6 qershor 2018/ Bulevard.org/ Lezhë
I themeluar në shekullin e katërt përpara erës sonë, qyteti i Lezhës është ndër me të vjetrit në Shqipëri. Ai ndodhet në Veriperëndim të vendit, dhe laget nga deti Adriatik. Për këtë arsye, por edhe prej rëndësisë historike që ka, kjo bashki është një ndër destinacionet kryesore turistike në vend. Për më tepër, pozicioni gjeografik i Lezhës e bën atë një qendër të rëndësishëm të transportit të udhëtarëve dhe te mallrave, duke qenë pranë me portet detare, aeroportin dhe pikat doganore tokësore.
Mirëpo, ndërkohë që transporti interurban është zhvilluar kryesisht nga sektori privat, transporti brenda qytetit mbetet inekzistent.
Bashkia e Lezhës aktualisht ka 9 njësi administrative, dhe një popullsi prej 137 mije banorësh. Lëvizjet demografike të pas 1990-s kanë sjellë një përqendrim të madh të banorëve, duke e renditur Lezhën në qytetin e pestë në Shqipëri për nga dendësia e popullsisë. Gjithashtu qyteti është zgjeruar në hapësirë, duke sjellë zhvillimin e disa lagjeve larg qendrës së qytetit. Kjo ka rritur nevojën për transport, sidomos të të rinjve që duhet të shkojnë në shkolle apo të aksesojnë shërbimet e përqendruara në qendër të qytetit. Mirëpo distanca e lagjeve periferike nga qendra mund të kërkojë deri në 45 minuta për t’u përshkruar në këmbë, duke ndikuar në izolimin e këtyre zonave.
Alternativat për të përshkruar qytetin janë biçikletat, makinat dhe transporti urban.
Ngasja e biçikletës në Lezhë mbetet e rrezikshme pasi bashkia nuk ka bërë asnjë investim për të siguruar korsi të veçanta për çiklistët apo ndërhyrje të tjera të domosdoshme në këtë drejtim.
Ndërsa makina nuk është një zgjidhje për pjesën më të madhe të të rinjve. Një pjese pasi nuk kanë mbushur moshën për t’u pajisur me leje drejtimi, një pjesë pasi nuk përballojnë dot ekonomikisht shpenzimet e makinës, dhe një pjesë pasi nuk e shikon makinën si një zgjidhje efektive në një qytet me infrastrukturë rrugore të pazhvilluar, që ka trafik të rënduar makinash dhe nuk ofron mjaftueshëm vende parkimi.
Në këto kushte, mjeti më efektiv, më ekonomik dhe më ekologjik mbetet autobuzi, por ai mungon. Mungesën e transportit publik e vuajnë kryesisht personat e disavantazhuar në shoqëri, përfshi këtu personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit dhe shtresat në nevojë. Media ka raportuar raste të shumta të qytetarëve që për shkak të mungesës së transportit publik detyrohen të udhëtojnë me mjete krejt të papërshtatshme për kushtet e tyre fizike dhe shëndetësore.
Po përse mungojnë autobusët qytetas në Lezhë?
Së pari, bashkia nuk e shikon transportin brenda qytetit si të rëndësishëm, çka reflektohet edhe në buxhetin e saj vjetor. Megjithëse në buxhetin e vitit 2018 bashkia ka parashikuar rreth 170 milion (Lek) për infrastrukturën dhe transportin rrugor, 65% e kësaj shume do të shkojë për ndërtimin e një terminali transporti interurban dhe pjesa tjetër për riparimin e rrugëve. Pra 0 Lek për transportin publik brenda qytetit.
Së dyti, sektori privat ka preferuar të investojë në transportin interurban për shkak të garancisë së rikthimit të investimit në këtë sektor. Ndërkohë që transporti brenda qytetit perceptohet si një investim i pasigurt në rastin më të mirë, dhe jo fitimprurës në rastin më të keq. Kjo ndikohet edhe nga mungesa e studimit të tregut për të projektuar se sa banorë efektivisht do të zgjidhnin transportin publik për të lëvizur brenda qytetit.
Së treti, banorët e zonave periferike të qytetit kanë preferuar t’i përshtaten situatës, diku duke përdorur mjete të tjera transporti dhe diku duke limituar numrin e lëvizjeve drejt qendrës apo zonave të tjera të largëta. Ndërsa banorët që jetojnë në qendër janë pak të ndërgjegjësuar për nevojën e transportit publik. Për pasojë kjo çështje nuk ka arritur të zërë vendin e nevojshëm në diskutimet e këshillit bashkiak, apo në programet e bashkisë.
Po cila do te ishte zgjidhja?
Së pari bashkia duhet të kuptojë se Lezha është zgjeruar mjaftueshëm dhe se transporti qytetas është nevojë e një pjese të konsiderueshme të banorëve. Për pasojë duhet të investojë në krijimin e linjave të transportit urban duke integruar linjat brenda qytetit me zonat e banuara përreth. Një shembull mund të ishte një linjë që udhëton nga Shëngjini në qendër të Lezhës, duke përfshirë zonën nga Gurrat deri në Kallmet.
Këto linja duhet të jenë të subvencionuara nga buxheti i bashkisë, pasi edhe nëse ato nuk janë fitimprurëse në mënyre direkte, indirekt ato ndikojnë në rritjen e aktivitetit ekonomik dhe tregtar të qytetit duke inkurajuar lëvizjen më të shpeshtë të banorëve nga të gjitha zonat përreth qytetit.
Së dyti, bashkia duhet të angazhohet për të inkurajuar sa më shumë grupe sociale që të përdorin transportin publik, duke i stimuluar ata përmes ofrimit të aboneve për studentet, pensionistët dhe shtresat në nevojë.
Së treti, bashkia duhet të koordinojë me bizneset lokale një plan masash për stimulimin e lëvizjes me transport publik, çka do të zgjidhte edhe probleme të tjera si trafiku i rënduar në qytet. Një shembull i mirë është skema e aplikuar në shumë qytete evropiane, ku bashkia detyron punëdhënësit që të blejnë abone transporti për punëtorët e tyre.
Së katërti, bashkia të bashkëpunojë me qendrat tregtare dhe bizneset e mëdha që ofrojnë shërbime për një publik të gjerë, dhe t’i ofrojë atyre lehtësira fiskale me qëllim që ato teë vendosin linja transporti urban për aksesimin e bizneseve të tyre nga të gjithë zonat e qytetit.