Vëzhgim/Analizë

PAK, udhëtim “me pengesa” përmes Shqipërisë

Dt 11 maj/Porta Vendore/ 61 bashki

Aksesueshmëria e personave me aftësi të kufizuara mbetet një sfidë e madhe për Shqipërinë në realitet, edhe pse sipas legjislacionit të miratuar ka njohur progres. Veç përpjekjeve të Bashkisë së Tiranës, pothuajse 60 bashkitë e tjera të vendit kanë ecur me hapa të ngadaltë për të siguruar të drejta të barabarta në sigurimin e aksesueshmërisë dhe përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.

Gazetarët e Portës Vendore, duke u bazuar në VKM nr. 1074, datë 23.12.2015, që cili përcakton masat për zbatimin e rregullave për të mënjanuar pengesat mjedisore dhe infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara http://www.qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2015/12/243.pdf dhe në Planin e Veprimit për PAK 2016-2020, kanë bërë një vëzhgim të gjendjes aktuale në Shqipëri që nga Vermoshi e deri në Konispol. Nga ky vëzhgim rezulton se personat me aftësi të kufizuar kanë shumë pak ose aspak akses në shërbimet publike dhe private, ndonëse sipas VKM-së, bashkitë dhe strukturat e tyre të kontrollit, kanë detyrim për garantimin e një mjedis pa pengesa për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara. Madje, ky vendim detyron qartë që çdo subjekt, mes tyre edhe pushteti vendor, duhet të miratojë një plan masash brenda 6 gjashtë muajve nga hyrja e tij në fuqi dhe të ndërmarrë hapa konkrete brenda 12 muajve nga momenti i miratimit të planit. Por si paraqitet sot situata në 61 bashkitë e vendit.

Qarku Shkodër
Duke filluar që nga Bashkia më në veri e vendit, ajo e Malësisë së Madhe, sipas informacioneve të marra, rezulton se situata është e nderë. Bashkia ka vendosur disa rampa dhe vende të rezervuara të makinave për PAK, por nuk ofron asnjë shërbim tjetër. Lëvizja në trotuare është e pamundur për të verbrit, ndërkohë që nuk është krijuar njësia për vlerësimin e nevojave dhe referimin për personat me aftësi të kufizuara.
Edhe Bashkia Shkodër paraqitet ndoshta dhe më keq, pasi mungojnë rampat në disa institucione publike. Po kështu edhe në shërbimin e transportit publik mungojnë rampat, ndërkohë që sa i përket kategorisë së personave që nuk dëgjojnë dhe që nuk shikojnë, nuk ofrohet asnjë shërbim. Situata është edhe më e rëndë në tre bashkitë e tjera të këtij qarku, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë Arrëz, ku zyrtarisht deklarohet se kanë njohuri për VKM-në për PAK, por nuk kanë fonde për të zbatuar detyrat sipas këtij akti.

Qarku Lezhë
Në Bashkinë e Lezhës që në vitin 2015 është përgatitur një plan lokal për përfshirjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Numri i personave me aftësi të kufizuara në Bashkinë e Lezhës, përfitues nga të dyja skemat ekzistuese të përfitimeve në vend, është 989 dhe ato përbëjnë 3,3% të popullsisë së kësaj bashkie. Por veç programit të miratuar, duket se Bashkia Lezhë ka ecur ngadalë me hapat konkretë për zbatimin e tij, pasi veç disa rampave të vendosura në trotuare ka mungesë të theksuar të lehtësive për këtë kategori. Ndërsa Bashkia Kurbin nuk ka akses për PAK as vetë në institucionet e saj, por ka vetëm ndonjë rampë në trotuare. Po ashtu,e njëjta situatë është edhe në Bashkinë e Mirditës, megjithëse të dyja këto bashki janë në dijeni të detyrimeve ligjore për aksesueshmërinë e PAK.

