëroi kryerjen e një inspektimi në zonë, inspektorët e Inspektoriatit të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave në Berat, në bashkëpunim me specialistët e ardhur nga inspektoriati qendror kanë qenë gjatë muajit prill dhe maj në terren”, thotë drejtori i inspektoriatit të Mjedisit Berat, Redi Kusta.
Nga inspektimet ka rezultuar se bizneset e gurit nuk zbatonin kushtet e lejeve mjedisore, duke mos marrë asnjë masë për uljen e ndotjes gjatë punës, nuk respektonin koordinatat e përcaktuara. “Për këto shkelje janë vendosur 9 gjoba, me vlerë pesë milionë lekë (të vjetra) si dhe janë pezulluar 13 subjekte, të cilat kanë nisur të verifikohen edhe nga ana e dokumentacionit, thotë Kusta. Ndërkohë që aktualisht vazhdojnë aktivitetin e tyre me dokumentacion të rregullt 9 gurore, këto shifra zyrtare janë për qarkun e Beratit”, vijon kryeinspektori i Mjedisit Berat, Redi Kusta.
Agron Deliu, ekspert mjedisi, me profesion inxhinier kimist, është i njohur prej vitesh me problemin e ndotjes së guroreve në Urën Vajgurore.
“Për herë të parë me problemin e ndotjes në këtë bashki jam njohur që në vitin 2004, kur është kryer matja e parë për shkallën e ndotjes, pasi vetë bashkia në ato vite ka kërkuar që të bëhet matja. Probleme me ndotjen kanë dalë që në këtë vit dhe më pas në vitin 2009 është përsëritur matja dhe ka dalë po njësoj, ndotje në ajër mbi normat për shkak të pluhurit që çlironte përpunimi i gurit” thotë specialisti.
Ndërkohë, që sërish si specialistë ai ka kryer dy matjet e fundit që janë bërë brenda këtij viti në zonë, në dy periudha, verë dhe pranverë ku ka dhënë edhe rekomandimet se si mund të ulet kjo ndotje.
“Respektimi i kushteve të lejeve të mjedisit dhe marrja e masave parandaluese për mos krijimin e pluhurave gjatë kohës që punohet, që mund të jenë lagia me ujë, impiantet me ujë, filtrat, etj”, thotë eksperti i ajrit, Deliu.
Për Petraq Tole, drejtor pranë Agjensisë Rajonale të Mjedisit në Berat, jo vetëm lagja e “Gurit të Bardhë”, por dhe fshatrat Pashalli dhe Konizbalt, preken nga ndotja e ajrit, dëmtimet me plasaritje në banesa dhe dëmtim hapësirash të gjelbërta. Për të që biznesi të punojë dhe banorët të jetojnë të qetë në shtëpitë e tyre, duhet të respektohen lejet mjedisore, të cilat janë të Tipit A.B, dhe C.
“Drejtuesit e bizneseve duhet të kuptojnë që ka ardhur koha për të përmirësuar kushtet e teknologjisë gjatë punës, duhet të vendosen impiantet me ujë”, përfundon ai ai.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.