Vëzhgim/Analizë

Pse nuk mbarojnë kurrë qentë e rrugës?

24 maj 2018/Bulevard.org/ Elbasan

Kushdo që ka qenë në Elbasan mund të ketë parë qentë e rrugës, të cilët shpesh formojnë kope duke u bërë kërcënim për qytetin. Nuk janë të pakta rastet e banorëve të kafshuar nga qentë e rrugës, të cilët, ndër të tjera, janë edhe mbartës të sëmundjeve vdekjeprurëse. Ata gjithashtu, përbëjnë rrezik për kafshët shtëpiake dhe për faunën, e cila prej vitesh është në zhdukje. Përveç këtyre, qentë e rrugës janë shqetësim për banorët, sepse ndotin qytetin, përhapin plehrat dhe lehin gjatë natës.

Është shqetësuese që pikërisht qytetarët më të varfër janë më të rrezikuar nga qentë e rrugës, edhe për faktin se ata janë më të ekspozuar, pasi ndryshe nga politikanët, nuk lëvizin me fuoristrada.

Megjithatë, duhet thënë se çështja e qenve të rrugës nuk është një problem vetëm për Elbasanin, madje as vetëm për Shqipërinë. Ka rreth 700 milion qen rruge sot në Botë, dhe çdo vit vdesin 55 mijë njerëz prej sëmundjeve që ata përhapin. Sipas OBSH, 30 persona kafshohen çdo minutë, dhe dy njerëz vdesin çdo orë në Azi prej sëmundjeve të tyre.

Po nga vijnë këta qen?
Qentë kanë bashkëjetuar prej 14 mijë vjetësh me njeriun dhe në një ekonomi agrare ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Në Shqipëri qentë përdoreshin kryesisht për ruajtjen e banesave dhe bagëtive. Por gjatë diktaturës moniste, ku prona private nuk ekzistonte, dhe bagëtitë u kolektivizuan, shteti i ekzekutoi qentë dhe ndaloi mbajtjen e tyre në banesa.

Me përmbysjen e regjimit, dhe ndryshimeve ekonomike dhe sociale që pasuan, njerëzit filluan sërish të mbanin qen pranë tyre. Tashme jo vetëm për mbrojtje, por edhe arsye sociale dhe psikologjike, si përballimi i vetmisë apo stresit të jetës.

Mirëpo ndër këta kafshëdashës pati shumë që filluan të braktisnin në rrugë qentë e padëshiruar, të cilët riprodhohen në ritme shumë të shpejta. Përllogaritet se në harkun kohor të tri viteve një çift qensh shumohet deri në 300 të tjerë. Gjithashtu, pirgjet e plehrave të përhapura kudo nëpër qytet filluan të tërheqin gjithmonë e më shumë qen pranë zonave të banuara

Ndërkohë, përveç braktisjes së qenve dhe shumimit të tyre me njeri-tjetrin, aludohet shpesh se në Elbasan sillen edhe qentë e bashkive të tjera, të cilat në vend që ta zgjidhin problemin, e delegojnë atë.

Po pse nuk i është gjetur një zgjidhje kësaj pune?
Për disa arsye:
E para është vizioni i gabuar nga ana e bashkisë
Megjithëse problemi është i pranishëm edhe në vendet e zhvilluara, strategjitë e përdorura prej tyre janë kryesisht për zgjidhjen afatgjatë të këtij problemi.

Ndërkohë në Elbasan, ashtu si dhe në pjesën më të madhe të bashkive në Shqipëri, strategjia kryesore është vrasja e qenve të rrugës. E bërë kjo në një mënyrë që bie në kundërshtim edhe me legjislacionin vendas për shërbimin veterinar.

Kjo zgjidhje përveçse mizore dhe e kundërligjshme nuk e zgjidh problemin. Studimet e OBSH-se kanë treguar se vrasja e qenve, nuk ka çuar në uljen e numrit të tyre, pasi qentë janë kafshë territoriale.

Që do të thotë se numri i tyre në një zonë të caktuar mbetet konstant në bazë të kushteve bazë për mbijetesë. Kështu që vrasja e disa qenve do të thotë që do ketë më shumë burime për ata që mbeten, duke sjellë ose migrim të qenve nga një zonë tjetër, ose riprodhimin më të shpejtë të tyre.

Mjafton të shohësh që megjithëse prej tre dekadash bashkia shpenzon para për vrasjen e qenve, numri i tyre vetëm rritet. Ndërkohë, vrasja e qenve dhe depozitimi i tyre në vendgrumbullime plehrash, ka rritur mundësinë e përhapjes së sëmundjeve, duke e rënduar më tej problemin.

E  dyta, është mungesa e fondeve
Ndërkohë që paratë e shpenzuara për vrasjen e qenve janë thjesht para të çuara dëm, programet e tjera për vaksinimin, sterilizimin dhe strehimin e tyre kushtojnë. Sistemimi i një qeni në një strehë kafshësh mund të kushtojë deri në 300$ në muaj. Para këto që mund të shpenzohen për programet e strehimit të njerëzve, duke ditur se Elbasani ka mijëra të pastrehë.