Qarku Kukës
Tri bashkitë e Qarkut Kukës, kanë dhjetëra persona me aftësi të kufizuar që hasin vështirësi të mëdha në aksesin e tyre. Bashkia e Kukësit mësohet se ka vendosur disa rampa, por mungojnë lehtësitë për personat që nuk shikojnë dhe ata që nuk dëgjojnë, ndërkohë që pushteti vendor thotë se është njohur me VKM-në për PAK. Situata është pothuajse e njëjtë, ose edhe më e keqe në Bashkinë e Hasit dhe në Bashkinë e Tropojës, megjithëse në disa zona janë përpjekur të vendosin ndonjë rampë, siç janë trotuaret tek investimet e reja, të kryera pas vitit 2015-të. Po ashtu edhe në shkolla, është e njëjta situatë. Të tria bashkitë thonë se kanë në program detyrimet për PAK dhe që kanë filluar t’i zbatojnë në lejet e ndërtimit që japin, ndërkohë që me rikonstruksionin e godinave do të shikohet edhe mundësia për aksesueshmërimë të lartë për personat me aftësi të kufizuara. Gjithsesi, zyrtarët e pushtetit vendor argumentojnë se buxheti i mbledhur prej tyre është shumë i vogël dhe sytë i mbajnë nga pushteti qendror.

Qarku Dibër
Në të gjithë Qarkun e Dibrës, infrastruktura e përshtatur për njerëzit me aftësi të kufizuar lë për të dëshiruar. Së paku kjo në mjediset publike dhe godinat e institucioneve vendore. Asnjëra nga godinat e bashkive të këtij qarku nuk ofrojnë mundësi aksesimi fizik nga personat me aftësi të kufizuar, pasi nuk janë përshtatur për këtë kategori. Jo vetëm që mungon infrastruktura për personat që nuk shikojnë apo dëgjojnë, por edhe për invalidët. Në një vëzhgim të bërë nga “Porta Vendore” rezulton se asnjëra nga godinat e Bashkive Dibër, Bulqizë, Klos dhe Mat, nuk kanë përshtatje për personat invalidë që lëvizin me karrocë. VKM është e njohur për zyrtarët vendorë, por ende nuk ka gjetur zbatim apo ka një zbatim të pjesshëm. Duke qenë se godinat e bashkive në Qarkun e Dibrës janë bërë dekada më parë, përshtatshmëria për personat me aftësi të kufizuar, mungon dhe kërkon fonde për rikonstruksion. Gjithsesi, bashkitë thonë se fokusi primar është që të krijojnë akses për këta qytetarë në ambientet publike dhe shkolla.

