Ngjarje/Personazhe

Grabova, fshati që bojkotoi zgjedhjet e qershor 2017

20 maj 2018/ Bardha Nergjoni/ Elbasan

Grabova, është një nga fshatrat me bukuri përrallore në zonën e Gramshit.  Sot ka rreth 70 familje që mes shumë peripecive vazhdojnë të jetojnë duke mos dashur të braktisin vendin e tyre edhe pse gjithçka është përkeqësuar. Në vitet e demokracisë  investimet për infrastrukturë, arsim, ujësjellës, etj. nuk kanë mbërritur deri në këtë zonë megjithëse ndodhet vetëm 44 km larg qytetit të Gramshit. Banorët e Grabovës thuajse njëzëri arritën të bojkotojnë zgjedhjet e vitit 2017 në shenjë proteste për mungesën e investimeve, por sërish asgjë nuk ka ndryshuar. Së fundmi, ata  kërcënojnë se do të kërkojnë autonominë nëse deri në qershor të 2019 nuk do të bëhet asgjë për ta.

Dikur një nga vendbanimet më të rëndësishme arumune të mesjetës së hershme, me rreth 12 mijë banorë, i dyti pas Voskopojës, Grabova e Poshtme dhe e Sipërme njihej për mikpritjen, traditën e përpunimit të drurit, të bulmetit dhe gurit. Këto tradita banorë i kanë ruajtur edhe sot, por ajo çfarë i ka munguar për shumë dekada është prania e shtetit.  7 kilometër rrugë që të çon nga Lënia në Grabovë ka mbetur vetëm si “gjurmë”, ndërsa ura lidhëse që kalon ndërmjet përrenjve është e prishur.

Rruga që të çon drejt fshatit. Foto: Edmond Prifti

Në fshat nuk është parë në asnjë moment dora e shtetit. Shkolla është në prag shembjeje, ndërkohë që mësojnë 60 fëmijë, ujësjellësi është zgjidhur me metoda artizanale dhe urat e vjetra që e rrethojnë fshatin thuajse janë shembur, situatë e cila do ti çoj banorët drejt izolimit. Zona e Grabovës ka të gjitha vlerat që meriton një zonë turistike malore, por të gjitha mangësitë për tu shfrytëzuar si e tillë.  

Pronar i baxhos së djathit në fshatin Grabovë. Foto: Edmond Prifti

Fshati i vetëm në Shqipëri që bojkotoi zgjedhjet

Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 banorët paraqitën kërkesat e tyre gjatë takimeve elektorale. Morën premtimin se rruga, ura dhe shkolla do të ndërtoheshin. “Në një takim elektoral të përfaqësuesve socialistë ne kërkuam investime, dhe Damian Gjiknuri na premtoi se do të ndërhyhej tek të gjitha problemet që ngritëm. Atëherë përfaqësuesit e fshatit u ngritën dhe deklaruan votën pro, por nëse nuk do të bëhej gjë, atëherë do të bojkotonim” shprehet Todi Buzo që bashkë me banorët kanë bërë përpjekje të kahershme për të kthyer vëmendjen nga Grabova.

Todi Buzo banor i fshatit Grabovë në zonën e Gramshit . Foto: Edmond Prifti

Pritën deri në vitin 2017 që të paktën një prej premtimeve të politikës të bëhej realitet. Asgjë nuk u realizua. Ndaj në shkurt të vitit 2017, teksa fushatë e zgjedhjeve qendrore do të çelej,  banorët u mblodhën në kuvendin e fshatit dhe morën një vendim, bojkotin e zgjedhjet parlamentare .

Todi Buzo, një prej njerëzve më aktiv të Grabovës thotë se banorët ruajnë traditat e besëlidhjes.  “Nuk qe e vështirë që fshati të vendoste në një mendje, pasi  çdo mëngjes, të vjetrit e fshatit mblidhen në shesh dhe kuvendojnë për problemet që ka fshati. Askush nuk shkoi në kutinë e votimit edhe pse provokimet sipas banorëve ishin të shumta.

Banorët e fshatit duke sjell qumësht tek baxho e djathit. Foto: Edmond Prifti

Pas bojkotit të zgjedhjeve të 25 qershorit 2017,  banorët i shkruajtën një letër edhe ambasadorit Amerikan për ta vënë në dijeni në lidhje me vendimin e këtij komuniteti që kërkonte shpresë,por nuk morën përgjigje. Pavarësisht mesazhit të tyre dërguar politikës shqiptare, deri më tani nuk është bërë asgjë dhe banorët po bëhen gati që të përshkallëzojnë format e tyre të protestave. Një ide që tashmë po e konsultojnë është kërkesa për të shpallur autonominë nga Shqipëria. Gjithsesi kanë shpresën që një vit do të mjaftojë për pushtetin vendor që investimet më të nevojshme të realizohen edhe në Grabovë.

