12 prill 2018/Granit Sokolaj/ Shkodër
Mes qindra kafshëve, tek-tuk shihet ndonjë e matrikulluar dhe me certifikatë veterinare. Hyrje-dalje makinash të ngarkuara me kafshë të gjalla, që veç detyrimit për të paguar për çdo kokë, asnjë kontroll tjetër nuk ka mbi to. Bëhet fjalë për tregun e Kafshëve të Gjalla në fshatin Stom-Golem, vetëm 5 kilometër nga qyteti i Shkodrës. Ajo çfarë e bën të konsiderohet treg, është fakti se, është i rrethuar, ka dy balera, njërën të tregut e tjetrën që çmimeve për kokë bagëti që duhet të paguajë çdo fermer apo tregtar që e shfrytëzon atë.
Çdo të dielë, me qindra mijëra kokë bagëti hyjnë në dalin në tregun e Stom-Golemit në Shkodër, i cili siç thotë dhe eksperti Agim Rrapaj, njëkohësisht kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, nuk plotëson asnjë standard.
Në hyrje të tij ndodhet një kabinë e vogël, e veterinerit zyrtar që duhet të ndodhet aty dhe të kontrollojë e verifikojë çdo kafshë që futet në treg, por duket se ky shërbim nga Bashkia e Shkodrës është mjaftuar vetëm me një numër telefoni të lënë aty, që ta thërrasin në rast nevoje.
Megjithëse ekziston që pas viteve `90, edhe sot nuk plotëson asnjë nga kushtet higjeno-sanitare të mundshme, ndërkohë që për të menduar për sistemin e regjistrimit të hyrje-daljes së kafshëve, është diçka e paimagjinueshme. Që në orët e para të mëngjesit, çdo ditë të diele, në këtë treg, me mijëra njerëz, makina e furgonë mbërrijnë aty, duke nxjerrë në shitje kafshët e tyre.

Në kuadër të projektit “Monitorimi i tregjeve të kafshëve të gjalla, si shkak për cenimin e sigurisë ushqimore”, i mbështetur nga Lëviz Albania, ka nisur monitorimi i këtyre tregjeve, por kushtet janë “pa koment”.
Tregtarët shprehen të pakënaqur me kushtet, ndërkohë që personi që e administron këtë treg, një subjekt privat, i cili nuk pranon të prononcohet, thotë se është i dorëzuar për të bërë investime, pasi Bashkia Shkodër lejon konkurrencën e paligjshme, “në qytet, në disa rrugë, tregtohen çdo ditë e javë dhe për këtë arsye, ky treg shumëvjeçar zhvillohet vetëm një ditë në javë e si rezultat, mundësitë financiare janë të pamjaftueshme për investime”, tregon ai.
Ligji “Për Shërbimin Veterinar”, si dhe “Ligji për Vetëqeverisjen Vendore” parashikojnë monitorimin dhe përgjegjësinë për këto tregje të Njësive të Qeverisjes Vendore. Por, duket se Bashkia Shkodër e ka harruar këtë treg.

Shumica e bagëtive janë pa matrikuj sidomos të imtat dhe rreziku i përhapjes së sëmundjeve është i madh. Veterineri zyrtar i bashkisë duhet që të jetë prezent nga momenti i hapjes së tregut e deri në mbyllje të tij e të verifikojë çdo kafshë që futet në treg, nëse është e matrikulluar, nga vjen e ku shkon, të bëjë regjistrimin dhe çregjistrimin e saj kur shitet, të verifikojë nëse janë të shëndetshme apo jo. Veterineri jo vetëm që nuk është, por ka lënë vetëm numrin e telefonit.

Tregtarët dhe blegtorët shprehen se, këto kushte ka, por janë të detyruar sepse nuk kanë zgjidhje tjetër.
Eksperti Agim Rrapaj thotë se, “problematika kryesorë dhe e parë e këtij tregu është fakti që nuk ka rregullore, nuk ka veteriner, kafshët hyjnë të pakontrolluara dhe pa certifikatë veterinare nga zonat që vijnë”. “Në të njëjtën kohë, duke mos pasur rregullore, ka probleme me trajtimin e mjeteve të higjienës, nuk është instaluar sistemi “Ruda”, i cili bën regjistrimin dhe çregjistrimin e kafshëve nga shitësi të blerësi etj”, tha Rrapaj. Sipas tij, përveç sipërfaqes dhe pozicionit gjeografik, nuk plotëson asnjë kriter tjetër. “Bazuar në VKM nr. 130 të Këshillit të Ministrave, nuk plotëson asnjë nga kriteret për të qenë treg i tillë”, përfundoi Rrapaj, duke theksuar se, administratorët e tregut nuk plotesojnë dot kushtet, pa bashkëpunim dhe ndërhyrjen e Pushtetit Vendor.