Qarku Tiranë
Kryeqyteti mund të thuhet se paraqitet më mirë se gjithë qytetet e tjera, të paktën sa i përket rampave, megjithëse kjo nuk mund të thuhet për kategoritë e tjera të PAK. Jonidi ka humbur krejtësisht shikimin kur ishte vetëm 3 muajsh. Ka mbaruar studimet bachelor për shkenca politika dhe aktualisht është në vitin e dytë në master shkencor pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, por nuk ndihet i pavarur. “Që në momentin që më duhet të marr me vete një shoqërues nuk jam më i pavarur. Nuk ka as semaforë, as rrugë të veçanta, madje edhe në autobus duhet të pyes faturinon se në cilin stacion jam, ndërsa në të gjithë botën stacionet lajmërohen edhe me të shkruar edhe me zë. Këtu edhe kur nisen të bëhen gjërat, vetëm idenë kanë të ngjashme me atë se si duhet të jetë. P.sh. tek Unaza e vogël, te 9-katëshet është bërë një segment rruge për personat që nuk shikojnë, por ajo nuk ka as parametrin më të vogël të sigurisë”, thotë ai.
Ndonëse autoritetet e pushtetit lokal shprehen se e njohin ligjin për aftësinë e kufizuar, kjo kategori personash vazhdon të ketë mungesa të theksuara për të aksesuar shërbimet apo informacionin e nevojshëm, ndërsa shifrat për punësimin e tyre janë shumë larg standardit të vendosur me ligj: 1 për 25 të punësuar. Bashkia Tiranë ka zhvilluar edhe projektin “Një qytet pa barriera“, në bazë të tëselecilit u vendosën 390 rampa dhe u krijuan 35 vende parkimi për personat me aftësi të kufizuara, u bë njohja zyrtare e gjuhës së shenjave e specifika të tjera.
Kurse në Bashkinë Vorë ndodhet vetëm një rampë nga hyrja e parkimit për në bashki, ndërkohë që personat PAK shoqërohen nga punonjësit për në sektorin përkatës. Bashkia Vorë thotë se trotuaret dhe sheshet janë të pajisura me rampë, por nuk ka asnjë lloj sinjalistikë për personat që nuk shikojnë e as interpret për ata që nuk dëgjojnë dhe flasin. Kjo bashki sqaron se “sigurisht që ka nevojë për më shumë sinjalistikë ndihmëse për PAK. Në një rikonstruksion të afërt të godinës do të merren masa për sinjalistikën ndihmëse për këto persona me nevoja speciale”. Në Bashkinë Vorë nuk ka asnjë person të punësuar me aftësi të kufizuar.
Në bashkinë e Kavajës duket se personat me aftësi të kufizuar janë më të “syrgjynosur”. Sipas kësaj bashkie në këtë qytet “vetëm pallati i kulturës ofron infrastrukturë të nevojshme për personat me aftësi të kufizuar, ndërsa vetë bashkia jo”. Sa i përket numrit të punësuar edhe në këtë bashki nuk rezulton asnjë person i punësuar që bën pjesë në kategorinë PAK.
Bashkia e Kamzës po ashtu ka vetëm një rampë për t’u futur në këtë institucion, por në përgjigjen e saj kjo bashki shpjegon “se kushtet e brendshme të godinës së bashkisë nuk janë të favorshme për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara”. Ndërsa sa i përket alfabetit braille për të verbrit, shenjave orientuese për ta, apo interpretit për personat që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë ata nuk ekzistojnë as në këtë bashki. Bashkia e Kamzës megjithëse ka në personel 390 të punësuar, nuk ka ne stafin e saj asnjë person të punësuar me aftësi të kufizuar.
Bashkia Rrogozhinë duket se është ndër të paktat bashki që e ka marrë me seriozisht zbatimin e ligjit për punësimin e personave me aftësi të kufizuar. Aktualisht në këtë bashki janë 4 persona PAK të punësuar, një shifër kjo që sigurisht mbetet shumë modeste. Sa i përket infrastrukturës sipas kësaj bashkie ndonëse në sheshe apo në plazh ka rampa, në institucionin e bashkisë nuk ka infrastrukturë ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara. “Kjo sepse godina e bashkisë nuk lejon ndërhyrje duke e bërë të pamundur të krijojmë akses për personat me aftësi të kufizuara. Nëse në të ardhmen do të kemi mundësinë të ndryshojmë godinën, atëherë sigurisht që do të merren në konsideratë edhe parametrat që duhet të plotësojë edhe për PAK”, – thanë përfaqësuesit e kësaj bashkie.

Qarku Durrës
Qarku Durrës përbëhet nga 3 bashki, konkretisht Durrësi, Kruja dhe Shijaku. Sa i përket Durrësit mësohet se në shumicën e rrugëve janë vendosur rampat dhe një pjesë e rrugëve janë ‘në kuotën 0’, pra që nuk kanë nevojë për rampë. Në një prej rrugëve të ndërtuar kohët e fundit është vendosur edhe ‘shiriti i verdhë’, për personat që nuk shikojnë. Bashkia thotë se shërbim u është ofruar të gjithë personave me aftësi të kufizuar, megjithëse nuk ka asnjë të punësuar nga PAK. Bashkia Durrës thotë se në projektet që bashkia po zbaton dhe ka planifikuar, përfshihen rampat. Po ashtu do të vendoset edhe ‘shiriti i verdhë. Institucioni i Bashkisë, aktualisht nuk ofron akses për PAK, por në projektin e rikonstruksionit është parashikuar vendosja e një ashensori të përshtatshëm për PAK.
Kurse Bashkia Krujë thotë se ka nisur zbatimin e VKM-së, ku fillimisht janë informuar drejtoritë përkatëse për zbatimin e saj. Bashkia nuk ka një rampë të mirëfilltë, por është lehtësisht e aksesueshme nga personat me aftësi të kufizuara. Drejtoria e Arsimit, Sportit dhe Kulturës dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve janë të pajisura me rampa, ndërsa institucionet e tjera nën varësinë e bashkisë, një pjesë janë në kat të parë. Rrugët e qendrës së qytetit janë të pajisura me rampë, por nuk kanë shirit të verdhë për personat e verbër. Ndërsa Bashkia Shijak nuk ka filluar zbatimit e VKM-së dhe nuk ka denjuar të japë përgjigje zyrtare lidhur me këtë çështje.

