26 prill 2018/ Reporter.al/ Ivana Dervishi/Tiranë
Një grup artistësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile në mbrojtje të Teatrit Kombëtar u mblodhën të enjten përpara Bashkisë së Tiranës, të shqetësuar se Këshilli Bashkiak mund të miratonte në rendin e ditës një vendim që do t’i hapte rrugë privatizimit të teatrit.
Ata kërkuan të hyjnë në mbledhje për të ndjekur nga afër punimet e Këshillit Bashkiak, por vetëm dy përfaqësues u lejuan me justifikimin se salla nuk kishte kapacitet.
Të zemëruar nga kjo mungesë transparence dhe mbyllje e mbledhjeve, të cilat rregullorja parashikon se duhet të jenë publike për këdo që shpreh interes, aktivistët e akuzuan kryebashkiakun Veliaj se e ka kthyer institucionin në një bunker.
“Ne jemi këtu në vazhdim të protestave tona në mbrojtje të Teatrit Kombëtar,” u shpreh regjisori Kastriot Çipi, i cili sqaroi gazetarët se një grup prej tyre kishin bërë kërkesë me shkrim tre ditë më parë të hynin, por në fund bashkia kishte lejuar vetëm dy prej tyre.
“Unë këtë nuk e konsideroj normale, pasi Kushtetuta në nenin 23 thotë se mbledhjet e organeve të zgjedhura janë kurdoherë të hapura,” shtoi ai.
“Teatri Kombëtar është pjesë e pasurisë publike dhe është mirë që të mbrohet, si çdo pëllëmbë e pasurisë publike të Shqipërisë dhe Tiranës,” u shpreh Çipi, ndërsa theksoi se artistët do të ndjekin të gjithë rrugët ligjore, si dhe paditë në gjykatë për ta mbrojtur teatrin.
Një tjetër aktiviste, Mirela Cela Jorgo e përfshirë në kauzën e Velierës në Durrës u shpreh se historia me trashëgiminë kulturore të shkatërruar nga politikanët po përsëritet.
“Është interes publik i të gjithë popullit për të parë që ai teatër të mos shkulet nga trashëgimia kulturore”, tha ajo.
Pasi braktisën mbledhjen e këshillit bashkiak, këshilltarët e Partisë Demokratike në opozitë deklaruan se ata nuk do të votojnë vendimin për privatizimin e Teatrit Kombëtar dhe betonizimin e parkut Rinia.
“Unë kam deklaruar se këto vota [për miratimin e vendimeve] ata nuk i kanë dhe nuk do t’i kenë as nesër se ne do të bëhemi barrikadë për këto operacione mafioze në kryeqytet”, u shpreh Kreshnik Çollaku i PD. Këshilltarët e LSI gjithashtu u larguan nga mbledhja.
Duke folur nga salla e mbledhjes, nënkryetari i Bashkisë Tiranë Abaz Hado u shpreh se kishte ndodhur një keqkuptim. Sipas tij pika e përfolur “Për miratimin e kërkesës për transferimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të disa pronave të paluajtshme shtetërore, që do të përdoren për ushtrimin e detyrave të saj funksionale në fushën arsimore, infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik” nuk kishte lidhje me Teatrin Kombëtar.
Në fund të mbledhjes, me mosbesim artistët u shprehën se do të vazhdojnë të mbikëqyrin nga afër hapat e bashkisë për teatrin dhe se do të konsultohen me juristë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë, nëse planet për shkatërrimin e tij vazhdojnë.
Planet e qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një projekti që parashikon kulla të bashkangjitura me të përmes një koncesioni PPP janë shoqëruar me akuza për mungesë të transparencës.
Artistët kanë shprehur vazhdimisht kundërshtimin e tyre për shembjen e Teatrit dhe kanë kërkuar nga qeveria të financojë me fonde shtetërore restaurimin e tij në gjendjen aktuale.