21 shkurt 2017/ Reporter.al/ Esmeralda Keta/Tiranë
Pagesat e prindërve për të mbuluar mungesat e mjeteve didaktike, higjienike dhe sigurinë në kopshte ngrenë pikëpyetje mbi menaxhimin e tyre nga Bashkia e Tiranës.
Ina Kasimati është nënë kryefamiljare që kujdeset e vetme për dy djemtë e saj. Për të voglin 4-vjeçar ka zgjedhur kopshtin publik nr:22, pasi nuk e përballon dot privatin.
Por kur kanë kaluar thuajse 6 muaj nga dita e parë e të birit në këtë kopsht, ajo tregon se një pjesë të rrogës si mësuese- e vetmja e ardhur për familjen e saj, “po ia ha” pikërisht ky institucion.
“Në kohën e verës, kur po bëheshim gati për në kopsht, dëgjova mesazhet e kryetarit të bashkisë dhe po më dukej një nisje e mbarë. Por kur shkova në kopsht kam mbetur e surprizuar nga kërkesat e përditshme [dhe ato] mujore që ne duhet të plotësojmë,” shprehet Kasimati.
Ajo tregon se në mbledhjen e parë që drejtoresha bëri me prindërit iu prezantuan nevojat që ka kopshti, ku përfshihen paketa e kancelarisë, pagesa prej 1 mijë lekësh të reja për roje, nevoja për letra të lagura, letra të thata dhe sapun.
Në të njëjtën mbledhje sipas Kasimatit, prindërve u është sugjeruar të sjellin edhe batanije, çarçafë dhe jorganë, pasi kopshti nuk i ka të asaj cilësie që mund të mbajnë ngrohtë fëmijën.
“Unë jam e kënaqur me stafin e edukatorëve, por jo me atë që i paguaj taksat, bashkinë,” tha Kasimati.
Ajo nuk është e vetmja. Shumë prindër përballen me pagesa ekstra në kopshtet publike. Këto kërkesa thuajse janë legjitimuar në të gjitha kopshtet nën administrimin e bashkisë Tiranë, të cilat megjithë investimet e bëra, vazhdojnë të kenë mungesa në infrastrukturë, mobilie të amortizuara, mangësi mjetesh didaktike, ngrohje të papërshtatshme dhe paketë higjienike që le për të dëshiruar.
Për të mbuluar këto mangësi, drejtuesit e kopshteve u drejtohen prindërve, të cilët janë të detyruar të marrin përsipër dhe faturën e kripur financiare që duhej të mbulohej nga bashkia e Tiranës.
Kjo situatë nuk është e re në Tiranë, ndërsa realiteti është në kontrast me fotografitë e shndritshme të publikuara si pjesë e nismës “Adopto një kopsht,” suksesi i të cilit u trumbetua me bujë nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj.
“Adopto një Kopsht”
“Adopto një kopsht” ishte nisma që ndërmori bashkia e Tiranës gjatë verës së kaluar, në përfundim të së cilës, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se u transformuan totalisht 27 kopshte dhe tashmë fëmijët do të mësonin në infrastrukturë moderne. Veliaj u investua personalisht në mbikëqyrjen e kësaj nisme dhe e ka theksuar thuajse në të gjitha ceremonitë se “ky qytet do të ketë fytyrën dhe të ardhmen që kanë fëmijët sot”.
Por nëse me anë të kësaj nisme u riparuan çatitë që pikonin dhe u zëvendësuan pllakat me parket- ndërhyrje këto mese të nevojshme, hallet e kopshteve publike nuk janë zgjidhur plotësisht.
Kopshti “Beni ecën vetë” në njësinë bashkiake nr. 1 përfitoi nga nisma “Adopto një kopsht” dhe iu nënshtrua rikonstruksionit total. Por panorama që ofron sot është ende larg standardeve të shfaqura nëpër videot e ofruara më 31 gusht 2016, kur edhe u inaugurua.
I pranishëm në ceremoni, kryebashkiaku Veliaj e konsideroi atë “një model të shkëlqyer, që garanton për fëmijët ambiente cilësore”.
Por përkundër deklaratave optimiste, në këtë kopsht mungon ende një tapet ku të mund të ulen fëmijët, ndërsa në dollapët e amortizuar të dhomës së lojës, që vetëm emrin ka të tillë, nuk ka asnjë lodër për të vegjlit.
“Muret janë bërë të bukura, por brenda vazhdon të jetë i njëjti,” tregon E.H, djali i së cilës ndjek për të dytin vit radhazi këtë kopsht.
