Ndodhi

“Kamza e re” shkolla që mbahet në këmbë nga lekët e prindërve

20 mars 2018 / Elisa Gjerani / Kamëz

E pozicionuar vetëm pak metra larg qendrës së Bashkisë Kamëz, shkollën 9-vjeçare “Kamza e re” në fakt e mbajnë në këmbë donacionet e prindërve. E ndërtuar në vitin 2003, me një kapacitet 1200 nxënës ajo është harruar thuajse krejtësisht nga Bashkia e Kamzës që ka për detyrë të mirëmbajë dhe kujdeset për infrastrukturën e objekteve shkollore.

Afër bashkisë, por larg syrit të Kryetarit
“U bënë thuajse tre vjet që Bashkia e Kamzës nuk ka dhënë asnjë fond për mirëmbajtjen e shkollës sonë, – na shpjegon situatën drejtori i shkollës 9-vjeçare “ Kamza e re”, Tonin Doçi. Ai shpjegon se kjo shkollë është kështu siç është, vetëm falë kontributit të prindërve. “Ja ku po iua them: me donacionet e prindërve blemë dyer për banjot e shkollës sepse deri para pak kohësh banjot ishin pa dyer dhe fëmijët shkonin me ‘roje’ në tualet. Me lekët e prindërve kemi blerë bojën për të lyer shkollën, me lekët e prindërve blejmë klorin për të larë shkollën, pasi bashkia na jep detergjent që nuk mjafton as për një familje dhe jo më për një shkollë me 1200 nxënës. Prindërit na kanë ndihmuar po ashtu që të shpojmë një pus dhe të kemi një depozitë me ujë të rrjedhshëm vazhdimisht” nuk lodhet së numëruari drejtori Doçi.  Me paratë e prindërve është bërë e mundur  edhe mbjelljen e disa pemëve përreth oborrit të shkollës, e po ashtu falë kontributit të prindërve që prej një muaji shkolla ka instaluar edhe katër kamera që kanë rritur në mënyrë të ndjeshme sigurinë e shkollës. Pavarësisht se komuniteti në këtë zonë është i varfër ekonomikisht, ata i janë përgjigjur çdo lloj kërkese që shkon për të përmirësuar kushtet e fëmijëve të tyre.
“Por kjo nuk është normale, ne ndjehemi në një siklet të paparë kur na duhet t’u kërkojmë prindërve një donacion, pasi kjo mund të ndodh  një apo dy herë, por është e paimagjinueshme që shkolla të mbahet në këmbë vetëm me lekët e tyre ashtu siç po ndodh tek ne” vijon drejtori i shkollës. Ndonëse një shkollë relativisht e re, “braktisja” nga Bashkia Kamëz, ka filluar e jep efektet e para serioze. Për shkak të amortizimit njëra nga klasat ka filluar të pikoi. “Ne mund të bëjmë me donacionet e prindërve disa gjëra të vogla, por jo të rregullojmë çatinë që pikon”, – na thotë drejtori Doçi.
Dalja jashtë funksionimi i kaldajës është një tjetër gangrenë e kësaj shkolle. Ajo nuk është vënë kurrë në punë edhe pse rrjeti është instaluar që ditën që është inauguruar më 2003, por nxënësit nuk kanë mundur të ngrohen ndonjëherë në klasë. Për të gjitha këto probleme, drejtori Doçi na shpjegon se ka një duzinë letrash, ankesash, kërkesash për nevojat e shkollës dhe që ia kanë adresuar Bashkisë së Kamzës, por nuk kanë marrë kurrë asnjë përgjigje. “Jo vetëm që nuk ka denjuar askush të na kthejë përgjigje, por madje na kanë thënë inspektorët e arsimit se sapo u shkon një shkresë e tillë kryetari i bashkisë e gris fare”, tregon drejtori i shkollës 9-vjeçare “Kamza e re”.

