26 prill 2018/Reporter.al/Raimond Kola/ Gjirokastër
Në mungesë të landfilleve, bashkitë e Tepelenës, Përmetit dhe Këlcyrës i depozitojnë mbetjet e tyre pranë shtretëve të lumenjve Drino dhe Vjosë, duke shkaktuar ndotje masive me qelq, plastikë dhe mbeturina të tjera.
Ademi, një bari rreth të pesëdhjetave që kujdeset për tufën e tij të deleve në lëndinat buzë lumit Drino në Gjirokastër është bërë shpeshherë dëshmitar i momenteve kur makinat e bizneseve të ndryshme derdhin aty mbetje nga më të ndryshmet.
Shishe qelqi, bidona plastikë, paketime kartoni e letre, qese plastike që përhapen buzë lumit dhe kur rrjedha fryhet gjatë dimrit, mbeturinat shpërndahen deri në grykëderdhjen e Vjosës e më tutje në det. Vende- vende hedhurinat mbeten varur nëpër rrënjë e degë pemësh buzë lumit, duke krijuar peizazhe absurde dhe ndotje masive.
“Në mjaft raste, mbeturinave u vënë zjarrin”, thotë bariu, i cili shton se lugina pushtohet nga tymi dhe era e rëndë.
Aksionet vullnetare të gjimnazistëve apo edhe të tjera të ngjashme, ia kanë dalë vetëm të pastrojnë përkohësisht copëza të peizazhit. “Erdhën ca nxënës dhe pastruan, por ja si u bë prapë”, tregon Ademi një zonë, ku janë hedhur rishtas mbeturina qelqi dhe plastike.
Tre qytete që ndodhën buzë rrjedhjes së Vjosës, Përmeti, Këlcyra dhe Tepelena i kanë sheshet e depozitimit të mbetjeve fare pranë lumit dhe ndotja prej këtu është e lartë pasi jo pak mbeturina përfundojnë në ujërat e lumit.
Aktivistët mjedisorë fajësojnë për këtë situatë bashkitë, të cilat në mungesë të një landfilli miratojnë grumbullimin e mbeturinave buzë lumit dhe mbyllin sytë ndaj kujtdo që ndjek të njëjtin shembull.
Olsi Nika, drejtues i Organizatës Eko Albania thotë se ndotja e Vjosës nga mbetjet urbane ka ardhur duke u rritur dhe se fajin për këtë e kanë kryesisht bashkitë.
“Nuk bëjnë menaxhimin e duhur dhe në mungesë të një landfilli i i grumbullojnë mbeturinat buzë lumit,” tha Nika për BIRN.
Zgjidhja në letër
Kryebashkiakët me të cilët BIRN bisedoi pranuan se sistemi i tyre i menaxhimit të mbeturinave “cenon Vjosën”, por ia vunë fajin për këtë mungesës së një landfilli rajonal.
I pyetur për grumbullimin e mbeturinave buzë lumit, kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi i tha BIRN se bashkia që ai drejton nuk ka një zgjidhje për sheshdepozitimin dhe një landfill rajonal do ta zgjidhte këtë problem të ndotjes.
Njësoj si Peçi, edhe kryetari i Bashkisë së Përmetit, Niko Shupuli fajëson mungesën e një landfilli për situatën e krijuar. Ai i tha BIRN se po synohej me Ministrinë e Mjedisit të sistemohej shesh depozitimi.
“Është paraqitur një projekt me preventivat përkatëse për sistemimin e sheshit deri në ngritjen e landfillit rajonal”, tha Shupuli.
BIRN nuk mundi të kontaktonte me kryebashkiakun e Këlcyrës.
Landfilli rajonal u parashikua si zgjidhje për qarkun në një studim të vitit 2014, të cilin BIRN e zotëron. Studimi në kuadër të “Projektit Selea”, i financuar nga Programi IPA i BE-së, i cili nisi në vitin 2011 dhe përfundoi në vitin 2014, parashikonte në fazën afatshkurtër mbështetjen me financime në Qarkun e Gjirokastrës për përmirësimin e sistemit të grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve, doli në konkluzionin se zonës ndër të tjera i duhej një landfill rajonal.