“Në gjithë këtë të ftohtë që ishte këtë vit, fëmijët nuk kishin një tapet poshtë këmbëve që t’i ngrohë pak. Dhe e dyta: Si ka mundësi që në kopsht të mos ketë asnjë lodër apo asnjë libër a fletë vizatimi që të mund të merren me diçka? E çoj në kopsht që të mësojë ndonjë gjë, se përndryshe do ta lija me gjyshen në shtëpi. Nuk e kuptoj se çfarë bën fëmija im këtu gjithë ditën,” shtoi ajo.
Për drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve, Migena Bedeni Kika, një kopsht pa lodra nuk mund të jetë dhe as mund të quhet kopsht.
“Qëllimi i një kopshti nuk është vetëm të mbajë fëmijët nga ora 8 deri në orën 5- qëllimi kryesor i një kopshti është të stimulojë rritjen dhe zhvillimin e fëmijës që vjen nëpërmjet lodrave,” tha ajo.
“Absolutisht nëse nuk ka lodra, atëherë ata kanë privuar fëmijën nga zhvillimi,” shtoi Bedeni Kika.
Sipas saj, kur një institucion shtetëror apo subjekt privat vendos të hapë një kopsht, duhet patjetër që në listën e standardeve të vendosin edhe pjesën e lodrave, madje ajo duhet të jetë një listë e mirë-studiuar dhe e ndarë në bazë të moshës që ka secili grup fëmijësh.
“Ashtu siç mendojnë për karriget ku do të ulen të vegjlit, apo tavolinat e punës, ashtu duhet të mendojnë edhe për lodrat dhe jo të lihen në dorë të asaj se çfarë do të sjellin vetë prindërit,” shpjegon Bedeni Kika.
“Punë vullnetare”
Kopshti nr. 11 “Cicërimat” ndodhet në kryqëzimin e rrugës “Komuna e Parisit” me atë “Medar Shtylla” dhe është një ndër kopshtet me fluksin më të madh të kërkesave. Përveçzonës së vjetër, ky kopësht duhet të mbledhë edhe të gjithë fëmijët e zonës së mbipopulluar të “Komunës së Parisit” e deri lart te “Kodra e Diellit”, e ndërtuar pas viteve ’90.
Kopshti nr.11 u rikonstruktua gjatë verës së 2016-ës. Por edhe pas ndërhyrjes së bashkisë, vlen i njëjti rregull; paketën higjienike dhe atë didaktike duhet ta sigurojnë prindërit.
Drejtoresha Katerina Grabova është nga ata lloj drejtuesish që e ka mbajtur me “thonj” këtë kopsht, e për të mbyllur “vrimat”ajo ka ndjekur një strategji tjetër.
“Përpiqem të kuptoj se ku mund të më ndihmojnë prindërit,” thotë ajo. “Nëse kam një prind murator dhe kopshtit mund t’i ketë rënë suvaja në një cep muri, apo brava ka dalë jashtë funksioni, ia kërkoj atij si nder. Dhe kështu e përjashtoj nga kërkesat që mund të ketë nga bordi i prindërve,” shpjegoi Grabova.
Sipas Grabovës, në bashkinë e Tiranës shkojnë me qindra kërkesa nga kopshtet dhe ata nuk mund t’u përgjigjen në kohë të gjithëve.
“Duhet një bashkëpunim më i mirë me komunitetin e prindërve dhe unë ia kam dalë,” thotë ajo.
Grabova është shumë e kënaqur që kopshti i saj përfitoi nga rikonstruksioni, por kjo nuk e ka bërë të heqë dorë nga kërkesat drejtuar bashkisë së Tiranës, që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kushteve.
“Në fillim, bashkia kishte parashikuar ndërhyrje vetëm në tre zëra, që ishte shtimi i tualeteve, shtrimi me parket dhe shtim mjedisi, por kur erdhën dhe e panë situatën nga afër dhe u tregova se çfarë problemesh kishim, kur u përfundua rikonstruksioni kishim ndërhyrë në plot 99 zëra,” kujton Grabova, e cila shton se në rikonstruksion kontribuuan edhe prindërit.
“A kemi nevoja të tjera?Sigurisht që po dhe shumë madje. Por ne jemi optimistë,” thotë drejtoresha.
Manjola Ismailaj, kryetare e bordit të prindërve në kopshtin nr. 11 nuk e shikon problemin te dhurimet që duhet të bëjnë prindërit, por tek mbipopullimi i këtij kopshti.
“Ne kemi kërkuar donacion vetëm për rojën. Edhe ne sjellim paketën higjienike dhe atë didaktike, por kjo nuk është me detyrim,” tha Ismailaj.
