Vëzhgim/Analizë

Rekrutimet në arsim, Bashkia e Kamzës shkel ligjin

1 qershor 2018/Elisa Gjerani/Porta Vendore/Kamëz

Kalimi i institucioneve arsimore në varësi të bashkive pas implementimit të reformës administrativo-territoriale ka sjellë përplasje të shumta për emërimet dhe shkarkimet mes institucioneve vendore dhe atyre qendrore, sidomos në rastet kur bashkitë drejtohen nga individë të mbështetur politikisht nga opozita. Një përplasje e tillë ka ndodhur edhe në Bashkinë e Kamzës, ku zyrtarët e këtij institucioni nuk njohin dhe nuk paguajnë edukatoret e kopshteve, që janë emëruar nga Drejtoria Arsimore që ka varësi direkte nga Ministria e Arsimit. Ligji përcakton se emërimi dhe shkarkimi është e drejtë e Drejtorisë Arsimore, ndërkohë që bashkia ka për detyrë vetëm të paguajë punonjësit nga transfertat specifike për arsimin.

Edukatorja, 9 muaj pa pagë
Lutfie Belba është një nga personat që është penalizuar nga kjo përplasje, që ende sot nuk ka gjetur zgjidhje, pavarësisht korrespondencës mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore. Ajo ka 9 vite që është pjesë e sistemit arsimor. Në 11 shtator 2017, ajo u përzgjodh nga Zyra Arsimore Kamëz në bazë të portalit “Mësues për Shqipërinë”, me numër pikësh maksimale, që të fillonte punën si edukatore në kopshtin “Lidhja e Prizrenit” në Bashkinë Kamëz. Por, ajo ka 9 muaj, pra që nga përzgjedhja e deri më sot, që nuk është paguar nga Bashkia Kamëz, pavarësisht se ushtron profesionin e edukatores çdo ditë.

Lutfie Belba edukatorja e kopshtit “Lidhja e Prizrenit”. Foto: E. Gjerani

“Unë e bëj me pasion këtë punë. Kisha menduar që të gjithë paratë e rrogës së 2-3 muajve t’i investoja për lodra e kënde në kopsht, meqë kushtet këtu janë të mjerueshme, por për fat të keq, nuk jam paguar asnjë ditë. S’kam marrë asnjëherë rrogë! Të paktën një herë ta kisha marrë atë rrogën, se kështu të priten krahët, nuk të lënë të bësh gjëra të bukura”, rrëfen për Portën Vendore, edukatorja Lutfie Belba. Edhe pse nuk ka marrë për këtë vit akademik asnjë pagesë nga Bashkia Kamëz, ajo vjen në punë dhe mëson fëmijët me të njëjtin përkushtim.
“Më kanë thënë që nuk je emëruar nga Bashkia, sepse duhet të ishe emëruar nga Bashkia që të paguhesh. Por unë jam emëruar në bazë të gjithë rregullave, nga Drejtoria Arsimore Kamëz dhe Ministria e Arsimit. Unë përderisa kam ardhur me portal, sipas rregullave, dhe Drejtoria Arsimore më thotë që s’ke pse e lë punën, mendoj se një ditë do të paguhem, nëse kemi shtet”, vijon edukatorja.
Lutfie ka trokitur shumë herë në këto 9 muaj pune në dyer e bashkisë, por reagimi nga kjo e fundit, e ka befasuar. “Kam qenë shumë herë në Bashki për t’u interesuar për problemin tim, por ajo që më ka bërë përshtypje si grua, si nënë, si qytetare, është fakti se kryetari nuk ka denjuar njëherë të më takojë, thjesht për të pyetur, – Cila është arsyeja, përse nuk jam paguar? Të ma thotë nga goja e tij, pse nuk jam paguar”, përfundon ajo.
Por në të njëjtën situatë si Lutfija, në kopshtet e Bashkisë Kamëz janë edhe 4 edukatore të tjera, të cilat nuk janë paguar prej 9 muajsh. Madje, sipas të dhënave zyrtare rezulton se të pesë edukatoret i janë drejtuar gjykatës për të gjetur të drejtën e tyre, duke qenë se nga institucionet kanë pasur vetëm korrespondencë mosmarrëveshjesh. Ato kanë hapur proces gjyqësor ndaj Bashkisë së Kamzës, ku kërkojnë të drejtën e tyre për marrjen e pagës.