Qarku Elbasan
Nga një verifikim vizual të gjitha bashkitë e qarkut të Elbasanit kanë krijuar akses vetëm në katin e parë të ndërtesave duke ndërtuar rampa, ndërkohë që në asnjërën prej tyre nuk ka shirit për të ecur të verbrit dhe as interpret për personat që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin.
Të kontaktuar përfaqësues të 6 bashkive të këtij qarku, Belsh, Peqin, Cërrik, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas thanë se nuk është parashikuar deri tani asnjë afat për zbatimin e VKM-së. Aktualisht të gjitha projektet në infrastrukturë dhe ndërtesat e reja në marrjen e lejes e kanë të parashikuar ndërtimin e rampave. Ndërkohë i kontaktuar përgjegjësi i mbrojtjes sociale në bashkinë Elbasan, Shefki Lika tha se rampat për aksesin në institucionet publike janë ndërtuar dhe po kështu po monitorohen investimet në rrugë që të kenë mundësinë e aksesit të personave me aftësi të kufizuar.

Qarku Korçë
Nga 6 bashki të qarkut juglindor vetëm 3 prej tyre janë të pajisura pjesërisht me rampa duke ofruar kështu akses për personat para dhe tetraplegjikë. Bashkia e Korçës, Pogradecit dhe Ersekës kanë përmbushur një pjesë të detyrimit të tyre ligjor duke mundësuar lëvizjen edhe për këtë kategori personash, por jashtë këtij detyrimi mbeten Bashkia e Maliqit, Devollit dhe Pustecit. Këto të fundit mungesën e rampave e fshehin pas rikonstruksioneve, zhvendosjeve apo edhe buxhetit të limituar. Bashkia e Korçës prej vitesh ka realizuar këtë domosdoshmëri për personat e kushtëzuar fizikisht ndërsa të gjitha investimet e kryera përgjatë viteve të fundit sidomos në trotuare kanë marrë parasysh edhe këtë kriter.
Edhe për të hyrë në Bashkinë e Pogradecit mund të përdoret rampa, por qyteti liqenor shumë pak ka investuar sa i takon krijimit të lehtësive infrastrukturore në rrugë dhe trotuare. Në Kolonjë gjithashtu vihet re e njëjta situatë.
Bashkia e Maliqit aktualisht është në rikonstruksion dhe më herët para se të mund të hyje në këtë institucion duhet të ngjisje disa shkallë. I kontaktuar lidhur me këtë gjë kryetari i Bashkisë, Gëzim Topçiu, tha se projekti i rikonstruksionit të bashkisë e ka parashikuar edhe vendosjen e rampës për personat me aftësi të kufizuara.
Bashkia e Devollit pritet që brenda këtij viti të transferohet tek ndërtesa e ish-nënprefekturës por deri sa kjo gjë të realizohet një person invalid nuk mund të hyjë në ndërtesën ku ndodhet bashkia aktuale pasi deri atje duhet të ngjitësh minimalisht 20 shkallë.
Sa i përket detyrimeve të tjera, asnjë prej bashkive, ende nuk ka realizuar ndonjë prej tyre.

Qarku Berat
Në 5 bashkitë e qarkut Berat, ligji është zbatuar pak.
Bashkia Ura-Vajgurore, Poliçan, Kuçovë dhe Çorovodë, moszbatimin e këtij ligji e lidhin me mungesën e fondeve, pasi në ndërtimin e objekteve të reja të institucioneve në varësi të bashkisë, apo në vetë godinat e këtyre institucioneve, nuk parashikohen të gjitha masat e përshtatshmërisë.
Bashkia e Beratit dy vite më parë u vendos në një godinë të re, në të cilën u parashikua dhe ndërtimi i rampave. Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, bëri me dije për “Porta Vendore” se “jo vetëm në godinën e re të bashkisë, por dhe në të gjitha godinat e reja që janë duke u ndërtuar apo do të ndërtohen në të ardhmen do të parashikohet vendosja e rampave, ndërsa për shirita dhe interpret, varet mundësia që institucioni do të ketë”.“Momentalisht në institucionin e Bashkisë Kuçovë, në nënprefekturë dhe në gjimnazin ‘5 Tetori’ është ndërtuar rampa”, bëri me dije për “Porta Vendore” Elsa Hajdëri, nga zyra e informacionit në bashki. Bashkia e Poliçanit ka të ndërtuar rampa vetëm në një godinë në varësi të saj, atë të institucionit të Qendrës së Fëmijëve. Por bashkia ka në plan që të vendosi rampa edhe në godinën e re që do të rikontruktohet së shpejti. Nga ana tjetër Bashkia Ura Vajgurore në të gjitha investimet e kryera nga viti 2015 e në vazhdim në arsim, shëndetësi dhe objekte publike ka realizuar ndërtimin e rampave. Në Bashkisë e Çorovodës, nuk është parë të vendoset asnjë rampa qoftë në godinat ekzistuese, por dhe ato që po rikonstruktohen së fundmi. Ndërsa Bashkia Skrapar u justifikua me faktin se objektet në varësinë e saj janë të para viteve 90’ por edhe për objektet në ndërtim nuk është se janë marrë masa për aksesueshmërinë e personave me aftësi te kufizuar.