“Ne kërkojmë vetëm të na ulet numri i fëmijëve nëpër grupe, ky për ne është shumë problem,” shtoi ajo.
Në fakt, mbipopullimi është një tjetër gangrenë e kopshteve publike, ku numri i shtretërve është më i vogël se numri i fëmijëve që i ndjekin.
Për të zgjidhur këtë ngërç, në shumë raste drejtuesit janë të detyruar t’u vënë kushte prindërve; ata që kanë gjyshërit në shtëpi të vijnë t’i marrin në drekë dhe të mos i lënë për gjumë në kopsht. Është pikërisht kjo zgjidhje ‘nga halli’ që ka shfryrë disi ngarkesën, së paku në orarin e gjumit ku secili ka krevatin e vet.
Pavarësisht fluksit të madh të kërkesave në kopshte duket se bashkia e Tiranës ende nuk e ka ndarë mendjen për të ndërtuar ndonjë godinë të re.
Pyetjes së BIRN se cilat janë projektet e bashkisë për të zbutur mbipopullimin, bashkia e Tiranës i përgjigjet nëpërmjet Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve,QEZHEF.
“Sigurisht që numri aktual i kopshteve nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve për regjistrimin e fëmijëve. Tirana ka një dendësi popullsie e cila kërkon hapjen e kopshteve të reja,” konstaton Zhaneta Beqiri, drejtore e QEZHEF.
Ngrohja e papërshtatshme
Në fillim të janarit, kopshtet qëndruan të mbyllur për dy javë për shkak të ftohtit të pazakontë të këtij fillim viti.Kur hapën dyert, sërish problemi i ngrohjes nuk ishte zgjidhur. Pavarësisht reagimeve të forta që pati asokohe nga vetë qytetarët, fëmijët e të cilëve ndiqnin kopshtet dhe shkollat publike në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se vetëm 2 % e institucioneve arsimore nuk kishte ngrohje.
“Ditën e parë të këtij viti, kur shkuam dhe lamë fëmijët në kopshte ku nuk kishte ngrohje,” tregon Ina Kasimati. “Ditët më pas të janarit u përmirësua disi, por megjithatë nuk mund të them se kopshti i djalit është i ngrohtë,” shtoi ajo.
Kasimati ankohet se për pushtetin vendor në Tiranë, fëmijët janë prioritet vetëm në fjalë, pasi ky prioritet jo gjithmonë përkthehet në investime dhe përmirësim të situatës.
“Unë do të doja që në këtë situatë, të kishte dalë një raport nga bashkia, ku të renditej e gjithë problematika që ka pasur sistemi i ngrohjes. Të na thuhej në kaq shkolla dhe kopshte e çerdhe, sistemi ka funksionuar, në kaq institucione janë ngrohur me kondicioner, etj. Por gjithçka është në terr dhe ne nuk dimë asgjë,” tha ajo.
E njëjta situatë raportohet edhe në kopshtet e tjera. Kaldajat mund të qëndrojnë hapur maksimumi katër orë në ditë, por duket se kaq orë nuk mjaftojnë për të krijuar një temperaturë optimale në grupet ku qëndrojnë të vegjlit. Si pasojë, thuajse në të gjitha kopshtet, në sallat e ndenjes së fëmijëve qëndrojnë të hapur reflektorët që të ngrihen pak temperaturat.
Pyetjes së BIRN se a kanë ngrohje të vazhdueshme, me kaldajë apo kondicioner kopshtet publike dhe a funksionon gjatë gjithë kohës sistemi i ngrohjes, Bashkia e Tiranës është mjaftuar t’i japë një përgjigje rutinë dhe pa sqaruar aspak se në çfarë situate i lënë prindërit fëmijët e tyre.
“Pjesa më e madhe e kopshteve kanë në funksion kaldajën të ri konvertuar me lëndë djegëse naftë, e cila ka rendiment më të lartë ngrohjeje,” thuhet në përgjigjen e Bashkisë Tiranë. Por vetë drejtuesit e kopshteve thonë nën zë se problem i vërtetë nuk është dimri, por vera.
“Të gjithë mediat interesohen vetëm në dimër, por ta dini ju se ç’bëhet në verë? Atëherë është tmerr. Sepse tani kemi kaldajë, kurse në verë s’ka sistem ftohjeje dhe thuajse të gjitha kopshtet rrihen gjatë gjithë ditës nga dielli. Vera është një tmerr i vërtetë,” thotë njëra prej punonjësve të kopshteve publike.
Dhurimet e prindërve
Shumë prindër janë të kënaqur me stafet që menaxhojnë kopshtet e Tiranës, por megjithatë ato fajësojnë bashkinë për mungesat në bazë materiale.
