Ndodhi

ÇERRAVA DHE VOSKOPI, “MINAT ME SAHAT” TË SIGURISË USHQIMORE.

3 qershor 2018/AlertNews/Granit Sokolaj/ Korçë

Në hyrje dhe dalje të Korçës, dy tregje të kafshëve të gjalla, çdo të enjte dhe të diel mblidhen qindra kafshë nga zonat përreth qytetit Jugperëndimor të Shqipërisë, ku fermerët shesin, blejnë, bëjnë pazare, por pa menduar asgjë më tepër se kaq. Në fakt, fermerët janë më pak të interesuarit përveç tregtisë së tyre, ndërkohë që duhet të jenë të tjera institucione ato që duhet të garantojnë shërbimin për ta e mbi të gjitha, atë që lidhet me sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

Bëhet fjalë për tregun e Çerravës, i cili si zonë administrative i përket Pogradecit dhe që në vetvete ngjan vetëm me një kullotë të rrethuar e fjala treg është vetëm një term i largët, pasi aty bëhet tregti. Në të njëjtën gjendje, ndoshta edhe më keq, mes pluhurit, baltës e tashmë edhe temperaturave të larta, ndodhet tregu i Voskopit, pak kilometra sa del nga Korça, drejtuar Voskopojës.

Këto dy tregje të kafshëve të gjalla, që funksionojnë si të tilla prej shumë vitesh, megjithëse të njohura e në shërbim të qindra fermerëve të zonës, i vetmi përfitim që marrin është pagesa e tarifës për çdo kokë bagëti. Ndërsa Bashkia Korçë apo Drejtoria e Shërbimit Veterinar në Drejtorinë e Bujqësisë, të dorëzuar para një situate të tillë, sipas deklaratave respektive, janë në dijeni të situatës, por ndërhyrja është vetëm në letër.

Nëse fermerëve do t’ju flisnim për sistemin RUDA (Sistemi i regjistrimit të kafshëve), mbase do pyesnin, “po flisni për UFO-t?” E po kështu dhe për një treg modern, me kushte e standard, që ndoshta nuk e kanë parë as në ndonjë ekran apo fotografi.

Ligji “Për Shërbimin Veterinar”, i Republikës së Shqipërisë si dhe ai për “Vetëqeverisjen Vendore”, janë mjaft të qartë për kompetencat që kanë njësitë e qeverisjes vendore në administrimin e këtyre tregjeve. Por, si në të gjithë vendin, ashtu dhe në Pogradec e Korçë, me tregjet respektivisht të Çerravës dhe Voskopit,

Shitja e kafshëve bëhen pa respektuar standardet

Në nenin 54 të këtij ligji, për funksionet e njësive të qeverisjes vendore, pika b thuhet se, këto struktura duhet të përcaktojnë vendndodhjen dhe të administrojnë tregjet e kafshëve të gjalla. Ato administrohen, nga vetë bashkitë apo me subjekte të kontraktuara prej tyre, por në këtë rast, administrimi nënkupton vetëm mbledhjen e lekëve për çdo koke bagëti që futet aty.

Kafshët janë të pamatrikulluara, askush përveç të zotëve që i shesin, nuk e di se nga vijnë dhe aq më keq ku do të shkojnë, historikun e tyre, vijueshmërinë e shëndetit të tyre etj, duke u bërë kështu një vatër e mundshme për transmetimin e sëmundjeve nga njëra kafshë në tjetrën, nga një fermë tek tjera dhe aq më keq, të sëmundjeve zoonotike, që transmetohen nga kafsha te njeriu.

Në kuadër të projekti “Tregjet e kafshëve të gjalla, si shkak për cenimin e sigurisë ushqimore” që mbështetet nga “Lëviz Albania”, u monitoruan dhe dy nga katër tregjet e Qarkut Korçë, Çerrava në Pogradec dhe Voskopi në Korçë, ku siç duket edhe në pamje, edhe me ngritjen e temperaturave, po shndërrohen në një “minë me sahat” për konsumatorin.