Qarku Fier
Ndonëse në thuajse të gjitha bashkitë e Qarkut Fier ka shembuj të paktë të zbatimit të pjesshëm të Vendimit nr. 1074, datë 23.12.2015, infrastruktura e krijuar për t’u dhënë akses personave me aftësi ndryshe është ende e brishtë dhe e pamjaftueshme.
Kështu, në godinën e Bashkisë Fier, rampa është mundësuar vetëm në “zyrën me një ndalesë”, ndërsa në hyrjen kryesore të bashkisë nuk ndodhet një e tillë. Ndërkohë, mungon infrastruktura orientuese apo ndihmëse për kategori të tjera të personave me aftësi të kufizuara. Infrastruktura e pjesshme është edhe në disa institucione dhe trotuare, por ka mungesa të theksuara. Bashkia Fier tha për Portën Vendore se; nga ana e bashkisë është bërë e mundur vendosja e rampave për PAK në disa institucione publike si: spital, zyra me një ndalesë në bashki, teatri, azile, gjykatë, në disa shkolla, qendra shëndetësore, etj. “Aktualisht, për të gjithë ndërtimet e reja, në bazë të ligjit të ri të urbanistikës nëse nuk plotësohet aksesi për PAK, nuk jepet leja e ndërtimit. E njëjta gjë funksionon edhe për të gjitha rikonstruksionet”, theksojnë burimet e Bashkisë Fier.
Në Bashkinë Patos paraqitet e njëjta situatë, ku rampat gjenden vetëm në disa institucione, por edhe aty ku gjendet kjo infrastrukturë ndihmëse, mungojnë të tjerat, duke mos iu mundësuar të gjitha kategorive të personave me aftësi të kufizuara që të kenë akses. Në pjesën më të madhe të shkollave dhe të institucioneve në administrim të Bashkisë Patos nuk gjenden rampat apo infrastruktura ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara. Ajo që bie në sy, është fakti se edhe në një prej investimeve më të reja që është ende në ndërtim e sipër në qendër të qytetit, në trotuare të sapondërtuara, nuk ekzistojnë rampat apo infrastruktura ndihmëse për personat me aftësi ndryshe. Sipas drejtorit të Drejtorisë së Hartimit të Projekteve pranë Bashkisë Patos, Andon Kristo, “Bashkia Patos është duke evidentuar gjithë problematikat dhe mungesat për këtë shtresë personash në gjithë infrastrukturën urbane”.
Edhe në Bashkinë Mallakastër, Vendimi 1074, datë 23.12.2015 rezulton të mos jetë zbatuar në thuajse pjesën më të madhe të infrastrukturës urbane dhe të infrastrukturës së institucioneve në varësi të bashkisë. Në institucionet arsimore nuk rezulton të ketë infrastrukturë ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara. Edhe në infrastrukturën urbane nuk ekzistojnë pjesët ndihmëse për këto persona. Ndërkohë, është parashikuar të ndërtohet një rampë në godinën e Bashkisë Mallakastër që është duke u rikonstruktuar. Gjithashtu është duke u investuar në lagjen 29 nëntori e Bylis, ku është parashikuar që në trotuare të zbatohet vendimi në fjalë. Në shkolla nuk ekziston, por do të parashikohet në projektet e reja.
Po ashtu, në Bashkinë Lushnjë, në infrastrukturën urbane, në godinën e bashkisë dhe në godinat e institucioneve në varësi, prania e infrastrukturës ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara është sporadike ose thuajse inekzistente.
Mungesa e infrastrukturës mbështetëse dhe ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara në infrastrukturën urbane dhe godinat e ambiente që administrohen nga Bashkia Roskovec është e dukshme. Edhe në ato raste kur ekziston, kjo infrastrukturë ndihmëse përfaqësohet vetëm nga rampat që aksesojnë kalimin deri në katin e parë dhe jo në katet e mësipërme.
Ndërsa në territorin e Bashkisë Divjakë, në infrastrukturën urbane dhe në shkolla, kryesisht mungon infrastruktura ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.

