31 mars 2018/ RTV Rozafa/ Lezhë
Për të shmangur trafikun që krijohet gjatë stinës së verës në superstradën Lezhë Milot e vetmja zgjidhje është nëpërmjet lëvizjeve në rrugët dytësore apo lidhëse. Disa prej këtyre akseve shihen si një mundësi e mirë që drejtuesit e mjeteve të përdorin pikërisht këto rrugë për të mënjanuar bllokimin e rrugës tek kryqëzimi i Shëngjinit dhe rëndimit të trafikut deri në afërsi të kryqëzimit të Zejmenit.
Kjo problematikë ka prekur edhe segmentin që lidh fshatin Manati të Njësisë Administrative Kolsh me superstradën. Qindra banorë të kësaj zonë duhet ta shmangin lëvizjen nëpër këtë aks rrugor nëse duan të ikin drejt kryeqytetit apo për të krijuar një lidhje më të shpejtë me superstradën.
Segmenti rrugor me gjatësi 3 km që lidh fshatin Manati me superstradën Lezhë-Laç është amortizuar plotësisht, duke u bërë thuajse i pakalueshme nga gropat e shumta. Banorët e Manatisë thonë se mungesa e rrugës ju ka vështirësuar jetesën, ndërsa kërcënojnë me protesta nëse nuk do të ndërhyhet.
Rruga Manati-Superstradë është rikonstruktuar gjatë viteve të fundit, por cilësia e dobët e punimeve ka bërë që të dëmtohen shumë shpejt. Nga ana tjetër Bashkia e Lezhës thotë se projekti i rrugës është gati prej shumë kohësh dhe është dërguar për financim pranë qeverisë dhe donanatorëve të tjerë.