Vëzhgim/Analizë

Investimi 1 miliard lekë dhe fshati pa ujë

24 korrik 2017 / Bledar Gilaj /Lezhë

Qeveria shqiptare ka investuar rreth 1 miliard lekë të vjetra për ndërtimin e ujësjellësit të Troshanit, në njësinë administrative të Blinishtit, por edhe pse ky ujësjellës është marrë në dorëzim prej Bashkisë së Lezhës, si projekt i përfunduar nga ana e kompanisë kontraktuese, banorët nuk marrin furnizim me ujë.

Historia zë fill në muajin mars të vitit 2015, kur Troshani varej nga Komuna Blinisht, ndërkohë që në fund të vitit që lamë pas, mendohej se banorët kishin gjetur zgjidhjen. Por, kjo nuk ka rezultuar ashtu siç shkruhet në dokumentet zyrtare, e vetë banorët janë ata që e kanë bërë publik këtë skandal, duke protestuar para Bashkisë së Lezhës se nuk kanë asnjë pikë ujë në shtëpitë e tyre.

Tenderi i përfolur
Tenderi për ndërtimin e ujësjellësit të fshatit Troshan nuk ka qenë aq i mbarë, sidomos edhe për faktin se u realizua pak kohë para implementimit të Reformës Administrativo-Territoriale, pikërisht në kohën kur krye komunarët po dorëzonin “çelësat” dhe këto njësi kaluan në varësi të Bashkisë së Lezhës. Pikërisht më datën 20.03.2015, është publikuar nga Komuna e Blinishtit, në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik, procedura e prokurimit “Procedurë e Hapur” me objekt: “Ndërtim Ujësjellësi – Fshati Troshan”, me fond limit 83.146.690 lekë (pa TVSH). Ndërsa me TVSH, ky tender arrin në vlerën 99 milionë e 776 mijë lekë. Rreth një muaj pas hapjes së tenderit, konkretisht më 17 prill 2015, komuna Blinisht ka zhvilluar procedurën ku kanë marrë pjesë tetë kompani të ndryshme, shtatë prej të cilave janë skualifikuar për dokumentacion të ndryshëm dhe ka fituar kompania që kishte paraqitur pothuajse ofertën më të lartë, pikërisht “Alb Tiebfau” shpk.

Më poshtë, ofertat e secilit konkurrues;

1. “Kevin Construksion” sh.p.k. 52.612.453 lekë, skualifikuar
2. “Geci” sh.p.k. 63.496.191 lekë, skualifikuar
3. “Ndregjoni” sh.p.k. 65.398.597 lekë, skualifikuar
4. “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. 69.920.900 lekë, skualifikuar
5. Bashkimi i operatorëve ekonomikë “B – 93” sh.p.k.
& “Be – Is”sh.p.k. 72.533.982 lekë, skualifikuar
6. “Alko Impex General Construcion” sh.p.k. 75.638.592 lekë, skualifikuar
7. “Alb Tiefbau” sh.p.k. 82.946.690 lekë, kualifikuar
8. “Gjergji” sh.p.k. 83.057.628 lekë, skualifikuar

Kjo procedurë, e cila u cilësua si korruptive nga ana e kompanive pjesëmarrëse kaloi edhe në ankimime të ndryshme, por ato janë rrëzuar njëra pas tjetrës. Madje, një nga kompanitë më “luftarake” për këtë tender “Be – Is”sh.p.k, u skualifikua për faktin që duhej të kishte paraqitur një gjendje bankare jo më të vogël se vlefta 4.165.649, por dokumenti bankar tregonte vleftën prej 4.147.127 pra një diferencë prej 18.522 lekë. Kjo bie ndesh me ligjin dhe për këtë arsye kompania është ankuar pranë komisionit të prokurimit publik, por argumentet e saj nuk janë marrë parasysh.
Pas rrëzimit të ankesave, kompania fituese nisi zbatimin për të ndërtuar ujësjellësin e Troshanit, të cilin, sipas dokumentacionit zyrtar, e ka përfunduar në vitin 2016. Kjo deklarohet pikërisht në buxhetin faktik të Bashkisë së Lezhës, ku thuhet: “Investimi për ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Troshan është realizuar pak a shumë në masën që ishte parashikuar me vlerën prej 42.5 milionë lekësh”.
Nga ana tjetër, Bashkia nënvizon në deklaratën e saj, se supervizimi dhe kolaudimi këtij ujësjellësi, i cili pritej të ishte në vlerën 0.4 milionë lekësh për këtë periudhë është realizuar në masën 0%, pra nuk ishte hedhur asnjë lekë për supervizim dhe kolaudim.
Por pavarësisht se gjatë vitit 2016, Bashkia e Lezhës nuk kishte kryer shpenzime për supervizimin e punimeve dhe kolaudimin e ujësjellësit, ajo kishte realizuar dy tenderë dhe kishte kontraktuar dy kompani private për të kryer këto detyra. Konkretisht, më 12 tetor 2015, Bashkia Lezhë ka lidhur kontratë me kompaninë PALMA CONSTRUCION SHPK në vlerën e 245 mijë lekë të reja për supervizimin e punimeve për ndërtimin e ujësjellësit, por deri më sot nuk rezulton të ketë bërë ndonjë pagesë.
Ndërsa më 2 dhjetor 2016, Bashkia Lezhë ka lidhur kontratë me kompaninë ARENA MK me vlerë 1950 lekë të reja pa TVSH për kolaudim të ujësjellësit.