Qarku Gjirokastër
Mungesa e aksesit për PAK është e pranishme edhe në shtatë bashkitë e Qarkut të Gjirokastrës. Disa bashki në Qarkun e Gjirokastrës planifikuan gjatë viteve 2016 dhe 2017 në buxhetin e tyre investime për përshtatshmërinë e komunikimit dhe infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar, ndërsa disa të tjera e përfshin krijimin e kushteve për invalidët në projektet e pedonaleve të qyteteve, në zbatim e sipër. Në Bashkitë Gjirokastër, Libohovë dhe Dropull financimet kanë qenë të drejtpërdrejta për ndërtimin e rampave ndërsa në bashkitë Përmet, Memaliaj, Këlcyrë dhe Tepelenë investimet për sheshet e qyteteve dhe rrugët kryesore parashikojnë në vendkalimet e këmbësorëve edhe ndërtimin e rampave për personat me aftësi të kufizuar. “Bashkia Gjirokastër parashikoi një investim që kap vlerën e 1.5 milionë lekëve të rinj për ndërtimin e 80 rampave kryesisht në infrastrukturën rrugore në qytet”, thotë nënkryetari i saj Vangjel Muço. Po në këtë bashki në planin e të ardhurave janë parashikuar lehtësi fiskale për familjet e PAK. Ne Tepelenë, Bashkia nuk ka financuar drejtpërdrejt në krijimin e rampave nga buxheti i saj, por ka shfrytëzuar projektet e investimeve në sheshin e qytetit dhe rrugën dytësore për ndërtimin e tyre.

Qarku Vlorë
Qarku i Vlorës ka 7 bashki në juridiksion, ndërkohë që situata është pothuajse e njëjtë në secilën prej tyre.
Nga një vëzhgim në terren nga gazetarët lokalë rezulton se Bashkia Vlorë dhe institucionet e saj të varësisë si Teatri, Muzeu, Pallati i Kulturës, Galeria e Arteve, Policia Bashkiake nuk përmbushin asnjë nga detyrimet e VKM-së. Gjithashtu edhe infrastruktura e rrugëve dhe trotuareve në qytet nuk ofron asnjë akses për t’u përdorur nga personat me aftësi të kufizuara. Me përjashtim të trotuarit që nis nga zona e quajtur xhamia dhe përfundon në skelë, i cili ka një korsi të ngushtë që i dedikohet personave me aftësi të kufizuara në shikim. Problematike vijon të paraqitet situata e rampave edhe në shumicën e shkollave në territorin e Bashkisë së Vlorës. Po ashtu, edhe në Bashkinë e Selenicës, Himarës, Delvinës, Sarandës, Finiqit dhe Konispolit, VKM nuk është vënë deri më sot në zbatim dhe situata paraqitet tejet e vështirë për personat me aftësi të kufizuara.

Akses fiktiv
Sipas kryetarit të këshillit të shoqatave për aftësinë e kufizuar Ndrek Ismaili, edhe në institucionet vendore që rampat ekzistojnë ato kanë vetëm akses horizontal, pra të çojnë deri tek recepsioni, por jo në zyrën e shërbimeve sociale, në zyrën e kryetarit, ose në sallën e këshillit bashkiak. E njëjta gjë për të, është edhe me rrugët.
“Por edhe rrugët që kanë rampa, shumica janë jashtë standardeve për ne, janë aty për bukuri. Shpesh në qytetet kryesore që kanë një gjysmë aksesi, rampat nuk lidhen me trotuaret, ndërsa ky i fundit nuk duhet të jetë më i lartë se 2 cm . Në rrugën tona ka raste që lartësia e trotuarit shkon deri në 10 cm çka do të thotë pamundësi për ne, që të hipim karrocën vetë në një trotuar të tillë”, thotë për Portën Vendore, Ismaili. Edhe raporti i vitit 2015, nga aktivistja Suela Lala për kryeqytetit, vinte në pah një sërë problemesh jo vetëm në infrastrukturën rrugorë, por edhe në transportit urban, në parkimet e pakta vënë në dispozicion për këtë target-grup si dhe në të monitorimin e paktë nga policia bashkiake për ato persona të paautorizuar, që zënë hapësirat e parkimeve të rezervuara.

