10 maj 2018/ Albi Lala/ Porta Vendore/Mat
Prej 22 vitesh Bashkia e Matit është në konflikt me banorët e fshatrave Muzhakë, Midhë, Komsi dhe periferisë së Matit. Hedhja e mbetjeve të qytetit ka sjellë zaptimin e tokës, tymra dhe erë të rëndë, jo vetëm për kalimtarët e rrugës Mat-Komësi, por edhe për banorët e fshatrave përreth si dhe repartin ushtarak të Mollzave.
Çdo ditë, mbeturina nga më të ndryshmet, ushqime, plastmasë, letra, gjethe, inerte të ndryshme, kafshë të ngordhura e gjithçka tjetër hidhen në anë të rrugës. Vetëm 500 metra larg qytetit të Matit, shumë pranë fshatrave të banuar dhe repartit ushtarak këto mbetje kundërmojnë erë të rëndë dhe janë burim sëmundjesh dhe infeksionesh.

Banorët shprehen se presin një zgjidhje nga pushtetit lokal, ashtu siç është premtuar gjatë fushatës së fundit elektorale.
“Djegia dhe tymi e mbeturinave është shumë shqetësues. Kjo është zonë blegtorale, dhe e gjitha ndihmon negativisht tek fëmijët por edhe tek produktet bujqësore. Ankesa kemi bërë shumë, por zgjidhje nuk është dhënë”, rrëfen Gëzim Cenuka, banor i fshatit Muzhakë, në njësinë administrative Komsi.

Banorët e Muzhakës, drejtuesit e ish komunës Komsi, këshilli komunal, kryetarët e fshatrave, i janë drejtuar me peticione e letra të shumta Këshillit Bashkiak Mat, Prefekturës Dibër, Këshillit të Qarkut, Ministrit të Mjedisit, Kryeministrit të Shqipërisë, por në asnjë rast nuk kanë marrë një përgjigje. Herë pas here banorët kanë protestuar dhe kanë kërkuar ndalimin e këtij abuzimi kaq të madh me jetën e tyre.

“Për zgjidhjen e problemit të mbetjeve është menduar nga ana e bashkisë, spostimi nga rruga nacionale e venddepozitimit ekzistues. Vendi që do të caktohet duhet të përmbushë të gjitha kriteret ligjore për depozitimin e këtyre mbetjeve, pasi është menduar që të ketë një pikë të përbashkët, për mbetjet urbane në qarqun e Dibrës”, thotë Leme Koxha, specialiste mjedisi pranë Bashkisë Mat.

Bashkia Mat nisi punën janarin e këtij viti për të zbatuar vendimin e ish Këshillit të Rrethit, të vitit 1996, duke ndërmarr një nismë për largimin e mbetjeve të paktën 300 metra nga rruga nacionale, e për t’i grumbulluar në një rrëpirë. Nëpërmjet faqes zyrtare Bashkia Mat bëri me dije se: “Venddepozitimi i mbetjeve do jetë i rrethuar me rrjetë dhe mbeturinat do mbulohen me dhera sa herë të depozitohen aty”. U investuan afro 2 milion lekë të reja për të mundësuar largimin e mbeturinave nga rruga kryesore, por për shkak të rrëshqitjeve dhe paqëndrueshmërisë së tokës, kjo nuk funksionoi dhe mbetjet hidhen aty ku janë grumbulluar prej 22 vitesh. Sakaq pushteti lokal njoftoi se po diskutohet përcaktimi i një vend të përhershëm.
Konflikti e ka zanafillën në vitin 1996, pas një vendimi të padrejtë të ish Këshillit të Rrethit Mat dhe më vonë dhe një vendimi të Këshillit Bashkiak Mat. Parcela nr.604 është pushtuar nga bashkia Mat, pa asnjë lloj vendimi. Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mat kjo sipërfaqe, ku bashkia hedh tonelata plehra çdo ditë, është e dokumentuar si pemëtore dhe vreshtë.

Zona kadastrale mban numrin 2213 dhe ndodhet në territorin e njësisë administrative Komsi. Dikur ishte vendosur që grumbullimi i mbeturinave të qytetit të bëhej poshtë rrugës nacionale Mat-Komësi, duke hapur kështu një rrugë për “zhvendosjen” e tyre dhe madje duke bërë edhe rrethimin e vendit ku do të hidhen këto mbetje. Mirëpo ky vendim asnjëherë nuk u zbatua dhe të gjitha mbetjet organike e inorganike të qytetit hidhen ngjitur me rrugën nacionale, pa devijuar asnjë metër poshtë saj.
Rreth autorit:
Albi Lala është korrespondent i Qarkut Dibër.