“Unë shoh një kopsht që menaxhohet nga stafe shumë të përkushtuara nga njëra anë, ndërkohë që bashkia heq vetëm pjesën e ushqimit, ndërsa çdo gjë tjetër menaxhohet nga prindërit,” tregon Kasimati.
“Nëse edhe pas një rikonstruksioni të një kopshti, prindërit duhet të paguajnë për mjetet didaktike, për paketën higjienike, për batanijet që mbulohen fëmijët, për ujin e pijshëm, për kondicionerin, për tapetin, për këndin që prishet, etj, atëherë kjo gjë nuk mund të funksionojë pafundësisht kështu,” shton ajo.
Në fakt, dhurimet e prindërve shkojnë edhe përtej këtyre nevojave bazike. Në kopshtin nr. 1, për shkak të mbipopullimit prindërit kanë blerë vetë edhe karriget e fëmijëve të tyre.
“Edukatoret janë shumë të mira, por nuk ka kushte dhe është i mbipopulluar. Ta zëmë, tani në janar na kërkuan që të blejmë karrige për fëmijët, pasi nuk ka për të gjithë. Na kanë thënë që kur të mbarojë fëmija kopshtin mund t’i marrim në shtëpi, por sigurisht që unë nuk do ta marr,” thotë K. L, një prej prindërve.
“Madje ne si prindër u bëmë bashkë edhe blemë edhe një kënd modest lodrash që është këtu në hyrje të kopshtit, pasi nuk kishte asgjë,” pohon më tej ajo.
Prindërit ankohen gjithashtu se lavanderitë e kopshteve funksionojnë rrallë; çka i detyron ata që çdo fundjavë të shkojnë në shtëpi të ngarkuar me çarçafë, batanije e deri jorganë.
“Kopshti është bërë shumë i mirë,por çarçafët, batanijet ende nuk na i kanë sjellë,” tregon njëri prej prindërve në hyrjen e një kopshti, por që nuk dëshiron të flasë me emër, pasi i druhet një keqkuptimi nga ana e stafit që kujdeset për fëmijën e tij
“E kemi avaz çdo javë, i marrim të premten pasdite për t’i larë dhe i sjellim të hënën në mëngjes. Është e bezdisshme se duhet t’i qepim te jorgani dhe ngelëm të ngarkuar me qese,”shton ai.
Përkundër pretendimit të prindërve, bashkia e Tiranës thotë se kopshtet dhe çerdhet furnizohen rregullisht me materiale të buta.
“Çerdhet dhe kopshtet janë furnizuar me materiale të buta (çarçafë , kuverta, jastëkë, peshqirë, mbulesa tavoline etj, ) sipas kërkesave të ardhura prej tyre. Aktualisht ata kanë në përdorim një furnizim tëri me shumë cilësi,”thotë bashkia.
Nëse para viteve 90-të kopshtet pajiseshin nga ndërmarrja shtetërore me kancelari dhe mjete didaktike, që prej 25 vitesh duket se kjo është legjitimuar si “detyrë e prindërve” dhe askujt nuk i bën përshtypje, as autoriteteve përgjegjëse.
“Nuk është se të detyrojnë, por në shtator na dhanë një listë me mjetet didaktike për të cilët kishte nevojë secili fëmijë. Sigurisht që të gjithë i kanë sjellë, por pati edhe nga ata prindër që debatuan, pasi nuk kishin mundësi t’i blinin,” thotë K.L që është vetë pjesë e sistemit arsimor dhe e sjell vajzën për të tretin vit në këtë kopsht.
“Sigurisht që sjellim vetë edhe paketën higjienike çdo muaj. Me pak fjalë nuk është edhe aq i lirë kopshti publik,” shton ajo.
Drejtoria arsimore, e cila monitoron veprimtarinë edukative nga mosha 3-6 vjeç dhe zhvillimin social të fëmijës i cilëson mjetet didaktike një pjesë të rëndësishme të kurrikulës, ndonëse sigurimi i tyre në bashkëpunim me prindërit konsiderohet një normalitet.
“Sigurisht që materialet didaktike janë pjesë e nevojshme e realizimit të kurrikulës dhe programit mësimor, por ajo bëhet e mundur të sigurohet në bashkëpunim me bordin e prindërve,” tha për BIRN Jonida Matohiti, specialiste e kurrikulës dhe cilësisë në Drejtorinë Arsimore Tiranë.
Transparenca e fondeve
Bordi i prindërve është një strukturë e rëndësishme, e ngritur thuajse në të gjitha kopshtet publike të Tiranës. Një pjesë e madhe e kërkesave për ndihmë që kanë këto institucione vijnë nëpërmjet shkresave të firmosura pikërisht nga këto borde.
