28 maj 2018/ Nyje.al/ Kamëz
Kamza pas perëndimit të diellit të imponon pasjen e një guri në xhep dhe një elektriku në dorë, kjo pasi rrugët janë në errësirë totale.
Ligji “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 23, sanksionon qartësisht një ndër funksionet primare të bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike që është: ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e rrugëve vendore dhe sinjalizimit rrugor, të trotuareve dhe shesheve publike vendore si dhe ndriçimin e mjediseve publike.
Për shkak të mungesës së plotë të ndriçimit të rrugëve vendore në qytetin e Kamzës prej disa vitesh, redaksia e Nyje.al iu drejtua bashkisë me kërkesën për informacion në lidhje me ndriçimin e rrugëve të qytetit.
Cilat janë masat që janë parashikuar për t’i dhënë zgjidhje këtij problem? Kësaj kërkese ju përgjigj me shkrim Koordinatori i Informimit për Bashkinë e Kamzës, ku shkruan: “Qyteti i Kamzës përshkohet mes përmes nga Bulevardi “Blu”, i cili nuk është në inventarin e Bashkisë, por në atë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Ndaj, për shkak se nuk bën pjesë te kompetencat lokale, as nuk mund të investohet as të mirëmbahet nga bashkia”
Mungesa e ndriçimit në këtë bulevard, sipas informacionit të dhënë nga Koordinatori i informimit në Bashkinë Kamëz, shkakton mungesë ndriçimi në pjesën më të madhe të qytetit. E njëjta situate thuhet edhe për rrugën “Demokracia” në Bathore. “ Ndërkohë që nga informacioni derivojmë pamundësinë e bashkisë për të investuar në rrugët lokale për shkak të bulevardit “mbajtur peng” nga kompetenca që i takojnë Drejtorisë së Përgjithshme të rrugëve, nga ana tjetër gjatë përgjigjes së dhënë, Kryetari i Bashkisë, Z.Xhelal Mziu, ka zhvilluar një takim me administratorin e kompanisë italiane “Alba Esco” për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit për të investuar në projektin e sistemit të ndriçimit të qytetit të Kamzës.
Ndërsa në njoftimin e bërë publik më datë 10.11.2017 nga Bashkia Kamëz rreth këtij takimi, ndër të tjera thuhet: “Kryebashkiaku Mziu e mirëpriti këtë propozim, duke u shprehur se në kuadër të rivitalizimit të sheshit të qytetit dhe pedonales që do të ndërtohet së shpejti, ky bashkëpunim është mjaft i frytshëm, aq më tepër që do të përdoret teknologjia e fundit.”
Atëherë lind nevoja për qartësim të kësaj çështjeje dhe dhënie të një përgjigjeje konçize:
Nuk ka drita në pjesën më të madhe të rrugëve të Kamzës sepse nuk është në kompetencën e bashkisë, apo sepse nuk është bërë ende punë e mjaftueshme për të investuar në rrugë dhe ndriçimin e vendeve publike?!