Paratë e dhëna sipas viteve
Deri më sot, Bashkia e Lezhës ende nuk ka paguar para për supervizimin dhe kolaudimin, megjithëse tashmë mësohet se ka marrë në dorëzim ujësjellësin e ri, për të cilin janë paguar nga buxheti i shtetit, pothuajse 70% e vlerës totale të tenderit. Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se rreth 35 milionë lekë të reja janë paguar gjatë viteve 2015-2016, pikërisht për kompaninë “Alb Tiefbau”, ndërsa 29 milionë lekë të reja në tremujorin e parë të vitin 2017, ku mbeten edhe rreth 25 milionë lekë të reja për tu paguar ndaj saj.

 Ujësjellësi jashtë përdorimit
Po të shikohen dokumentet zyrtare, gjithçka rezultonte në rregull dhe askush nuk kishte informacion se çfarë ka ndodhur konkretisht, nëse vetë banorët nuk do kishin reaguar ndaj këtij ujësjellësi që nuk funksionon.
Fillimisht, ata dolën në fund të muajit janar në protestë, ku kërkuan shpjegime mbi mungesën e ujit. Në atë kohë, ata u takuan edhe me Kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, i cili u premtoi se do të zgjidhte situatën.
Ata pritën 6 muaj, por asgjë nuk ndryshoi… Sot, dhjetëra familje të fshatit Troshan dolën në protestë para bashkisë, pasi po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në këto ditë të nxehta vere.
“Edhe pse kanë kaluar vetëm një vit nga ndërtimi i ujësjellësit të ri për të cilin u harxhuan 1 miliard lek situata vijon të jetë e njëjtë”, thanë ata, duke shtuar që me ujësjellësin e ri janë bërë abuzime, pasi është ndërtuar jashtë çdo lloji parametri teknik. Madje, ata kërkojnë një zgjidhje dhe verifikim nga autoritetet shtetërore. “Depoja që është bërë atje, është bërë krejt në kushte të jashtëligjshme, të cilës veç depo nuk mund t’i thuash. Ajo mund të jetë një depo ku mund të pinë ujë kafshët, jo njerëzit. Ajo depo mbi 70 cm i ka llom brenda saj”, u shpreh një banor i fshatit Troshan. Një banor tjetër i këtij fshati u shpreh se është bërë tre herë ujësjellësi i Troshanit dhe sërish banorët nuk kanë ujë.

Kontradiktat e bashkisë
Pra në dokumente rezulton se ky ujësjellës është i përfunduar, ndërsa në realitet, banorët nuk kanë ujë. Kjo përgjegjësi, tashmë duket se bie mbi autoritetin e Bashkisë, e cila e ka marrë në dorëzim. Madje, kjo vërtetohet edhe nga deklaratat e përfaqësuesve të Bashkisë.
“Ujësjellësi i ri i fshatit Troshan në Njësinë Administrative të Blinishtit në Lezhë nuk do të merret në dorëzim nga Bashkia, pa u furnizua me ujë të pijshëm të gjitha familjet ashtu siç e parashikon projekti”, ka qenë deklaratat e kryebashkiakut të Lezhës Fran Frrokaj gjatë takimit që zhvilloi me një përfaqësi të banorëve të këtij fshati, pikërisht më 31 janar 2017. Sipas Frrokajt, Bashkia do të ngrinte një grup pune për të verifikuar mënyrën e zbatimit të këtij projekti të rëndësishëm për këtë zonë.
Ndërsa sot ka dalë në deklaratë nënkryetari i Bashkisë së Lezhës, Enver Hafizi, i cili konfirmon që Bashkia e ka marrë në dorëzim, edhe pse projekti nuk është zbatuar siç ishte parashikuar në dokumente. “Mund të ketë probleme edhe me projektin që nuk është zbatuar siç duhet, por në dijeninë time, ujësjellësi është marrë në dorëzim të përkohshëm, që ka dhe garancinë 1 vjeçare, ndërkohe ne do të ndërhyjmë”, deklaroi Hafizi. Më tej, ai mundohet të kalojë përgjegjësinë te ndërhyrjet e paligjshme. “Një ndër shkaqet kryesore të mungesës së ujit janë ndërhyrjet e paligjshme”, thotë ai, duke pretenduar se bashkia do të ndërhyjë menjëherë për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, i cili tashmë duhej të ishte zgjidhur që në muajin janar të këtij viti.

Pa ujë dhe paguajnë faturat
Gjithsesi, kjo tragji-komedi nuk përfundon me kaq. Pavarësisht pretendimit të bashkisë, banorët thonë se nuk kanë pasur asnjëherë ujë dhe si mund të jenë bërë ndërhyrje të paligjshme, kur vetë bashkia ka bërë kolaudimin e tij. Ndërkohë, absurditeti më i madh për ta është fakti se pavarësisht se mungon uji, atyre u dërgohen fatura çdo muaj, të cilat janë të detyruar për t’i paguar. Disa thonë se faturat u vinë afrofe, ndërsa disa të tjerë me vlerë të harxhuar, por ujë nuk kanë asnjë ditë në çezmat e tyre.

Shënim:
Artikull në kuadër të projektit “Lezha e Qytetareve”, financuar nga Leviz Albania.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail