Vëzhgim/Analizë

Bashkitë e Dibrës harrojnë “etjen” e shkollave për rikonstruksion

10maj 2018 / Dritan Kurti/Porta Vendore/Dibër, Bulqizë, Mat, Klos

Katër bashkitë e qarkut Dibër japin vetëm disa thërrime nga buxhetet e tyre për mirëmbajtjen, rikonstruksionin, ose ndërtimin e ambienteve arsimore, duke mbajtur sytë nga qeveria për ndonjë financim të mundshëm. Ndërsa shkollat në këto bashki rrënohen dhe bëhen më të pasigurta nga dita në ditë për fëmijët, sidomos në zonat rurale dhe të thella, buxhetet e bashkive tkurren dhe më shumë.

Pjesa dërmuese e tyre janë ndërtuar shumë dekada më parë. Në shumë shkolla; tarracat, çatitë dhe muret janë pothuajse drejt shembjes, sidomos në zonat e thella malore, ku ka pasur jo pak raste rreziku serioz për nxënësit dhe mësuesit. Mungesa e elektricitetit është një problem i vjetër, pasi instalimet kanë dalë jashtë funksionit. Dyert e brendshme të këtyre godinave arsimore janë gjysmake, duke mundësuar që i ftohti të depërtojë lirshëm. Tavolinat dhe stolat po ashtu datojnë prej 3 dekadash, duke u kthyer në aspak komode për qëndrimin e nxënësve, ku hera-herës grisin edhe rrobat. Godinat e arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm kanë mungesë të theksuar të laboratorëve të kimisë e fizikës.

Në Bashkinë Dibër, ndër shkollat më problematike është ajo e fshatit Fushë-Aliaj në njësinë Administrative Fushë-Çidhën me 68 nxënës. Në këtë shkollë prej pesë vitesh ka mungesë të energjisë elektrike, tualetet nuk funksionojnë dhe ujë të pijshëm nuk ka, për pak metra tub, i cili ka mbetur pa u lidhur me tubacionin e brendshëm të shkollës. Drejtori i kësaj shkolle, Haki Përnezha tha për Portën Vendore, që të gjitha shqetësimet janë ngritur pranë Bashkisë së Dibrës, por deri tani asnjëri nga problemet nuk është zgjidhur. “Ne kemi bërë shkresa të vazhdueshme ndaj bashkisë, por gjithmonë na është thënë që do të ndërhyjnë, ndërsa deri tani nuk e kanë bërë. Është mëkat që një shkollë e ndërtuar para dhjetë viteve, të mos ketë funksionet minimale për mësimdhënie” – tha Përnezha. “Sa herë kemi nevoja personale shkojmë tek tualeti i kësaj familjes që kemi pranë shkollës, pasi tualetet brenda shkolle janë të ndotura dhe nuk mund të rrezikojmë nga ndonjë infeksion i mundshëm”, tregon S. P., nxënës i shkollës 9-vjeçare Fushë-Aliaj.

Muret e shkatërruar në shkollën Fushë-Aliaj, Dibër. Foto: Dritan Kurti

Kryetari i Bashkisë Dibër, Muharrem Rama, thotë se të ardhurat vendore nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjitha nevojat e godinave arsimore. “Investimi më i madh që mund të bëjmë neve në godinat e arsimit është që të hidro-izolojmë tarracat, por shumë shkolla kanë edhe probleme shtesë që kërkojnë një fond të konsiderueshëm. Aktualisht ne kemi të depozituara disa projekte në ministrinë e linjës që presim të na financohen” – tha mes të tjerash Kryebashkiaku Rama.

Mbi 90% e godinave arsimore në Qarkun e Dibrës kanë sistem ngrohje me dru zjarri. Vetëm disa shkolla në zonat urbane përdorin kaldajën, që në shumë raste ka qenë jofunksionale apo është kthyer në një rrezik për nxënësit.

Në raportin e dhjetor 2017, për cilësinë e godinave shkollore në Bashkinë Dibër, KLSH evidentoi mungesën e strategjisë për godinat shkollore parauniversitare; mungesën e studimeve për ndërtimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e godinave shkollore parauniversitare; si dhe hartimin e projekteve jocilësore në ndërtimin dhe rikonstruksione e objekteve arsimore.

Raporti KLSH http://www.klsh.org.al/web/208_vendimi_cilesia_e_godinave_shkollore_3784.pdf

Në Bashkinë e Bulqizës, një tjetër shkollë me gjendje alarmante mbetet edhe ajo e fshatit Strikçan.
73 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Hajrulla Tollja” në fshatin Strikçan të njësisë administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës e zhvillojnë procesin mësimor në kushte skandaloze. Godina e kësaj shkolle është drejt rrënimit total, pasi ka pësuar dëmtime të mëdha në të gjitha klasat. Tavanet janë shembur në disa klasa, ndërsa në disa të tjera shembja mund të ndodh nga dita në ditë. Po ashtu, çatia rrjedh ujë sa herë ka reshje shiu.

