Vëzhgim/Analizë

Kullimi, mungesa e fondeve i shuan shpresat fshatit

2 shtator 2017/ Bledar Gilaj /Lezhë

Teksa stinë e verës po ikën dhe vjeshta po afron, fermerët mbeten ende në mëshirë të fatit për të mbjellat e tyre. Hapja e kanaleve të dyta është domosdoshmëri për të shmangur përmbytjet e tokave bujqësore në Bashkinë e Lezhës. Ky fenomen i përvitshëm ka bërë që fermerët të humbasin shpresën se me punimin e tokës mund të fitojnë diçka e kjo e ka rënduar akoma më shumë situatën e tyre ekonomike. Përmbytjet prekin fushat, të cilat kanë rendimet të lartë prodhimi, të tilla si fusha e Torovicës, Zadrimës dhe ajo e Bregut të Matit.

Fusha e Torovicës, dikur hambari i prodhimeve të bollshme dhe një zonë eksportuese, sot vetëm sa e tkurr sipërfaqen që mbillet. Në këtë zonë ka vetëm fermerë të frikësuar për të mbjellat e tyre. Po të “inspektosh” këtë fushë të gjerë e të gjatë, do të vesh re se pak sipërfaqe toke është e mbjellë për shkak të riskut të lartë. Janë rreth 2200 hektarë tokë që shfrytëzohen shumë pak për shkak te frikës nga përmbytjet të gjitha shfrytëzohen. Fermerët e kësaj zonë i gëzohen shiut të Korrikut, por kur fillojnë e rëndohen reshjet, ata trishtohen. Rreziku i përmbytjeve është prezent. Pak të prishet kandari i motit, miliona lekë shkojnë dëm. Kullim, kullim, kullim. Kjo është mënyra e vetme për të ndryshuar situatën.

Sipas statistikave të botuara, 25 vjet më parë rrethi i Lezhës kishte 28 ekskavatorë. Këta i dispononte kryesisht ndërmarrja e Ujëra-Bonifikimit, por edhe SMT-ja dhe NB-ja e Lezhës. Dy prej këtyre ekskavatorëve ishin të stacionuar për gjatë gjithë vitit në ish-kënetën e Kakarriqit, fusha e Torovicës, që punonin në pastrimin e kanaleve sekondare e terciare kulluese, pa harruar kolektorin, si kanal i parë. Po sot, Bashkia që mbulon të gjithë rrethin e Lezhës dhe përgjigjet për pastrimin e të gjitha kanaleve të dyta e të treta kulluese, ka në dispozicion vetëm dy ekskavatorë me “dhëmbë të rrafshuar” dhe njërin prej tyre po përpiqet që ta mbajë në këtë zonë. Ndërhyrjet kundër përmbytjeve ishin edhe premtimi kryesor i kreut aktual të bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj në zgjedhjet vendore të vitit 2015. Dy vite pas marrjes së mandatit, situata ka ndryshuar krejt pak. Edhe një ekskavator që u dhurua këtë vit nga qeveria nuk punoi më shumë se një muaj. Disa kanale në zonën e Bregut të Matit, Torovicës dhe Zadrimës filluan të hapen, por punimet lënë shumë për të dëshiruar. Kanalet që kishin funksion kullimin, janë mbyllur thuajse plotësisht.

Fermerët prezantojnë situatën e tyre, të cilën sigurisht nuk mund ta fshehin se nuk është ende optimiste. Mark Ivani thotë që në vitin 1986 këto kanale nuk janë hapur. “Kjo ka bërë që bujqësia tek ne të degradojë. Pas çdo shiu përmbytemi duke dëmtuar të mbjellat e kjo na bën që vit pas viti ne të ulim sipërfaqet e mbjella. Tokën po e përdorim vetëm për kullota bagëtish, ndaj duhet të ndërhyhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Na premtuan se do të nisin me hapjen e kanaleve të dyta e të treta, ne po presim që kjo punë që tashmë ka nisur të vijojë, të ketë ritme më të shpejta”, thotë Ivani. Kurse Llesh Groshi shpjegon se ka mbjellë 4 hektarë tokë. “Por nuk u ngopa as me speca prej 25 vitesh e gjithçka vetëm si pasojë e përmbytjeve. Ne punojmë, por puna jonë nuk del në dritë pasi mjafton një rrebesh shiu që gjithçka të marrë fund në arat e mbjella, sidomos me ato të stinës së dimrit dhe pranverës. Nëse hapen kanalet siç na është thënë, atëherë do të thotë shpresë për ne”, thekson Groshi. Ndërsa një fermer tjetër, Ervin Shkëmbi, shpjegon se mjetet i kanë mbetur pa punë. “Fusha përmbytet çdo vit, mbjelljet bëhen të vona për shkak të këtyre përmbytjeve. Kam një traktor, por e mbaj të papunë sepse ende nuk është tharë toka pasi uji do kohë të madhe të largohet. Shpresat për të mbjellë janë të vogla nëse do të vijohet që kanalet kulluese të qëndrojnë kështu siç janë të pahapura. Ne kemi ndërhyre privatisht për disa kanalet, por nuk mjafton sepse uji nuk ka ku të shkojë duke qenë se duhen hapur të gjitha kanalet”.

Për Drejtorin e Bujqësisë në Bashkinë e Lezhës, Gjovalin Gjeloshi, kjo ndërhyrje është e barasvlershme me hapjen e kanaleve të reja dhe se deri më tani janë hapur shumë pak kanale, në raport me nevojën që ka bujqësia në Lezhë. Sipas tij, me mungesën e theksuar të mjeteve motorike, kjo ndërhyrje do të zgjasë. “Ndërhyrjen tonë e kemi nisur në Qershor të 2016-ës pasi riparuam dy mjetet e transferuara nga Bordi i Kullimit pas reformës territoriale. Këto mjete ishin në gjendje të mjeruar teknike dhe na u desh për të ri investuar në këto mjete për t’i futur në efiçencë. Pavarësisht kësaj ndërhyrjeje, ata punuan mirë vetëm një kohë të shkurtër, pasi njëri nga mjetet pësoi defekt dhe akoma nuk është vënë më në punë dhe se punohet vetëm me një ekskavator. Kalimet transfertë pas reformës territoriale ishin sa për të thënë, pasi për sa u përket mjeteve mekanike më mirë të themi se u transferuan dy grumbuj hekurash. Në këto kushte ritmet e punës janë të ulëta në krahasim me nevojat që kanë zonat për kullim. Unë dua të them se nëse nuk shtohet baza mekanike e Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë e Lezhës mbetemi shumë larg realizimit të këtyre detyrimeve. Nuk bëhet fjalë për eliminim përmbytjesh, por për largim të ujërave të tepërta nga tokat. Ende nuk është kuptuar se ku i dhemb më tepër bujqësisë, kullimi qëndron si shqetësim kryesor që kërkon vëmendje të madhe”, shprehet Gjeloshi.

Nga 7 mijë hektarë tokë bujqësore në zonën e Zadrimës që përfshin njësitë administrative Kallmet, Blinisht e Dajç, më shumë se 4 mijë janë pjesë fushore dhe e rrezikuar nga përmbytja e vazhdueshme. Ato tashmë janë bërë një shqetësim serioz për banorët që vit pas viti po preken nga përmbytjet. Edhe në Zadrimë ka vetëm një ekskavator për hapjen e kanaleve kulluese. Ky mjet i vetëm duket se nuk do t’ia dalë për të përmirësuar dukshëm situatën. Me një “gjysmë” ekskavator po punohet edhe në fushat e Bregut të Matit që përfshin Njësitë Administrative Shënkoll e Zejmen. Edhe në këto zona me rreth 5 mijë hektarë tokë bujqësore përmbytjet janë të vazhdueshme. Ende asnjë zgjidhje dhe çdo vit dëme të pallogaritshme si pasojë e këtyre përmbytjeve. Ashtu si fusha e Torovicës, edhe tokat bujqësore në Zadrimë e Bregun e Matit e kanë humbur shkëlqimin e tyre të dikurshëm. Fermerët mendojnë gjithnjë largimin nga këto zona.