Enida Shena, eksperte e Tregjeve të Kafshëve të Gjalla dhe Sigurisë Ushqimore, pas inspektimit të këtyre dy tregjeve deklaroi se, “kushtet lënë për të dëshiruar dhe këto tregje nuk plotësojnë asnjë kusht higjeno-sanitar, kafshët që hyjnë e dalin nuk kanë asnjë lloj dokumentacioni shoqërues, iu mungon certifikata veterinare, nuk kanë matrikuj dhe si pasojë, nuk ka kontroll të gjurmueshmërisë, nga origjina deri të shitja e tyre”. Sipas Shenës, duke munguar të gjitha këto, e kemi të vështirë të bëjmë ndjekjen e kafshëve dhe në këto kushte, siguria ushqimore e konsumatorëve është e ulët. “Një mungesë e rëndësishme, është mungesa e autoritetit të veterinerit të Bashkisë, që është personi, i cili qëndron në hyrje të tregut, kontrollon hyrjen e kafshëve dhe ato që janë pa matrikuj apo dokumentacion shoqërues, nuk i lejon të futen. Kjo sigurisht nuk ndodh këtu dhe aktiviteti është i njëjtë, siç e shikoni, është jashtë çdo kushti”.

Edhe nënkryetari i Bashkisë së Korçës, Thomas Tona, i pyetur në lidhje me situatën e tregut të Voskopit, e pranon situatën e vështirë në të cilën tregu ndodhet.

“Është bërë një studim për ta transformuar atë treg në binarët e tregjeve që kanë standard si në vendet fqinje. Por tani, sidomos me riorganizimin e Shërbimit Veterinar dhe me riorganizimin e AKU-së, tregjet në këto kushte do të mbyllen, përfshirë dhe Voskopin. Bashkia do të hartojë një plan për ta transformuar atë. Me ristrukturimin edhe të Drejtorisë së Bujqësisë dhe institucioneve të tjera, këto tregje do të bëhen ashtu siç kërkohen dhe sipas planit, do të ketë një treg të vetëm, të madh dhe me standard, për të gjithë Qarkun Korçë”, theksoi Tona.

Gjendjen e mjerueshme të këtyre tregjeve e pranon edhe Shefi i Shërbimit Veterinar në Drejtorinë e Bujqësisë Korçë, Adriatik Skënderasi, i cili përtej kompetencave të tij, thotë se, “tregjet e kafshëve të gjalla janë gjithnjë në varësi të Bashkive dhe në Qarkun Korçë janë 4”. “Gjendja e tyre është problematike, pasi në të 4 tregjet, asnjëri nuk është i liçencuar. Ne kemi kërkuar që këto tregje të mbyllen dhe aktualisht jemi në fazën e ngritjes së një tregu për gjithë qarkun. Mendojmë se, kjo do të jetë zgjidhja. Aktualisht ka probleme, pasi ka kafshë pa matrikuj dhe mjete transporti të paliçencuara”, tha Skënderasi.

Situata e këtyre tregjeve, nuk do vetëm fjalë e projekte në letër. Kryeministri Rama, më 23 nëntor 2016, mblodhi në një takim Kryetarët e Bashkive të të gjithë vendit, të cilët i “bëri për ujë të ftohtë”, në lidhje me situatën e tregjeve të kafshëve të gjalla dhe sipas tij, “ato lejohen të jenë në këto kushte, vetëm me lejen tuaj”. Megjithëse iu kërkoi të marrin masa të menjëhershme për mbylljen e tyre dhe përmirësimin e kushteve, përtej një deklarate mediatike e përcjellë me bujë, asgjë tjetër nuk ndodhi. Drejtuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore duket se bëjnë sikur nuk shohin, kryeministri sikur harroi, ndërkohë që siguria e konsumatorit është në rrezik.