Vëzhgim/Analizë

Librazhd-rruga shndërrohet në treg të kafshëve të gjalla

10 prill 2018/Granit Sokolaj/ Librazhd

Një fushë e mbushur me dhera buzë lumit dhe në qoshe të qytetit. Kështu mund të përshkruhet tregu i kafshëve të gjalla në qytetin e Librazhdit, i cili funksionon që pas viteve `90. Por në të vërtetë, disa banorë të zonave përreth dhe tregtarë të ndryshëm të kafshëve të gjalla, për shkak të kushteve, e kanë braktisur dhe tashmë tregtojnë në rrugë të makinave dhe trotuare, ngjitur fushës, asaj që quhet tregu. Megjithëse në këto kushte prej shumë vitesh, Bashkia Librazhd nuk ka ndërmarrë asnjë masë, duke e kthyer në makth këtë vend, i cili çdo ditë të shtunë mbipopullohet nga tregtarët dhe kafshët e gjalla.

Më furgonë, kamionë, madje edhe në bagazhe makinash, kafshët mbahen për orë të tëra, sa grumbullohen të gjithë fermerët shitës dhe tregtarët. Më pas, në vend që të jenë në një treg të mirëfilltë, kafshët lihen në trotuar. Të lidhura për shkak të mungesës së një vendi të rrethuar, siç duket edhe në pamjet filmike, kanë “pushtuar” trotuarin.

Projekti “Tregjet e kafshëve të gjalla, si shkak për cenimin e sigurisë ushqimore” që mbështetet nga Lëviz Albania, ishte në qytetin e Librazhdit, pikërisht në vendin ku zhvillohet ky biznes.

Megjithëse Ligji Nr. 10 465, i DATËS 39.09.2011, “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, detyron Njësitë e Qeverisjes Vendore që të kujdesen për tregjet, duket qartë, që tregun e Librazhdit bashkia e këtij qyteti e ka harruar.

Në nenin 54 të këtij ligji, për funksionet e njësive të qeverisjes vendore, pika b thuhet se, këto struktura duhet të përcaktojnë vendndodhjen dhe të administrojnë tregjet e kafshëve të gjalla. Ato administrohen, nga vetë bashkitë apo me subjekte të kontraktuara prej tyre, por në rastin e Librazhdit, asnjë masë dhe asnjë administrim.

Tregtarët dhe blegtorët nuk pranojnë të dalin në kamera, por jashtë saj thonë se, këto kushte mjerane po bëjnë që edhe një burim i tyre i të ardhurave po shkon drejt fundit, pasi bashkia nuk ka vënë dorë në këtë treg dhe dita-ditës, ai po shkon drejt shuarjes.

Ekspertja e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Enida Shena, e cila ishte prezent gjatë monitorimi të këtij tregu, tha se, “është detyrë e pushtetit vendor, edhe në bazë të ligjeve në fuqi, që tregjet e kafshëve të gjalla të kenë një tjetër standard ndërsa ky i Librazhdit, as treg nuk mund të quhet”. Sipas Shenës, këto kafshë rrezikojnë të përhapin sëmundjet e transmetueshme nga kafsha te njeriu dhe në këto kushte, tregu i Librazhdit, është dhe cenues potencial i sigurisë ushqimore.

Ligji Për Shërbimin Veterinar e saktëson se, veterineri zyrtar, i cili është pjesë e Bashkisë së Librazhdit, në rastin konkret, duhet të jetë në hyrje të tregut, të kontrollojë certifikatat për çdo kafshë që hyn e del dhe të bëjë regjistrimin a po çregjistrimin nga sistemi i identifikimit, shërbim që edhe ky mungon. Por, jo vetëm që Shërbimi Veterinar në këtë treg është i panjohur, por vetë tregu nuk ka as hyrje e as dalje, pasi është një fushë me dhé ,në një rrugë makine e trotuar këmbësorësh. Në këtë mënyrë, kontrolli i kafshëve nuk ekziston. Shumica e tyre janë pa matrikuj, pa certifikata dhe pa origjinë, askush nuk e di nëse kanë qenë nëse apo janë të sëmura dhe mbi të gjitha, ku shkojnë e në pjatën e kujt mund të serviren, bashkë me viruset e mundshme që mund të mbartin.`