Perëndimi i diellit nga çatitë e fshatit Grabovë. Foto: Edmond Prifti

Todi thotë se për banorët e Grabovës e vetmja arsye e kësaj braktisjeje totale  është diskriminimi etnokulturor dhe harresa nga pushteti vendor pasi ata konsiderohen dhe janë njohur si një pakicë arumune. “Gjysma e familjeve janë larguar pas vitit 2010 sepse panë që për Grabovën nuk kishte asnjë shpresë për ndërhyrje. Të vetmet investime që janë bërë është një qendër shëndetësore dhe meremetimi i shkollës në vitin 1999 kur partia e Leonard Solis ishte në koalicion. E gjithë kjo indiferencë sigurisht që i ka rrënjët tek diskriminimi si etni”, tregon ai.

Edhe kryeplaku i fshatit pasi u mundua për vite me radhë të çonte zërin në bashki për të bërë diçka, ka dhënë dorëheqjen.

Zeni Kajo i ka zbuluar herët vlerat e Grabovës. Nga Skrapari vendosi të investojë në këtë zonë 10 vjet më parë, por tashmë ndjehet totalisht i zhgënjyer. “Duke u nisur nga resurset që ka, e them që është e rrallë dhe nuk mund të krahasohet as me Voskopojën, as me Valbonën. 2400 metra mbi nivelin e detit ku klima të shëron dhe uji të ripërtërin. Mjafton të dërgosh me provë një të sëmurë me diabet që merr tre insulina, mjafton të shkojë atje 10 ditë heq dorë nga dy insulina.

Pranvera në fshatin Grabovë. Foto: Edmond Prifti

Por me këtë heshtje dhe mungesë vëmendjeje nuk ka se si mos zhgënjehesh nga indiferenca e shtetit. Nëse Grabova do ketë 7 kilometra të ndërtuara nga Lënia e lart, të gjithë dotë vinin këtu. Rruga është kryesorja dhe nëse bëhet do të ketë mijëra turistë të huaj. Grabova është ngjitur me majën e lartë të Valemarës. Për fat të keq sot e 30 vjet bashkia apo komuna nuk kanë bërë asgjë. Shpresojmë që këmbanën tonë ta dëgjojë qeveria”, rrëfen për Portën Vendore Zeni Kajo.

Zeni Kajo banor i fshatit Grabovë në zonën e Gramshit . Foto: Edmond Prifti

Koço Buzo është nga Grabova e Sipërme. Ai është larguar me familjen në Elbasan, por kthehet vazhdimisht dhe ka dëshirë të rikthehet në vendlindje.  “Ne duam të jetojmë atje ku kemi lindur por mungesa e investimeve ka bërë që të largohemi. Sigurisht që një ditë do të kthehemi nëse do kthehet vëmendja ndaj këtij qytetërimi të vjetër, të cilin pak njerëz e njohin”, tregon me nostalgji Buzo.

Todi Buzo banor i larguar nga fshati Grabovë në zonën e Gramshit . Foto: Edmond Prifti

Në demokraci u hapën kufijtë dhe banorët e Grabovës emigruan, por vetëm kaq. Nga shteti nuk kanë pasur asnjë lloj ndërhyrje.

“Kur kemi qenë ne të vegjël vetë fshati ndërtoi shkollën dykatëshe. Në kohën e komunizmit e prishën atë dhe e ndërtuan njëkatëshe. Tashmë ka përfunduar në një stallë që nuk mund të bëhet mësim”, shpjegon Todi Buzo, pronari i hotelit të vetëm të këtë zonë.

Banorët kanë bërë shumë përpjekje për të shpëtuar pasurinë e përbashkët. Ata kanë mbrojtur pyjet ku shumë përreth janë dëmtuar, kanë ndërhyrë për urat dhe me ndihmën e OSBE kanë restauruar urën e vjetër me hark e me zile, e vetmja e mbetur në këmbë, por rrugën nuk e ndërtojnë dot vetë.

Rruga që të çon drejt fshatit Grabovë. Foto: Edmond Prifti

Bashkia premton ndërhyrje

E kontaktuar nga Porta Vendore, Bashkia Gramsh konfirmon se këtë vit është menduar një investim prej 10 milion lekësh për shkollën e Grabovës, ndërkohë që pritet një urë beli për hyrjen në Grabovë nga ana e ministrisë së Brendshme. Sa për rrugën,Kryetarja e Bashkisë Luljeta Dollani deklaroi se kërkohet një investim shumë i madh, i papërballueshëm nga ana e pushtetit vendor. Ajo konfirmoi se ka një projekt dhe janë kërkuar fonde,  por pa dhënë një afat nëse do ketë një investim në rrugën që lidh Lënien me Grabovën. Është i freskët bojkoti i banorëve të Grabovës në zgjedhjet e përgjithshme, dhe nëse do të ndodhë sërish në zgjedhjet vendore kjo mbetet në dorën e pushtetarëve dhe në mbajtjen e premtimeve të tyre për banorët e kësaj zone.

Rreth autorit: 
Bardha Nergjoni eshte gazetare ne Elbasan.