Drejtoria Arsimore
Por, si e shikojnë institucionet këtë përplasje. Ermioni Çekani Drejtore e Zyrës Arsimore Kamëz shpjegoi për Portën Vendore se ishin të njohur me këtë problem dhe nga ana e saj nuk kanë munguar shkresat zyrtare, por edhe bisedat verbale me kryetarin Xhelal Mziu, për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Edukatoret në kopshtet e Bashkisë së Kamëz, ashtu sipas ligjit, i kemi emëruar në bazë të portalit. Pra te portali ‘Mësues për Shqipërinë’ është edhe profili për mësuesit e arsimit parashkollor. Pasi komisioni i vlerësimit të dosjeve i ka dhënë kontratën edukatores që e ka merituar në bazë të pikëzimit të portalit, kur ka shkuar në kopsht, ka gjetur edhe një edukatore tjetër, të emëruar nga bashkia, që nuk kanë qenë pjesë e portalit. Na ka ndodhur që në të njëjtin vend të kemi dy edukatore, duke dubluar njëra-tjetrën”, thotë ajo.

Ermioni Çekani Drejtore e Zyrës Arsimore Kamëz.

Drejtoresha shpjegon se emërimi ndodh në momentin që hapet një vend pune në kopsht dhe pasi shikohet se kush e ka radhën në portal, thirret nga komisioni i vlerësimit të dosjeve, nënshkruhet kontrata dhe për këtë njoftohet dhe Bashkisë Kamëz. “Bashkia Kamëz shkel ligjin me të dyja këmbët, pasi paguan vetëm ato edukatore që ka emëruar vetë, pavarësisht kritereve profesionalë, dhe jo atë edukatore që janë emëruar në përputhje me ligjin. Në një kopsht ishte e dubluar, punuan për disa kohë të dyja edukatoret si ajo e emëruar sipas rregullores, si ajo e emëruar nga Bashkia Kamëz. Pastaj u tërhoq edukatorja që dërguam ne, sepse e kishte të pamundur të punonte pa marrë rrogë”, shpjegon Drejtoresha e Zyrës Arsimore Ermioni Çekani.

Bashkia Kamëz
Ndërsa në Bashkinë Kamëz, Drejtor i Arsimit, Gani Berisha pretendon se ngërçi është krijuar nga Ministria e Arsimit. “Për hir të së vërtetës është një ngërç i krijuar nga pushteti qendror. Është një funksion i deleguar që po aplikohet me dy standarde. Mund të them që është e vetmja bashki që nuk ka bërë emërime edukatoresh, ndërkohë që në Bashkinë Durrës psh, janë bërë emërime të edukatoreve duke e pasur si kompetencë të plotë. Për sa kohë kjo ndodh, pse mos të lejohet edhe në Bashkinë Kamëz? Unë nuk mund të them se si do të zgjidhet, sepse jam hallka e fundit. Unë rekomandoj institucionin e Ministrisë së Arsimit që t’i japë zgjidhje”, tha për Portën Vendore drejtori Berisha.

Gani Berisha Drejtor i Arsimit në Bashkinë Kamëz. Foto: E.Gjerani

Por, më 9 prill 2018, pikërisht për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi, Ministria e Arsimit i është drejtuar Bashkisë Kamëz me një shkresë-urdhëresë për likuidimin e 5 edukatoreve dhe të sekretares së shkollës së mesme “Isa Boletini”. Megjithatë, kjo e fundit, jo vetëm që nuk e ka vënë në zbatim me pretendimin se nuk është në dijeni të një shkrese të tillë, por vijon të ketë një pikëpamje tjetër për interpretimin e ligjit. “Unë nuk kam dijeni për shkresën e ardhur, por ligji nuk duhet të jetë si Maliqi. Ligji duhet të përdoret njësoj për të gjithë, ose duhet t’i kenë bashkitë dhe t’i emërojnë bashkitë, ose duhet t’i kenë zyrat arsimore dhe t’i emërojnë zyrat arsimore, jo ne që jemi bashki të djathta të penalizohemi.

