Vëzhgim/Analizë

Tregu i Kafshëve në Rrogozhinë, “laboratori” i infektimit të njerëzve nga sëmundjet zoonotike

18 mars 2018/Granit Sokolaj/Rrogozhinë

Kur në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër vritet një qen, rrjetet sociale “çahen”. Të ndjeshmit dhe ata që mendojnë apo tentojnë të mbrojnë kafshën, vënë alarmin. E përse? Fundja për një qen. Për një kafshë! Me të drejtë por… Nëse tentojnë të kalojnë asfaltin e kryeqytetit apo të zyrave luksoze dhe të zbresin në baltën e tregjeve të kafshëve të gjalla, nga të cilat Shqipëria numëron plot 33, ndoshta dhe mund të çmendeshin. Më mijëra krerë kafshë tregtohen çdo javë në mbarë vendin, në kushte të tmerrshme higjeno-sanitare, skandaloze, të keqtrajtuara, të torturuara dhe mbi të gjitha, në mënyrën më të frikshme për të cenuar sigurinë ushqimore, apo edhe sëmundje zoonotike, që transmetohen nga kafsha te njeriu.

Projekti “Tregjet e kafshëve të gjalla, si shkak për cenimin e sigurisë ushqimore” që mbështetet nga Lëviz Albania, nisi turin e tij në 10 prej tregjeve më të populluara dhe me kushtet më të vështira për tregtim.

Tregu i pari ishte ai i Rrogozhinës, si një ndër më të njohurit për një pjesë të Shqipërisë së Mesme, të Myzeqesë apo rajoneve Berat dhe Skrapar.

Poshtë Urës…! Vetëm kështu mund të thuhet, sepse për ta quajtur treg, nuk ka asnjë element që e lidh me këtë fjalë. Thjesht, janë qindra njerëz, që ditëve të shtuna, me kamionë e mjete të ndryshme, grumbullohen poshtë urës së Rrogozhinës dhe tregtojnë bagëti, madje, herë-herë edhe therin.

Që prej 25 vitesh, rituali përsëritet një herë në javë, në të njëjtin vend. Asgjë nuk ka ndryshuar, përveçse është rënduar situata në zonën ku kryhet kjo lloj tregtie. Është një fushë e hapur, buzë lumit Shkumbin, poshtë urës së dikurshme të trenit në Rrogozhinë, e mbuluar nga balta, pluhuri dhe mbetjet e jashtëqitjeve të bagëtive, që kurrë nuk hiqen, por shtresëzohen në vend.

Persona që hyjnë e dalin në këtë treg, ata që vijnë nga zonat e afërta por edhe rrethe më të largëta thonë se, Bashkisë Rrogozhinë i intereson të marrë tarifën prej 50 lekë për çdo kokë bagëti të imët dhe 100 lekë të mëdhatë, ndërsa shihet qartë, që fjala investim aty nuk njihet.

Megjithëse Ligji Nr. 10 465, i DATËS 39.09.2011, “Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë”, detyron Njësitë e Qeverisjes Vendore që të kujdesen për tregjet, duket qartë, që për Tregun e Rrogozhinës, bashkia e këtij qyteti nuk ekziston.

Në nenin 54 të këtij ligji, për funksionet e njësive të qeverisjes vendore, pika b thuhet se, këto struktura duhet të përcaktojnë vendndodhjen dhe të administrojnë tregjet e kafshëve të gjalla. Ato administrohen, nga vetë bashkitë apo me subjekte të kontraktuara prej tyre, por në rastin e Rrogozhinës, administrimi nënkupton vetëm mbledhjen e lekëve për çdo kokë bagëti që futet aty.

Bagëtitë në tregun e kafshëve në Rrogozhinë. Foto: Granit Sokolaj

Eksperti i Shërbimit Veterinar, njëkohësisht ish-Drejtor i Drejtorisë së Shërbimit Veterinat në Ministrinë e Bujqësisë, Z.Edi Fero, i cili ishte prezent gjatë monitorimi të këtij tregu, tha se, “as në vendet e botës së tretë, nuk mund të gjendet një treg në këtë gjendje dhe fermerët janë të vetëdijshëm për rrezikun që iu kanoset kafshëve, përhapjes së sëmundjeve zoonotike, pasi mblidhen kafshë të pakontrolluara nga zona të ndryshme të vendit, si dhe për rrezikun që iu kanoset konsumatorëve.

“Këto kafshë rrezikojnë të përhapin sëmundjet e transmetueshme nga kafsha te njeriu dhe në këto kushte, tregu i Rrogozhinës, është laboratori më i mirë i mundshëm për transmetimin e sëmundjeve zoonotike, nga kafsha te njeriu. Fermerët paguajnë tarifën për çdo kokë bagëti që fusin në këtë treg, ndërsa nuk marrin asnjë shërbim logjistikë dhe as higjeno-sanitar. Kafshët janë pa matrikuj, pa çertifikatë veterinare, nuk iu dihet as origjina e as diagnozat , sëmundjet e kaluara apo ato që mund të kenë, duke përbërë kështu një rrezik për konsumatorin. Aq më tepër, nëse ato theren e konsumohen në familjet tona”, tha Fero, sipas të cilit, veç kësaj, pjesa humane e trajtimit të kafshëve, është diçka e pakonceptueshme nga këta fermerë.

Balta në tregun e Rrogozhinës. Foto: Granit Sokolaj

Më tej, eksperti Fero tha se, siç edhe parashikon Ligji Për Shërbimin Veterinar, veterineri zyrtar, i cili është pjesë e Bashkisë së Rrogozhinës në këtë rast, duhet të jetë në hyrje të tregut, të kontrollojë certifikatat për çdo kafshë që hyn e del dhe të bëjë regjistrimin apo çregjistrimin nga sistemi i identifikimit, shërbim që edhe ky mungon.

Sipas Feros, minimalisht tregu duhet të jetë i rrethuar dhe i shtruar me çimento, me qëllim që të kryhet larja pas përfundimit të aktivitetit tregtar dhe prezenca e veterinerëve të bashkisë duhet të jetë e domosdoshme, ndërsa Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, prej dy vjetësh nuk ka qenë asnjëherë për të kontrolluar këtë treg.

Mëngjesi në tregun e gjësë së gjallë në Rrogozhinë. Foto: Granit Sokolaj

Megjithë kërkesën e herëpashershme të institucioneve shtetërore, si dhe të faktit që e detyron ligji, Bashkia e Rrogozhinës nuk ka kryer asnjë investim në këtë treg prej 25 vjetësh. I pyetur në telefon për mundësitë e investimeve në këtë treg dhe përmirësimin e kushteve higjeno-sanitare, Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Beqir Nuredini, ka deklaruar se “do të ndërhyjnë shumë shpejt”, por pa dhënë afate, nëse ka një projekt apo jo dhe në ç’fazë është “ndërhyrja shumë shpejt”.

Para afro 3 vjetësh, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka gjobitur disa bashki, mes tyre edhe atë të Rrogozhinës me vlerën e 300 mijë lekëve, për mosplotësimin e kushteve të tregtimit të kafshëve në këto tregje, të cilat  janë shndërruar në rrezik potencial për konsumatorin.

Tregu i kafshëve në Rrogozhinë. Foto: Granit Sokolaj

I pyetur për këtë situatë dhe për të dhënë një mendim, profesioni i njohur i Mjekësisë Veterinare, Kristaq Berxholi, ka shkuar edhe më tej, me deklaratën e tij:

“Mizerabël në shkallën më të lartë. Tregje të tilla, të cilat sot janë në funksion, jo vetëm që nuk plotësojnë kriteret e të qenit të tilla, por ato bëhen burim i përhapjes së infeksionit, midis kafshëve që janë në treg, por edhe jashtë tregut, nëpërmjet jashtëqitjeve të kafshëve, kafshë që theren etj etj. Mos kontrolli i kafshëve dhe mungesa e matrikujve e rëndon edhe më shume situatën. Unë do t’i bëja thirrje Ministrit të Bujqësisë dhe Kryeministrit, që të dy bashkë të bëjnë një vizitë në këto tregje dhe ose t’i rregullojnë, ose ti mbyllin fare”, përfundon profesor Berxholli.