Mirëpo, ndërkohë që qentë nuk mund të strehohen, ata mund të vaksinohen dhe sterilizohen, duke ulur kështu jo vetëm rrezikun që vjen nga ta, por edhe numrin e tyre të përgjithshëm. Për këtë qëllim vitin e fundit në Elbasan është ngritur një qendër veterinare, e cila synon të trajtojë qentë e rrugës. Por kjo qendër ka fonde minimale, që nuk mjaftojnë për zgjidhjen e problemit.

Në vitin 2017 Bashkia shpenzoi gjithsej 700 mijë lek për qentë e rrugës, para që nuk dihet nëse shkuan për vaksina apo për fishekë. Në të njëjtën kohë bashkia shpenzoi aq para për dekorin e qytetit sa do të kishin mjaftuar për vaksinimin dhe sterilizimin e 5000 qenve të rrugës. Duke harruar mbase që pavarësisht çfarë dritash mund t’i vendosesh qytetit, ato nuk e fshehin dot pushtimin e tij nga kopetë e qenve që vijnë vërdallë nëpër kazanët e plehrave.

Së treti, vijmë tek përgjegjësia e publikut
Në veçanti ata që e konsiderojnë veten kafshëdashës, ndërkohë që ata ankohen për vrasjen e qenve, shumë prej tyre blejnë qen të shtrenjtë nëpër dyqane kafshësh, në vend që të adoptojnë një qen të braktisur.

Jo vetëm kaq, por një pjesë e tyre kontribuojnë në shtimin e qenve të rrugës, duke bërë investime të pamenduara në planin afatgjatë.

Ka një trend vitet e fundit për t’i përdorur qenushët si dhurata, duke mos marrë në konsideratë që një qen jeton deri në 13 vite, dhe nëse gjatë këtij harku kohor rrethanat sociale ndryshojnë, ai mund të përfundojë në rrugë.

Së fundmi, janë të paktë ata që dhurojnë para apo kontribuojnë me punë vullnetare në organizatat e mbrojtjes dhe trajtimit të kafshëve, duke bërë që ato të jenë të dobëta dhe të mos e kenë kapacitetin për ta zgjidhur problemin.

Po cila është zgjidhja?
Për zgjidhjen e këtij problemi ne sugjerojmë si fillim, që bashkia në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe policinë të krijojë një linjë telefonike, ose të përdorë ato ekzistuese, ku qytetarët të telefonojnë në rastet kur ndihen të kërcënuar nga qentë e rrugës.

Së dyti, bashkia të  marrë masat për administrimin e plehrave në qytet, duke evituar kazanët e hapur apo pirgjet e plehrave të cilat shpesh tërheqin qentë e rrugës, por edhe kafshë të tjera.

Së treti, bashkia dhe këshilli bashkiak të caktojnë gjoba për personat që braktisin qentë, çka bëhet e mundur nëse veterinerët do të detyrohen që të pajisin me chip çdo qen që shesin. Ky mund të ishte një shembull i mirë që të nxiste në hartimin e një ligji kombëtar për këte çështje.

Së katërti, bashkia të ndjekë politika më efiçente siç janë sterilizimi i qenve, i cili përveçse me metodat tradicionale mund të bëhet edhe në mënyra shumë më ekonomike. Prej disa vitesh laboratorët farmaceutik në bote kanë prodhuar viruse seksualisht të transmetueshme për kafshët, të cilët dëmtojnë pikërisht pjellorinë e tyre. Gjithashtu, një zgjidhje alternative mund të jetë edhe identifikimi dhe izolimi i qenve femra vetëm gjatë periudhës së çiftëzimit, duke reduktuar mundësinë e riprodhimit të tyre.

Së pesti, paratë që shpenzon për fishekë bashkia t’i çojë në mbështetje të qendrës së ngritur në Elbasan për trajtimin e qenve të rrugës, duke i dhënë zgjidhje në nivel afatgjatë kësaj çështjeje.

Së gjashti, shoqatat për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve duhet të luajnë një rol më aktiv për të ndërgjegjësuar qytetarët që të adoptojnë qentë e rrugës. Këto fushata mund të jenë ndërkombëtare, siç është rasti i shoqatave turke që arrijnë të çojnë për adoptim qentë e rrugës nga Stambolli në SHBA.

Së fundmi,  qytetarët duhet të marrin përgjegjësitë që vijnë me marrjen e një qeni. Ai është një qenie e gjallë që jeton për 13 vjet dhe jo një lodër që mund ta blesh dhe ta hedhësh kur të duash në rrugë. Nëse mendon që rrethanat e tua do të ndryshojnë në 13 vitet e ardhshme, atëherë do ishte më mirë të blije një qen lodër.