Klasat jo funksionale në shkollën Hajrulla Tollja. Foto: Dritan Kurti

Drejtori i kësaj shkolle, Mustafa Haxhiu thotë se kushtet janë vërtetë të këqija. Sipas tij, problemi i çatisë mbetet emergjent pasi rrezikon jetën e nxënësve. “Bashkia ka ndërhyrë një vit më parë, por godina është shumë e amortizuar, ndaj problemet janë rishfaqur. Nëse nuk rregullohet nga fillimi, atëherë problemet do të vazhdojnë. Ne ia kemi paraqitur disa herë shqetësimin Bashkisë Bulqizë dhe na është premtuar që do të ndërhyhet përsëri edhe këtë vit” – tha Haxhiu. Por për prindërit e nxënësve të kësaj shkolle, fëmijët e tyre po rrezikojnë jetën në këto kushte. Ata paralajmërojnë që nëse situata nuk do të zgjidhet për vitin e ardhshëm shkollor, ata do t’i lënë fëmijët pa shkollë. “Ne jemi me mendjen te fëmijët kur janë në shkollë, pasi nuk e dimë nëse do ta mbarojnë të gjallë ditën e mësimit. Ju e patë edhe vetë si janë kushtet aty. Është turp që në vitin 2018 të jenë këto kushte skandaloze, është turp të luhet me jetën e fëmijëve tanë” – tha Selim Isufi, prind i dy nxënësve të klasës së pestë në shkollën “Hajrulla Tollja”.

Gjendja e mjerueshme e shkollës 9 vjeçare Hajrulla Tollja, Bulqizë. Foto: Dritan Kurti

Në Bashkinë e Klosit, ka pasur probleme në shkolla nga mosfunksionimi i sistemeve të kaldajës, ku është rikthyer ngrohja me dru zjarri, siç është rasti i shkollës 9-vjeçare “Tahir Hoxha” në qytet.

Përgjegjësi i Arsimit në Bashkinë Klos, Ramazan Mjeshtri thotë se sistemi i kaldajës ka funksionuar shumë pak sepse ka pasur bllokim të tubacioneve përcjellëse. Ky problem ka nisur pak kohë pasi ka përfunduar rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Tahir Hoxha”, Klos në vitin 2007. “Unë kam qenë pjesë e arsimit më parë, por edhe si ish kryetar bashkie dhe sot si përgjegjës Arsimi në Bashkinë Klos, e di shumë mirë se si qëndron problemi. Kaldaja që u vendos pas rikonstruksionit të shkollës funksionoi për pak kohë dhe më pas doli jashtë funksionit. Pas shumë përpjekjesh për ta riparuar, kostoja ishte tepër e lartë kështu që ne u detyruam që të rikthejmë sistemin e ngrohjes me dru zjarri, duke rihapur oxhaqet. Bashkia nuk i ka kapacitetet ekonomike për ta ribërë kaldajën, prandaj do të vazhdojë me këtë sistem” – tha Mjeshtri për “Porta Vendore”. Në Bashkinë e Klosit mbetet urgjente edhe gjendja e gjimnazit “Shaban Çollaku”, i cili ka nevojë për një rikonstruksion total që kap vlerën e 160 milionë lekëve të reja, fond i cili nuk mund të përballohet nga buxheti i Bashkisë Klos, ku kjo e fundit ka kërkuar financim nga qeveria.

Në Burrel gjimnazi “Pjetër Budi” ka pasur probleme herë pas here të sistemit të kaldajës. Përdorimi i druve të zjarrit në godina arsimore nuk është aspak komod për shkak të tymit që lëshohet nga djegia e druve gjatë orës së mësimit. Qarku Dibër ka klimë të ndryshueshme dhe temperaturat gjatë dimrit shkojnë disa gradë nën zero ndaj dhe ngrohja është e domosdoshme që nga nëntori e deri në fund të marsit.

Në Bashkinë e Matit, problem emergjent janë edhe shkollat “Ali Xhetani” Zenisht ( NJA Lis) dhe ajo 9-vjeçare “Rexhep Kërtuka”, e fshatit Frankth, (NJA Komsi). Shkolla 9-vjeçare “Ali Xhetani” në fshatin Zenisht të Njësisë Administrative Lis në Bashkinë e Matit, prej një viti është pothuajse pa furnizim me ujë të pijshëm, çka bën që problemi të shtrihet edhe në higjienën e saj. Nxënësit dhe stafi pedagogjik i kësaj shkolle furnizohen me ujë të pijshëm nga familjarët apo bizneset afër shkollës. Një tjetër problem madhor në këtë shkollë është edhe mosfunksionimi i shkarkuesve të ujërave të zeza. Drejtoresha e Shkollës, Bijane Mata, thotë se prej pesë vitesh që kur është rikonstruktuar rruga Shoshaj – Urakë dhe është ndërtuar ura e re poshtë shkollës, tubacionet shkarkuese nuk kanë funksionuar, duke bërë që ujërat e zeza të dalin në sipërfaqe herë pas here në oborrin e shkollës. “Ne kemi kërkuar vazhdimisht ndërhyrje, por nuk kemi gjetur zgjidhje deri tani. Gjithmonë na është premtuar që do të ndërhyhet sot e do të ndërhyhet nesër, por askush nuk e ka marrë mundimin ta bëjë një gjë të tillë” – tha Mata. Janë rreth 150 nxënës e mësues në këtë shkollë që përballen prej kaq kohësh me mungesën e ujit të pijshëm dhe mosfunksionimin e shkarkuesve të ujërave të zeza.

Shkarkuesit e ujëra të zeza pranë shkollës “Ali Xhetani” Mat. Foto: Dritan Kurti

Një pjesë e godinës arsimore në Frankth është drejt rrënimit total, duke rrezikuar jetën e 27 fëmijëve parashkollorë. Për këtë drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Rexhep Kërtuka” të fshatit Frankth Miranda Bruçi, tha se është e rrezikshme që fëmijët të futen në këto ambiente, pasi ka çarje kudo në tavane, mure e dysheme. Për këtë drejtoresha Miranda Bruçi tha se është vënë në dijeni pushteti vendor, i cili megjithëse ka thënë që do të ndërhyjë, nuk ka bërë asgjë deri më sot. “Është shumë e rrezikshme që fëmijët të mësojnë në këto kushte ndaj dhe ne i kemi zhvendosur në ambjente të tjera po brenda shkollës. Nëse bashkia nuk ndërhyn, atëherë do të jetë e pamundur që të vijohet mësimi” – tha Bruçi.

Muri i plasaritur i shkollës 9 vjeçare “Rexhep Kërtuka”. Foto: Dritan Kurti

Në një raport për tremujorin e parë të 2018-tës, realizuar për bashkitë Mat dhe Klos, që “Porta Vendore” e disponon, Nënprefektura e Matit ka dalë në përfundimin se ; 10 shkolla kanë nevojë për ndërhyrje emergjente në këto dy bashki, si dhe duhet të menaxhohet më mirë çështja e transportit të fëmijëve në shkollë, me furgonë.

Përgjegjësja e Zyrës së Financës në Bashkinë Mat, Dea Kaziu thotë se planifikimi vjetor bëhet në një total për të gjitha shërbimet ndaj godinave arsimore. “Duke qenë se bashkia nuk ka fonde të mëdha për të bërë ndërhyrje të konsiderueshme siç është rikonstruksioni, atëherë ne përqendrohemi tek problemet më emergjente dhe me kosto të vogël. Në fakt është drejtoria e Shërbimeve ajo që evidenton problematikat në çdo fillim viti. Psh, një shkollë mund të ketë nevojë për zëvendësimin e pesë xhamave, dy dyerve, një portollambë apo një rubineti, ne nuk mund të ndajmë një fond të veçantë, por grumbullojmë të gjitha nevojat për çdo shkollë në bazë të një preventivi dhe më pas tenderojmë blerjen. Ndërhyrja në shkolla qoftë për lyerjet, apo riparimet e tjera nuk bëhet me kontraktor, por nëpërmjet punonjësve të drejtorisë së shërbimeve. Vitin e kaluar, vlera e parashikuar dhe e shpenzuar ishte 3100 000 lekë të reja. Kjo shumë normalisht që është e pamjaftueshme për 41 godinat arsimore që ka bashkia jonë, por këto janë kapacitet tona – tha Kaziu për Portën Vendore.

Investimet në shkolla

Vetëm një shkollë e re është ndërtuar gjatë këtyre dy viteve në Qarkun Dibër, bëhet fjalë për gjimnazin e Maqellarës me një fond prej 33 milionë e 505 mijë lekëve të reja, financuar nga AZHR. Ndërsa rikonstruksion total i janë bërë 3 shkollave në Qarkun Dibër, përkatësisht në Shupenzë të Bulqizës me fond rreth 86,878,744 lekë, shkolla 9-vjeçare e Fshatit Bejnë në Bashkinë e Klosit me një fond prej 61,443,512 lekë financuar nga AZHR dhe ajo “31 Korriku” e qytetit të Burrelit në Bashkinë e Matit me një fond prej 61,819,330 lekë financuar nga AZHR.

Por, sa janë buxhetet e planifikuara nga katër Bashkitë e Qarkut Dibër për vitin 2018. Nga të dhënat zyrtare të marra nga zyrat e financave në të katër bashkitë, rezulton që buxheti i planifikuar për sektorin e arsimit është shumë i vogël. Buxheti mund të mjaftojë vetëm për pak riparime në një periudhë 9 mujore, aq sa zgjat edhe viti shkollor. Me këto buxhete, bashkitë blejnë vetëm bazën materiale, ndërsa punimet i kryejnë nëpërmjet ndërmarrjeve të tyre.

Për disa nga shkollat e lartpërmendura, kryetarët e bashkive, thanë se kanë dërguar projektet në Ministrinë e Arsimit për të gjetur financim pasi rikonstruksioni total i tyre është i papërballueshëm për buxhetet e bashkive të tyre.

Bashkia Dibër ka planifikuar në buxhetin e këtij vitit për mirëmbajtje të godinave arsimore 14.370.740 lekë. Ndërkohë numri i godinave në administrimin e Bashkisë është 109 në total. Në një përllogaritje i bie që për një godinë të jenë afërsisht 131 mijë e 841 lekë. Me këtë shumë, bashkitë do të bëjnë riparimin e dyerve, dritareve, llambave të ndriçimit, çelësave, prizave, blerjen e bojës për lyerjen e korridoreve, sigurimin e detergjenteve larës, si dhe blerjen e karburantit për ato shkolla që janë me sistem kaldaje. Kujtojmë që një vit më parë, të gjithë bashkitë e Qarkut Dibër kanë krijuar brigada që merren me prodhimin e druve të zjarrit. Ndërsa lyerjet e objekteve arsimore i bëjnë me anë të ndërmarrjeve të shërbimeve, ndryshe nga sa ndodhte më parë që bëheshin me tenderime. Vitin e kaluar buxheti i planifikuar dhe i shpenzuar për mirëmbajtjen e godinave arsimore në këtë bashki, ishte rreth 12 milionë lekë të reja.

Bashkia Bulqizë ka planifikuar për këtë vit 4.000.000 lekë dhe ka për mirëmbajtje 58 godina arsimore. Për secilën godinë buxheti për një vit arsimor është planifikuar një fond prej 68 965 lekë. Ndërsa fondi i parashikuar dhe i shpenzuar për vitin e kaluar ishte 5 milionë e 800 mijë lekë të reja, (ose 100 mijë lekë të rinj për çdo godinë arsimore). Të gjitha këto para thonë zyrtarët e Bashkisë Bulqizë kanë shkuar për përmirësimin e kushteve të nxënësve gjatë procesit mësimdhënës.

Bashkia Klos, ndonëse numrin e godinave arsimore e ka më të vogël se bashkitë e tjera, sërish mesatarja për një godinë për mirëmbajtje është pothuajse në të njëjtën vlerë. Buxheti i planifikuar për vitin 2018 për mirëmbajtjen e godinave arsimore është 3.111.556 lekë, ndërsa numri i godinave është 34. Mesatarisht për një godinë arsimore janë parashikuar 91 516 lekë në një vit shkollor.

Bashkia Mat, ka një fond të planifikuar për këtë vit 3.600.000 lekë, për 41 godina arsimore. Afërsisht për një godinë arsimore janë lënë 87 804 lekë. Specialistët thotë se bashkitë  duhet të gjejnë një mënyrë që të zgjidhin përfundimisht problematikat fizike të godinave. Ata propozojnë që të ndërhyhet në mënyrë të plotë çdo vit, të paktën në një shkollë, në mënyrë që vitin pasardhës të kenë një problem më pak. “Mendoj që pushteti vendor duhet të ndërhyjë në shkollat që kanë probleme të mëdha që t’i zgjidhin përfundimisht. Duhet të rikonstruktojnë të paktën një shkollë çdo vit në mënyrë që dalëngadalë të shkohet drejt një zgjidhjeje përfundimtare. Unë dikur kam qenë mësues dhe punonjës në Zyrën Arsimore dhe e di çdo të thotë të punosh apo të mësosh në kushte jo optimale” – tha Nerim Palluçi, ish Shef Kuadri në Zyrën Arsimore Mat.

Rreth autorit:
Dritan Kurti është gazetar në Burrel.