Bashkia e Lezhës ka kërkuar edhe ndihmën e Bordit të Kullimit për t’i mundësuar mjete në mënyrë që të punohet me ritme më të shpejta, kryesisht në zonat që kanë probleme më të shumta siç është fusha e Torovicës, e Zadrimës apo edhe ajo e Bregut të Matit. Institucione si Prefektura, Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Bordi i Kullimit kanë opsionet e tyre se si mund të dilet nga kjo situatë, por që në të vërtetë të gjitha flasin për një problematikë që kërkon ndërhyrje përtej fjalëve.

Prefekti Eduard Ndreca thotë se pritat malore janë e vetmja zgjidhje që mund të na japë zgjidhje përfundimtare që përmbytjet të mos jenë kërcënim për Lezhën. “Për këtë ne u kemi kërkuar njësive të qeverisjes vendore që të hartojnë projektet e tyre jo vetëm për hapjen e kanaleve kulluese, por edhe ndërtimin e pritave malore që frenojnë përkeqësimin e këtij fenomeni”, shprehet Prefekti Ndreca.

Kurse Drejtori Rajonal i Bujqësisë, Ndoc Lleshi, thotë se nuk ka funksionuar shteti gjatë këtyre 25 viteve, duke lejuar ndërtime kudo, të cilat sot janë pjesë e problemit. Sipas tij, sot është ndërtuar aty ku nuk duhet, duke prishur sistemet kulluese, kolektorët, duke shformuar sipërfaqet e tokës, duke ndërtuar në vende që në plan të parë duken si zgjedhje e mirë, por në fakt ka prishur krejt sistemin.

Fondet
Lezha ka minimumi 300 km kanale të dyta kulluese dhe më shumë se 700 km kanale të treta kulluese që presin të rehabilitohen. Bashkia për vitin 2017 ka përfituar fonde për investime nga Buxheti i Shtetit në vlerën 75 milionë lekë të reja. Ky fond i përfituar do të aplikohet për bujqësinë vetëm në vlerën 34 milionë lekë, pasi pjesa tjetër do të shkojë për financimin e projektit të rrugës nga Superstrada Gajush deri tek burgu i Shënkollit, me vlerë 41 milion lekë. Sa i përket kullimit, janë përllogaritur 25 milionë lekë për infrastrukturën e ujitjes në zonën e Zadrimës dhe Kallmetit dhe 9 milionë lekë për blerjen e 1 ekskavatori.

Sipas përllogaritjeve të përafërta teknike e topografike, me gjendjen që kanë sot këto kanale, duhen më shumë se 5 ekskavatorë për të rehabilituar minimumi 75 km kanale të dyta kulluese me mbi 120 mijë litra naftë. (ky është projektplani që ka bërë bashkia e Lezhës për të rehabilituar brenda vitit 2017, duke llogaritur se një ekskavator nuk ka më tepër se 180 ditë punë kalendarike në dispozicion gjatë një viti për të punuar) Lezhës, duke llogaritur edhe ekskavatorin e dhuruar nga qeveria, gjykuar mbi gjendjen teknike dhe kapacitetin e mjeteve që ka sot, nuk i bëhen më tepër se 2 ekskavatorë të plotë?! Atëherë ku do t’i marrim edhe 3 ekskavatorë të tjerë për të realizuar objektivin prej 75 km kanale të dyta kulluese, të propozuar nga drejtoria e bujqësisë për ta vënë në projektbuxhetin e bashkisë? A ia vlen të kujtojmë se dikur Lezha, rrethi më “i mbytur në ujë”, kishte 28 ekskavatorë që nuk pushonin gjatë të gjithë vitit? Po për të thelluar e pastruar 80 km kanale të dyta në vitin 2018, po për 90 km në vitin 2019, sa ekskavatorë e sa karburante duhen?! Banorët e fushave pjellorë në Bashkinë e Lezhës presin që kjo problematikë të zgjidhet dhe kreu i bashkisë të mbajë premtimin që ata të kenë një mundësi punësimi. Në mungesë fondesh e mjetesh, ndryshimi i situatës që do të thoshte eliminim i përmbytjeve do të zgjasë edhe disa vite.

Shënim:
Artikull në kuadër të projektit “Lezha e Qytetareve”, financuar nga Leviz Albania.