A ka dy standarde?
Për të vërtetuar nëse ky ngërç ndodh për penalizmin e bashkive të djathta nga pushteti qendror, apo pengesë janë vetë bashki, duke u nisur nga shembulli i dhënë nga vetë Drejtori i Arsimit në Kamëz, Porta Vendore pyeti edhe në Durrës sesi veprohet në emërimin e edukatoreve. Përfaqësues të Bashkisë Durrës thanë se kanë një bashkëpunim shumë të mirë me Zyrën Arsimore Durrës, ku kjo e fundit sjell listën e fitueseve nga portali dhe Bashkia Durrës bënë zgjedhjen në bazë të meritokracisë. Por duke respektuar gjithnjë ligjin dhe funksionet e deleguara për pushtetin vendor që nga viti 2015 e deri më sot.

Zonat që përfshin Zyra Arsimore Kamëz. Foto: E. Gjerani

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë
Ndërsa Ministria e Arsimit deklaron se ka përdorur të njëjtin standard me të gjitha bashkitë, në zbatim të udhëzimit datë 24.12.2015, pasi ajo vetëm vendos kushtet, dhe pagesat kryhen nga Ministria e Financave dhe bashkia përkatëse. “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, para fillimit të vitit buxhetor, duhet të dërgojë në bashkitë përkatëse kuadrin ligjor dhe nënligjor lidhur me dosjet personale të punonjësve, pagat dhe sigurimet shoqërore për personelin edukativ dhe ndihmës të arsimit parashkollor, personelin ndihmës të arsimit parauniversitar. Standardet dhe kriteret e ofrimit të shërbimit bëhen në përputhje me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të shtojnë fonde nga të ardhurat e tyre për të rritur cilësinë e shërbimit në këtë sektor”, deklaroi MASR.

Eksperti: Kush ka të drejtë
Duke parë këtë përplasje, Porta Vendore pyeti edhe ekspertin e qeverisjes vendore, Fatlum Nurja, sesi interpretohet ligji në rastin për funksionet e deleguara. “Funksioni i edukimit parauniversitar që përfshin edhe ciklin parashkollor ku janë kopshtet dhe çerdhet janë transferuar në njësitë e qeverisjes vendore bashkë me funksione të tjera, të cilat, meqë nuk janë uniformisht të shpërndara, ishte vështirë të përfshihen me formulë në Grantin e Pakushtëzuar dhe prandaj u financuan me grant specifik që në thelb e bën këtë funksion të ekzekutohet si funksion i deleguar”, shpjegon Nurja për këtë rast, duke shtuar se mënyra e financimit jepet në Aneksin Nr. 4 të Buxhetit për  Qeverisjes Vendore. Sipas tij, në transfertën specifike të vitit 2018, njësive të vetëqeverisjes vendore i janë akorduar fondet për personelin edukativ dhe ndihmës të arsimit parashkollor si dhe fondet për personelin ndihmës të arsimit parauniveristar. “Ky rast tregon edhe një herë se dinamika e debatit mes njësive vendore dhe ministrisë, nuk shtrihet në mënyrën e ofrimit apo përmirësimin e shërbimit, por në dominimin e skemës se kush ka të drejtë të emërojë personel. Duhet theksuar që bashkitë sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore janë autonome me kufizimet që jep ky ligj, i cili obligon bashkitë të zbatojnë kuadrin ligjor dhe rregullat e ministrive të linjës, të cilat ruajnë të drejtën e monitorimit e të zbatimit të normave dhe standardeve për shërbimin e transferuar. Unë jam për të pasur më shumë kompetencë bashkitë, por në këtë rast bashkive iu ngelet vetëm të zbatojnë ligjin e mënyrës së rekrutimeve dhe mënyrën e pagesës. Vendimi i Këshillit të Ministrave për transferimin e funksioneve është në fuqi edhe këtë vit. Në 2019 e më tej ngelet për t’u parë”, përfundon eksperti Nurja.

Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa medias kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.