Ngjarje/Personazhe

Nisma e banorëve detyron bashkinë të ndërtojë sheshin

10 maj 2018 /Arben Velo/Porta Vendore/ Fier

Nisma e disa banorëve të një pallati në lagjen “15 Tetori” në Fier, jo vetëm ka detyruar Bashkinë të kryejë një investim për ndërtimin e sheshit para pallatit të tyre, por u ka ardhur në ndihmë dhe shumë banorëve të tjerë, pasi investimi është shtrirë në të gjithë bllokun, ku jetojnë 120 familje.

Nisma për të ndryshuar sheshin para pallateve është iniciuar nga 67-vjeçari Sali Hoxha, i cili është pensionist nga qyteti i Fierit. Ai ka punuar për 18 vite në Ndërmarrjen e Përpunim të Drurit, por ende nuk e ka ndaluar ritmin e punës. Saliu prej disa muajsh kryen detyrën e administratorit në pallatin ku banon.

“ Ne jetojmë në këtë godinë dhe të gjitha familjet njihen shumë mirë me njëra-tjetrën. Por që nga viti 1994 dhe deri më sot kishim një hall të përbashkët”, e nis rrëfimin Saliu.

“Shumë vite nuk mund të dilnim nga hyrjet tona në sheshin kryesor të pallatit e mandej për në qytet. Vështirësia qëndronte pikërisht te gropat me baltë, të krijuara prej vitesh te sheshi para pallatit tonë. Nuk ndiheshim rehat dhe na dukej sikur jetonim, jo në qendër të Fierit, por në një zonë rurale”, vijon pensionisti.

Blloku i pallateve në rrugën “Rauf Nallbani” Foto:Arben Velo

Sheshi para pallatit ishte makthi dhe problemi i 18 familjeve në lagjen “15 Tetori”. Ndaj të gjithë së bashku realizuan një projekt për ndryshimin e kësaj hapësire. Në projekt përfshihej: shtrimi i sheshit para pallatit me pllaka, rregullimi i kanalizimeve, ndërtimi i rrjetit ndriçues të jashtëm dhe ngritja e hapësirave shlodhëse. Për këtë zgjodhën një komision me tre banorë nga profesionistë të fushave të ndryshme. Pas mbledhjes së një fondi prej 300 mijë lekësh, rolet u ndanë. Saliu do të mbikëqyrte punimet. Orion Hoxha, me profesion jurist, do të merrte përsipër pjesën burokratike; shkresat dhe zbatimin e ligjit. Ndërsa Ervis Mëngjesi, ekonomisti i pallatit, do të merrej me kostot ekonomike të projektit dhe çfarë tjetër duhej për investimin.

Sheshi i rikontruktuar i pallatit. Foto : Arben Velo

“Nuk erdhi bashkia të na pyeste sesi jetonim e çfarë problemesh kemi, ndaj u mblodhëm vetë dhe i sugjeruam njëri-tjetrit se çfarë na duhej për t’u zgjidhur kjo situatë. Iniciativa për ndryshim ekzistonte tek të gjithë. Dhe kjo ishte fillesë e mbarë, për t’i ndryshuar ‘fytyrë’ sheshit të pallatit, por edhe për të përmirësuar jetesën tonë të përbashkët. Gjetëm gjuhën qytetare”, pohon Saliu.

Pallati është ndërtim i viteve ‘90, por rregulli për pastrimin e shkallëve, restaurimi i tubacioneve të shkarkimit të ujërave nga tarraca, mirëmbajtja e pompave të ujit,  ishin përvoja e parë e suksesshme, e realizuar nga këta banorë.

“Na u desh të krijonim një fond si banorë. Unë duhet ta administroja dhe të isha ai që duhet të kryeja veprimet financiare në emër të 18 familjeve”, pohon Ervisi.

“Bashkisë Fier i dërguam një kërkesë, për të na mbështetur në projektin tonë, që kishim si banorë, kjo sepse shuma që kishim mbledhur ishte simbolike. Në fakt nuk e prisnim t’u mbështesnim”, thotë Orioni.

Ndërkohë, Bashkia Fier, reagoi ndaj nismës së banorëve të rrugës “Rauf Nallbani” duke miratuar një investim prej 140 milionë lekësh për rikonstruksion, në të gjithë bllokun e pallateve.

Lagja “15 Tetori” pas investimit të realizuar nga Bashkia Fier. Foto : Arben Velo

“Në zyrën që unë drejtoj erdhi një kërkesë e nënshkruar nga banorët e pallatit shtatëkatësh. Ata kërkonin mbështetjen e bashkisë. Shqyrtuam kërkesën dhe shkuam vetë në terren për të kryer konstatimin. Banorët kërkonin shtrimin e sheshit, dekorimin e tij me pllaka si dhe ndriçimin e jashtëm të pallatit. Falë edhe punës së firmës së ndërtimit që po kryen punimet në rrugën ‘Rauf Nallbani’, ne arritëm të plotësonim kërkesën e banorëve. Ata, madje kontribuuan edhe vetë simbolikisht për investimin. Ndihemi krenarë që ky bashkëpunim dha frytet e tij”, thotë Arjan Ndreu, Drejtori i Zyrës së Shërbimeve Bashkia Fier.

Lagja “15 Tetori” pas investimit. Foto : Arben Velo

Pas 3 muajsh projekti nisi zbatimin dhe sheshi mori formë urbane. “Fillimisht u kryen punimet në shesh, me mbushje çakëll . Më pas nisi vendosja dhe shtrimi i pllakave dhe brenda një kohe të shkurtër, 120 metra katror shesh ishin për t’u admiruar . Tashmë ne po punojmë që të vendosim stolat dhe zbukurojmë lulishten”, tregon Saliu.

Iliri,shitës në një dyqan mishi aty pranë, ka mbetur i befasuar nga mënyra sesi banorët e zgjidhën shqetësimin e tyre të vjetër.

“Janë të aftë të bashkëpunojnë e respektojnë njëri-tjetrin. Ky shesh ka qenë më parë i mbushur me pluhur, gropa dhe baltë. Tani është komplet ndryshe , ofron pastërti dhe qytetari” thotë ai.

“Kontribuuam dhe kemi një hapësirë që na shërben si qytetarë. Jemi krenarë që arritëm të eliminojmë baltën dhe pluhurin. Kalojmë si njerëz dhe na kanë zili edhe banorët e tjerë të lagjes, për këtë shesh që nuk është shumë i madh si hapësirë, por na bëri bashkë të gjithë” rrëfen Bardhi ish mësues, banorë në pallatin shtatëkatësh.

Blloku i pallateve në rrugën “Rauf Nallbani” i rikontruktuar. Foto: Arben Velo

Aktualisht Bashkia Fier po kryen procedurat për pikën e lidhjes elektrike dhe nënshkrimin e kontratës për ndriçimin publik në këtë bllok pallatesh.

Rreth autorit:
Arben Velo është korrespondent i qarkut Fier.