Raporti i BE
Por, veç vëzhgimeve të gazetarëve në terren dhe përgjigjeve të marra nga bashkitë, nuk kanë munguar edhe raportet për aksesin e PAK. Raporti i fundit sapo është publikuar nga një projekt i BE-së “Bashkitë për në Europë”. Sipas këtij raporti, në nivel kombëtar vetëm rreth 16% e bashkive kanë krijuar njësinë për vlerësimin e nevojave dhe referimin në bashki, e parashikuar në Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2016-2020; rreth 75% e bashkive nuk e kanë krijuar ende, ndërsa në rreth 9% të tyre nuk ka të dhëna.
Nga plani kombëtar i veprimit për personat me aftësi të kufizuar 2016-2020 parashikohet gjithashtu hartimi nga bashkia i planeve vendore të veprimit për personat me aftësi të kufizuara, në mbështetje të planit kombëtar. Rreth 23% e bashkive të vendit kanë hartuar një plan vendor veprimi në këtë fushë dhe 2% e tyre janë në hartim e sipër të tij. Pjesa më e madhe e bashkive, rreth 66%, nuk kanë ende këtë plan. Në rreth 9% e bashkive të vendit nuk ka të dhëna.
Bashkitë e vendit kryesisht raportojnë rregullisht pranë autoriteteve qendrore për të dhëna mbi personat me aftësi të kufizuar në territorin e tyre, çdo muaj, çdo 2 muaj dhe çdo tre mujor. Rreth 20% e bashkive nuk raportojnë të dhëna të kësaj fushe, ndërsa në rreth 15% e tyre nuk ka të dhëna.
Në rreth 11% e bashkive të vendit infrastruktura për personat me aftësi të kufizuara është e pranishme vetëm në shkollat e qytetit – njësisë administrative qendër të tyre. Ky grup është pjesë e rreth 52% të bashkive të vendit ku kjo infrastrukturë është e pranishme vetëm në një pjesë të shkollave në territorin e tyre. Në rreth 21% të bashkive infrastruktura mungon në të gjitha shkollat dhe në asnjë bashki nuk është duke ndërmarrë investime për pajisen e tyre. Në rreth 26% e bashkive nuk ka të dhëna.

Raporti i FSHDPAK
Ndërsa duke iu referuar dy dokumenteve kryesore, Planit të Veprimit të Personave me Aftësi të Kufizuara 2016-2020, miratuar me VKM nr. 483, datë 29.6.2016 dhe Raportit fillestar të Shtetit Shqiptar për Konventën e të Drejtat të Personave me Aftësi të Kufizuar, gjendja e aksesueshmërisë ka njohur progres, por ai ka qenë i pamjaftueshëm. Ndërkohë që raporti fillestar i shtetit rezulton më optimist në paraqitjen e situatës në krahasim me planin kombëtar të veprimit, të dy dokumentet paraqesin sfidat e mëdha që ka shteti Shqiptar për zbatimin e legjislacionit të miratuar. Megjithatë pranohet që Shqipëria ende përballet me sfida të mëdha në eliminimin e pengesave.
Sipas INSTAT, numri i personave që janë njohur zyrtarisht të kenë një aftësi të kufizuar në Shqipëri është 145,051 vetë, nga të cilët 74,043 persona janë përfitues në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe 71,008 persona në sistemin e ndihmës sociale. Ky numër,që përfshin si fëmijë edhe të rritur, përbën 5% të popullsisë së Shqipërisë.

Shënim :
Për realizimin e kësaj analize në nivel kombëtarë ndihmuan gazetarët vendore ; Erjola Azizolli, Dritan Kurti, Geri Emiri, Fatbardha Nergjoni, Edmond Hoxhaj, Raimond Kola, Dhorjela Cule, Esmeralda Keta dhe Laurent Lamaj.

Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa medias kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.