Vëzhgim/Analizë

Tregu i kafshëve në Milot, si në vitin 1920/ Bashkia në gjumë ndërsa konsumatori në rrezik

18 prill 2018/Granit Sokolaj/ Kurbin

Tregu i kafshëve të gjalla në Milot, i njohur prej shumë vitesh, mbetet një nga problematikët ndër 33 tregjet e tilla në të gjithë vendin. Megjithëse është ndër më të vjetrit në vend, ku prej një shekulli aty tregtohen kafshë, edhe sot nuk plotëson asnjë nga kushtet higjeno-sanitare të mundshme, ndërkohë që për të menduar për sistemin e regjistrimit të hyrje-daljes së kafshëve, është diçka e paimagjinueshme.

Që në orët e para të mëngjesit, çdo të diele, në këtë treg, me mijëra njerëz, makina e furgonë mbërrijnë aty, duke nxjerrë në shitje kafshët e tyre. Derra, lopë, dele, kuaj e dhi, janë banorët e çdo të diele në këtë treg, ndërkohë që mungon totalisht kontrolli veterinarë. Punonjësit e Shërbimit Veterinar të Bashkisë Kurbin, jo vetëm që nuk janë prezent, por me qindra kafshë janë të pa matrikulluara, nuk iu dihet origjina apo edhe nga shkojnë.

Në kuadër të projektit “Monitorimi i tregjeve të kafshëve të gjalla, si shkak për cenimin e sigurisë ushqimore”, i mbështetur nga Lëviz Albania, ka nisur monitorimi i këtyre tregjeve, por kushtet janë “pa koment”.

E tillë është situata në tregun e Milotit, që ekziston që nga viti 1920, por të tillë degradim nuk e ka parë kurrë dhe çdo ditë që kalon, bëhet më keq.

Prej disa vitesh, këto tregje janë nën juridiksionin e Njësive të Pushtetit Vendor, por duket se Bashkia e Kurbinit po sfidon hapur autoritetet tjera, që kanë për detyrë hartimin e politikave. Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i kanë kërkuar disa herë Bashkisë Kurbin të ndryshojë gjendjen në këtë treg. Por, e njëjta situatë vazhdon të mos ketë përmirësim. Madje, AKU e ka gjobitur me 300 mijë lekë Bashkinë Kurbin për kushtet e tregut, ndërkohë që situata vetëm përkeqësohet.

Gjurmë gjaku, që tregon se në Tregun e Milotit theren kafshë e tregtohen. Foto: Granit Sokolaj

Tregtarët shprehen të pakënaqur me kushtet, ndërkohë që kontraktori i Bashkisë Kurbin, vetëm merr paratë për çdo kokë që hyn aty.

Eksperti i Veterinarisë, Z. Edi Fero, i cili ishte pjesë e këtij monitorimi, deklaroi se, “ky treg nuk plotëson asnjë kusht dhe standard”. “Ky është një nga tregjet më të vjetra në Shqipëri, por siç e shikoni, është në të njëjtën gjendje. Nuk plotëson asnjë kusht, standard të kontrollit të shëndetit të kafshëve, nuk kontrollohet origjina e tyre, nuk verifikohet shëndeti i tyre, nga vijnë e nga shkojnë. Sistemi i regjistrimit të kafshëve në hyrje dhe dalje nuk ekziston dhe mbi të gjitha, shumë kafshë janë të pa matrikulluara, ndërsa mjeku veteriner i bashkisë nuk vjen, edhe pse duhet të jetë prezent e të verifikojë shëndetin e kafshëve”, tha Fero. Sipas tij, është detyrë e pushtetit vendor, që të plotësojë të gjitha kushtet e tregjeve të kafshëve të gjalla, siç e parashikon edhe Ligji “Për Shërbimin Veterinar”, si dhe “Ligji për Vetëqeverisjen Vendore”.

Veç tregtimit në këto kushte, në Tregun e Milotit, duket qartë që theren edhe kafshë të pakontrolluara e tregtohet mishi i tyre, gjë që e vë edhe në rrezik sigurinë ushqimore. Nga vëzhgimi duket gjaku ende i patharë apo palarë nga shiu i kafshëve që mund të jenë therur e mishi i tyre është tregtuar.