Ndodhi

Banorët e Shijaku dhe Durrësit, përmbyten nga lumi Erzen në prag të verës

18 maj 2018/ Geri Emiri/ Durrës

Banorët e lagjes “Erzen” në qytetin e Shijakut, dhe të tre njësive administrative në Ishëm, Katund të ri, e Sukth të qytetit të Durrësit janë përmbytur përsëri nga prurjet e lumit Erzen. Reshjet e rëna dy ditë ma parë, rikthyen ujin në katet e para të banesave në zonën e Shijakut dhe Durrësit, përgjatë rrjedhës së lumit. Në rreth 6 muaj, nga Dhjetori dhe deri në Maj, është hera e tretë që këto zona përmbytet, ku uji shkoi në mbi 1 metër lartësi. Dëmet materiale kanë përfshirë banesa dhe biznese.

“Kur nisën reshjet e shiut, po rrija gjithë natën duke e ruajtur lumin se kisha frikë mos dilte nga shtrati. Në orën 4 të mëngjesit rashë për të fjetur dhe kur u zgjova në orën 6, pashë se kati i parë ishte përmbytur”, tha për Portën Vendore, Ashim Smoqi, banor i lagjes “Erzen”.

Djali i tij ka një biznes për lyerjen e automjeteve, që nga përmbytjet e shpeshta sipas tij ka pësuar një dëm rreth 3 milion lekë dhe është detyruar të marr kredi bankare për të përballuar situatën.

Në servisin e makinave të familjes Smoqi. Foto: Geri Emiri

“Këtë herë nuk kemi qenë të informuar , pasi në përgjithësi njoftohemi për kushtet e këqija atmosferike dhe na ka ardhur njoftimi nga banorët në orën 6 të mëngjesit, se po mbyteshin. Në orën 8 kemi ndërhyrë për të evakuuar banorët”, u shpreh për Portën Vendore, nënkryetarja e bashkisë Shijak, Shpresa Domi.

Nënkryetarja e bashkisë Shijak, Shpresa Domi. Foto: Geri Emiri

Nënkryetarja e bashkisë Shijak, Shpresa Domi, bëri me dije për Portën Vendore se në fshatin Hardhishtë,  janë mbytur 108 krerë bagëti, që gjendeshin në të njëjtën stallë.

“Uji më përmbyti tokën dhe po të kishte vazhduar me të njëjtin intensitet, do të më kishte përmbytur katin e parë të shtëpisë”, tha për Portën Vendore, Myzejen Çizmi, banore e zonës së Sukthit.

Lartësia e ujit të lumit Erzen, mbi 1 metër. Foto: Geri Emiri

Kjo zonë është pjesë e bashkisë Durrës, ku paraditen e sotme para institucionit protestuan banorë të fshatrave të tri njësive administrative të Durrësit, Ishmit, Katundit të Ri dhe Sukthit. Banorët thanë se uji u ka hyrë nëpër shtëpi dhe ka përmbytur tokën bujqësore.

Lumi Erzen në zonën e Shijakut. Foto: Geri Emiri

Burime zyrtare nga bashkia Durrës thanë për Portën Vendore, se më pas banorët kanë zhvilluar një takim në ambientet e bashkisë, me kryetarin Vangjush Dako, i cili u ka premtuar ndërhyrje konkrete për mos përsëritjen e situatës.

Kreu i Shërbimi Zjarrëfikës Durrës, Adriatik Velaj, u shpreh për Portën Vendore se nuk është kërkuar ndërhyrja e shërbimit zjarrëfikës për situatën e përmbytjeve në bashkinë Durrës.

Ndërhyrja e shërbimit zjarrëfikës në zonat e përmbytura. Foto:Geri Emiri

Megjithatë, banorët e Shijakut dhe Sukthit theksojnë se nuk kanë marrë dëmshpërblime për përmbytjet që kanë pësuar radhazi dhe se nuk ka asnjë ndërhyrje në terren për thellimin apo pastrimin e shtratit të lumit Erzen.

Nënkryetarja e bashkisë Shijak na bëri me dije se dëmshpërblimet për përmbytjet e muajit dhjetor 2017, shkojnë në 2 milion lekë dhe se nuk janë dhënë ende. Ky vlerësim sipas saj është vetëm për banesat, pasi që të bëhet vlerësimi i dëmeve tek bizneset, ashtu si edhe në përmbytjen e ditës së martë, duhet shpallur nga qeveria Gjendja e Emergjencës.

Dëmet materiale të familjeve, banesat e të cilave janë pranë lumit Erzen.Foto: Geri Emiri

Ndërsa projekti për rehabilitimin e shtratit të lumit Erzen, sipas saj është bërë dhe ka një vlerë prej 250 milion lekësh, që bashkia nuk mund ta përballojë nga buxheti i saj.

Banorët, Emergjencat Civile dhe Bashkia Shijak, bashkohen të gjithë në një pikë, ata shprehen se intensiteti i reshjeve nuk ka qenë aq i lartë sa të sillte këto prurje që shkaktuan përmbytjen. Nën zë banorët pohojnë se edhe prania e rezervuarëve të peshkut dhe hapja e portave të tyre, mund të jenë shkak për këtë situatë.

Banorët duke pastruar baltën pas përmbytjes së dy ditëve më parë. Foto: Geri Emiri

E teksa kjo gjendje ripërsëritet, banorëve të lagjes “Erzen” nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se të shpëlajnë me ujë të rrjedhshëm mobiljet dhe pajisjet që ja përmbyti lumi dhe të bëjnë roje gjithë natën, sa herë që bie shi për disa orë radhazi.

Rreth autorit
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.