24 maj 2018/Lindita Kokaj /Porta Vendore/ Kurbin
Mungesa e hapësirave publike dhe veçanërisht e terreneve sportive e sociale për të rinjtë vijon të mbetet një problem shqetësues në shumë qytete të vendit. Për shkak të këtyre mungesave, të rinjtë, kohën e lirë shpesh nuk e shpenzojnë në drejtimin e duhur, duke u futur kështu dashur pa dashur në rrugën e veseve gjatë moshës së adoleshencës.Një problematikë e tillë ndeshet edhe në qytetin e Milotit në Bashkinë Kurbin. Por 30 të rinj i janë bashkuar nismës ”Për hapësirat publike të domosdoshme”, duke marshuar nga Gjimnazi “Milot” drejt sheshit të Njësisë Administrative, e duke apeluar për zgjidhjen e këtij problemi, ku sipas tyre ka jo pak por 25 vite që premtohet për zgjidhje.
Me pankarta në duar ata marshuan në rrugën kryesore duke përcjellë mesazhe “ Këndi Social, mënyra më e mirë për edukimin tonë”, “Largoni rininë nga rruga!”, “Luani futboll dhe jo skedina”, “Promovoni sportin dhe jo dembelizmin”.

Afrim Veseli gjimnazist, tha për Portën vendore se i është bashkuar kësaj nisme, pasi në Milot mungojnë hapësirat publike, të cilat janë frymëmarrja e një qyteti dhe nga ana tjetër një mundësi e mirë për edukimin dhe argëtimin e të rinjve. “Për të larguar të rinjtë nga rrugët dhe veset, apelojmë që të ndërtohen hapësira publike dhe terrene sportive, për të kaluar sa më shumë kohë sociale me njëri-tjetrin. I bëjmë apel Njësisë Administrative Milot dhe Bashkisë Kurbin që të dëgjojnë zërin e të rinvje të Milotit, pasi rinia është e ardhmja e vendit”, tha Afrimi.
Mungesa e hapësirave publike, ka bërë që shumë të rinj të kalojnë kohën e tyre në rrjetet sociale, në bar-lloto, kazino, shpesh duke rënë pre e veprave të ndryshme penale.
Leonora Balloku, gjimnaziste, në të njëjtën frymë me bashkëmoshatarët e saj vuri theksin tek e drejta e tyre për t’u argëtuar, larg rrugës, kazinove dhe veseve. “Ndërtimi i terreneve sportive por edhe sociale do të ishte një zgjidhje e mirë për ne të rinjtë e Milotit. I bëjmë thirrje pushtetit vendor që të dëgjojë këta të rinj si shpresa dhe e ardhmja e Milotit dhe jo vetëm”,vijon Leonora.

Sheshi përpara njësisë administrative u shndërrua në një hapësirë publike për të rinjtë, duke organizuar lojra të ndryshme për më shumë se një orë.
Rivelino Ismalaj, Koordiator i Projektit “ Hapësira Publike të Domosdoshme”, financuar nga Lëviz Albania, e cila mbështet shoqërinë civile dhe individët për një demokraci vendore të fortë, dhe qeverisje vendore cilësore, theksoi se kjo është një iniciativë qytetare që synon sensibilizimin e qytetarëve të Milotit për t’u bërë pjesë e nismës, si edhe si një apel ndaj Bashkisë Kurbin për të mbajtur premtimin e dhënë në të gjitha fushatat elektorale gjatë këtyre 25 viteve.
“Janë mbi 30 gjimnazistë dhe të rinj nga Miloti që i janë bashkuar nismës tonë për hapësira publike të domosdoshme”, duke parë se nuk është bërë asgjë në këtë drejtim gjatë 25 viteve. Na është premtuar por premtimet mbeten thjesh në letër. Kemi marrë kontakte me drejtues të njësisë vendore Milot dhe të Bashkisë Kurbin, dhe na është deklaruar se kemi hartuar projekte, por deri më tani asnjë projekt nuk është zbatuar. Ndaj ne u bashkuam për të kërkuar një të drejtë tonën, në mënyrë që të kemi mundësi jo vetëm të argëtohemi, dhe kalojmë kohën e lirë por edhe si një domosdoshmëri edhe për edukimin e rinisë, tha për Portën Vendore, organizatori Rivelino Ismalaj.

“Në zbatim të Ligjit 139 “ Për vetëqeverisjen vendore” të vitit 2005, dhe nenit Nr. 20 e drejta e iniciativës qytetare, ne kemi përgatitur një peticion. Qytetarët e Milotit po i bashkohen nismës duke firmosur peticionin si një tjetër hap për të kërkuar të drejtat e tyre dhe vecanarisht për socializimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre”, deklaroi Ismalaj.

Në rast se nuk do të ketë asnjë reagim nga pushteti vendor, të rinjtë e Milotit do të vijojnë nismën e tyre duke publikuar në mediat sociale problematikat e ndryshme që vijnë si pasojë e mungesës së këtyre terreneve, dhe premtimet e pambajtura të drejtuesve vendor. Nga ana tjetër sipas tyre mund të ketë edhe përshkallëzim të protestës së tyre.
Rreth autorit:
Lindita Kokaj është gazetare prej 15 vitesh në qytetin e Lezhës.