Mungesa e higjenës dhe i ftohti
Për Enkeleda Ramën, që ka tre vajza në këtë shkollë, mungesa e higjienës dhe i ftohti janë problemet që i shkaktojnë ‘dhimbje koke’. Mungesa e ngrohjes është një problem i madh, pasi fëmijët bëjnë mësim me xhupa e kapuça dhe prapë janë akull të ftohtë.
“Në disa raste madje jemi të detyruar të mos i sjellim fare në shkollë. Ndërkohë që edhe bankat e shkollës janë një tjetër problem pasi janë shumë të vjetra” – thotë Enkeleda.
“Problemi me bankat është se kur kanë ardhur në 2003 nuk kanë qenë të reja, dhe ndonëse ne mundohemi t’i mbajmë në këmbë me zor, është thuajse e pamundur dhe janë dëmtuar shumë”, – na thotë nëndrejtoresha e shkollës, Lumturie Terziu. Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre në kryeqytet, nxënësit e “Kamzës së Re”, kanë dëshira tejet modeste për kushtet e shkollës. “Do të donim që secili prej nesh të kishte karrige më vete dhe jo stola, siç i kemi tani. Dhe po ashtu do të donim që bankat dhe karriget të ishin pak më të reja, pasi na ngecin rrobat në to dhe një pjesë e madhe na janë grisur. Sigurisht që do të donim që banjot të ishin të rregullta dhe të pastra, pasi në shumë raste e kemi të vështirë të futemi në to”, – rendisin me modesti kërkesat nxënësit e kësaj shkolle.

Shkollë e re, metodë e vjetër
Ndonëse një shkollë e re dhe e ndërtuar nga themelet 15 vite më parë, problemet e kësaj shkolle nuk janë të pakta. Për shkak të numrit të madh të nxënësve, mësimi tek “Kamza e re” është i organizuar me dy turne. Por edhe kjo nuk mjafton. “Për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe numrit të vogël të klasave, katër klasat e dyta bëjnë mësim tek kopshti” – na thotë njëra nga mësueset e shkollës “Kamza e re”, gjatë vizitës sonë. Projekti fillestar i shkollës “Kamza e re”, në kohën kur ajo u ndërtua, ishte një projekt luksoz. Me një sipërfaqe të konsiderueshme, me një oborr të madh në anën e pasme të saj, ku parashikoheshin të ndërtoheshin palestra dhe fusha sportive, por sot ajo është zvogëluar në mënyrë të ndjeshme. Aq sa nxënësit nuk kanë as vend ku të vihen në rresht.

Në vesh të shurdhët
“Në 15 vite investimet në këtë shkollë janë poshtë zeros, – thotë Ibrahim Suçi, Kryetar i këshillit të prindërve.- gjysmën e oborrit e morën dhe ndërtuan kopsht, ndërkohë që ajo ishte parashikuar për të ndërtuar palestër. Edukimi fizik nuk ka se ku zhvillohet, pasi pjesa e pjesa e pasme ku janë dy fusha të vogla përmbytet sa herë ka shi, ndërkohë këtu para kanë lënë një oborr të vockël, ku nxënësit as nuk mund të vihen në rresht, por askush nuk do t’ia dijë për problemet tona, ndaj jemi detyruar t’i zgjidhim vetë në bashkëpunim me stafin e mësuesve dhe drejtorinë”, shpjegon ai. Të vetëdijshëm, por të pafuqishëm përballë harresës ku janë zhytur institucionet arsimore në varësi të Bashkisë së Kamzës, prindërit e kësaj shkolle janë të vendosur të mos dorëzohen në kërkesat që ata kanë. “Ne po i kërkojmë bashkisë gjërat më minimale: po i kërkojmë detergjent për të larë shkollën, të vërë në punë kaldajën, të na sjellë bojë për ta lyer, të ndërrojë bankat. Nuk po i kërkojmë ndërtimin e një palestre të re që edhe ajo është e domosdoshme…por, duke parë mundësitë financiare, po kërkojmë prej vitesh që të përgjigjet për këto gjërat e vogla, që ajo i ka detyrë. Megjithëse ne kemi marrë vetëm heshtje prej saj, sërish nuk do të dorëzohemi”, – na thonë prindërit e “Kamzës së Re”.
Ndërkohë Bashkia Kamëz, nuk është prononcuar për këtë problematikë të shkollës “Kamza e re”.

Shënim :
Artikull në kuadër të projektit “Shkolla ime”, financuar nga Leviz Albania.