Ndodhi

81 milionë lekë për “shkatërrimin” e lulishtes së Beratit

8 maj 2018/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/Berat

Rreth 81 milionë lekë të reja ka shpenzuar Bashkia e Beratit, pikërisht në prag të zgjedhjeve të vitit 2015, për rikonstruksionin e lulishtes “Dëshmorët e Kombit”, e cila do të kthehej në një shesh me shatërvan, por veç betonit të hedhur, sot po thahen dhe pishat përreth dhe shatërvani nuk ka hedhur një pikë ujë.

Sot, beratasit që qëndrojnë në këtë lulishte “të re” mbajnë sytë drejt pishave shekullore që janë gati të japin frymën e fundit dhe drejt shatërvanit që nuk nxori ujë asnjë ditë, ndryshe nga çfarë ishte planifikuar në projekt.

Projekti ambicioz që u prezantua për publikun parashikonte sistemimin e trotuareve, kanalizimin e ujërave, pajisjen e ambienteve me stola, dhe vendosjen e një shatërvani në qendër të saj. Por nga prezantimi e deri tek finalizimi, projekti prej 81 milionë lekësh të reja pësoi disa ndryshime, plotësisht të dallueshme nga krahasimi i fotos së projektit, me atë që është ndërtuar sot në realitet.

Si ishte konceptuar projekti fillestar, për lulishten në qendër të Beratit.

Adush Civeja, është një ndër banorët më të vjetra të lagjes. Dikur kohën e lirë e kalonte në këtë lulishte që ndodhet shumë pranë banesës së tij, ndërsa ka vite që nuk shkon më.
Për të, sot lulishtja ka humbur gjithçka; që nga pemët, lulet dhe lojërat për fëmijët.
“Kishte hapësira për lojëra për të rritur dhe fëmijë, kënde sportive, u mbodhën pishat e para dhe më pas pemë të tjera, u zbukurua ndër vite dhe me një shatërvan, ndërsa sot shohim që po thahen dhe ato pak pemë që kanë ngelur”, tregon Adushi për “Portën Vendore”.

Betonizimi i zonës, mosrealizimi i plotë i investimit sipas projektit, dëmtimi i një pjese të gjelbërimit, janë shqetësimet që ngrenë sot banorët e kësaj lagje.

Nga ana tjetër problemet që kanë shoqëruar këtë investim i pranojnë zyrtarisht dhe përfaqësues të Bashkisë së Beratit. Mosrealizimi i investimit në pjesën e shatërvanit dhe dëmtimi i pemëve gjatë punimeve, janë dy problematikat që kanë mbetur pengje të kohës.

Pishat që mbetën të shkatërruara tre vite më parë nga ndërtimi i shëtitores. Foto: Erjola Azizolli.

“Shatërvani është një element i këtij projekti, i cili ende nuk funksionon normalisht, kjo për shkak të një defekti teknik që ka të bëjë me kuotën e shkarkimit të basenit”, thanë përfaqësuesit e Bashkisë. Nisur nga fakti që objekti është në periudhë garancie Bashkia Berat tha se do t’i kërkojë subjektit fitues që të përmbushë detyrimin.

Rreth autorit
Erjola Azizolli është gazetare në Berat.