Por projekti, i cili parashikonte që brenda viteve 2018-2020 të mbulonte me shërbim pjesën më të madhe të qarkut dhe ndërtimin e një landfilli rajonal me kosto rreth 4 milionë euro, mbeti në letër pasi siç thotë Drejtoresha e Programeve të Zhvillimit në këtë Qark, Hiriana Kokalari, “donatorët nuk e mbështetën fazën e pas-studimit”.
Landfillet rajonale parashikoheshin edhe në strategjinë e qeverisë për menaxhimin e mbetjeve 2010-2025, por megjithëse angazhimi kërkonte që deri në vitin 2020 Shqipëria t’i kishte ndërtuar 12 landfille inxhinierike për grumbullimin e mbetjeve bashkiake sipas standardeve të BE-së, puna për mjaft prej tyre nuk ka filluar.
Ndërkohë, investimi më i shtrenjtë që qeveria bëri për tre inceneratorë të dhënë me koncesion siç gjeti BIRN në një investigim të vitit të shkuar, e ka bërë të paqartë nëse landfillet do të vazhdojnë të ndërtohen.
Mungesa e menaxhimit të mbetjeve në fshatra
Vetëm landfilli sidoqoftë nuk do e zgjidhte problemin. Bashkive iu duhet të investojnë në grumbullimin e mbetjeve në fshatra, të cilat sipas studimit të vitit 2014 në shumicën dërrmuese nuk mbulohen me kosha dhe as kanë grumbullim të mbetjeve.
Ambientalistët thonë se ky po ashtu është problem sa i përket ndotjes së lumenjve me mbetje urbane. Ata thanë se fshatrat e vegjël kodrinorë në të tre rrethet e qarkut Gjirokastër, i hedhin kryesisht mbeturinat në përrenjtë që më pas derdhen në lumin Drino dhe Vjosë.
Vetëm në bashkinë Përmet, siç gjeti një monitorim i organizatës “Milieukontakt Albania”, 7500 banorë nuk mbulohen me shërbim të pastrimit dhe nuk kanë kosha të grumbullimit të mbetjeve, ndërsa edhe në pjesën kur këto shërbime ofrohen një pjesë e koshave janë të amortizuar. Po ashtu sipas një studimi të financuar nga Bashkimi Europian në 2014, shumica dërrmuese e fshatrave të bashkive të tjera të qarkut nuk kanë shërbim të grumbullimit të mbetjeve.
Por kryebashkiakët thanë se njësitë vendore nuk kishin shumë mundësi të ndryshonin këtë situatë pa mbështetje financiare. “Njësitë vendore si Tepelena kanë nevojë për mbështetje me financime për të zgjidhur grumbullimin e diferencuar dhe përpunimin e mbetjeve në një landfill”, tha kryebashkiaku Peçi.
Ndërsa Shupuli tha se po punohej për vend-depozitime të vogla në fshatra, pasi siç tha ai “në disa nga zonat malore makinat e pastrimit nuk arrijnë për shkak të infrastrukturës”.
Drejtoria e Shëndetit Publik dhe OJF të ndryshme kanë dhënë alarmin se ndotja në Vjosë dhe në Drino është në rritje, duke dëmtuar mjedisin dhe rrezikuar shëndetin e banorëve. “Ujërat e Lumit në verë kanë ndotje mjaft të lartë dhe përbëjnë rrezik infeksionesh për të rinjtë që lahen në lumë”, i thanë BIRN burime nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Gjirokastër.
Olsi Nika shpjegoi po ashtu se ndotja e Vjosës nga mbetjet urbane ka ardhur duke u rritur ndërsa në lumë kishte edhe prezencë lëndësh të dëmshme kimike. “Analizat e mbetjeve kimike të tretura në ujë nga rrjedha e Vjosës në Përmet deri në Tepelenë dalin të larta dhe po kryhen studime për pasojat në faunën e lumit,” thotë ai.
Nika tha se një studim paraprak i 15 shkencëtarëve shqiptarë, austriakë dhe gjermanë të cilët po kryejnë aktualisht studime në lumin Vjosë kishte zbuluar prani të madhe edhe të kimikateve jo vetëm prej mbetjeve urbane, por edhe për shkak të përdorimit të pesticideve pa kriter.
https://www.reporter.al/mbeturinat-urbane-te-tre-bashkive-rrisin-ndotjen-pergjate-vjoses/