Thuajse në çdo kopsht ekziston “Këndi i Transparencës’ ku janë detajuar edhe zërat se për çfarë janë përdorur paratë e prindërve.
Por ka edhe një shumë të konsiderueshme parash, që nuk figuron në këto kënde, dhe janë pikërisht paratë e dhëna për paketën higjienike dhe atë didaktike.
Disa kopshte, paketën higjienike ua kërkojnë prindërve çdo fillim muaji, ndërsa disa të tjerë kanë bërë një grafik të fëmijëve që duhet ta sjellin për secilin muaj që ndjekin kopshtin.
Por ndryshe nga paketa higjienike që është një kërkesë gojore, paketa didaktike është më e formalizuar. Bordi i prindërve që funksionon në çdo kopsht, ose u jep prindërve një listë me materiale didaktike që duhet të blejnë, ose i ndan në zëra të veçantë, të mjaftueshme për të gjithë fëmijët e grupit.
Paralelisht me ankesat e prindërve, bashkia e Tiranës është edhe nën shënjestrën e funksionarëve të djeshëm, të cilët e akuzojnë atë për “auto-lëvdata”.
Pëllumb Seferi, që ka qëndruar në krye të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve për periudhën 2011-2015, kohë kur bashkia drejtohej nga Lulzim Basha thotë se “zoti Veliaj ngutet të inaugurojë pavarësisht cilësisë dhe standardeve”.
“Por aty ka shumë pak vend për auto-lëvdata, pasi titullin hero në ato institucione, në radhë të parë e meriton qytetaria tiranase pa ngjyrime politike dhe së dyti personeli, të cilat përkundrejt një page qesharake, përballojnë me përkushtim e devotshmëri vështirësi të panumërta për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve,” thotë Seferi.
Pasi rendit problemet që kanë aktualisht çerdhet nr. 56, nr. 1, nr. 42, nr. 10, nr. 30 dhe asaj tek ish fusha e Aviacionit, të gjitha të rikonstruktuara së fundmi,ish drejtuesi i QEZHEF-së kritikon se nuk është parësore vetëm lyerja e godinave.
Seferi pranon që edhe në kohën kur ai ishte në krye të drejtorisë së kopshteve dhe çerdheve, ka pasur ankesa nga prindërit për pagesat ekstra që bënin.
“Ankesat e prindërve janë të natyrshme. Lidhur me mjetet didaktike, mbulesa krevatesh e tavolinash, çarçafë, peshqirë etj, siç quhen inventar i imët, janë detyrë e Bashkisë që të planifikojë e sigurojë me fonde të parashikuara në buxhet, ashtu siç ka dhe pajisjet e orenditë, ushqimet, gazin etj. duke ndjekur normat e konsumimit të tyre të bëjë furnizime periodike të kopshteve dhe çerdheve,” tha ai.
Varësia dyfishtë e kopshteve
Kopshtet publike janë në varësi të dyfishtë menaxhimi: nga DART për pjesën e edukimit, zhvillimit të fëmijëve dhe burimet njerëzore, ndërsa inventarët, infrastruktura, furnizimi me ushqim, gaz, detergjent, materiale të ndryshme, dhe mbledhja e pagesave për kuotat ditore të frekuentimit, kryhet nga Bashkia Tiranë nëpërmjet QEZHEF.
Pagesa në kopshtet publike është 160 lekë të reja dita për çdo fëmijë, ndërsa në fillim të çdo viti shkollor (pasi ka të njëjtin regjim si sistemi parauniversitar) paguhet një kuotë prej 3500 lekësh të reja në formën e garancisë.
Aktualisht, pushtetit vendor i ka kaluar edhe përgjegjësia për burimet njerëzore, por ata do të vazhdojnë të jenë nën varësi dyfishe edhe të ministrisë së Arsimit, pasi edukatorët do të përzgjidhen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, ndërsa së shpejti do të fillojë të implementohet edhe kurrikula e re. Megjithatë, sistemi i ri nuk pritet të lehtësojë punën edukatorëve që do të vazhdojnë t’u nënshtrohen të gjithë konkurseve nga ministria e Arsimit, por rrogën do ta marrin nga bashkia.
“E di çfarë dua unë? –na thotë Ina Kasimati. – Dua që në çdo fillim viti shkollor, përpara se të na kërkojnë lekët, për gjëra që janë detyrim i institucioneve, të na thonë se çfarë detyrimesh ligjore ka secili institucion dhe çfarë mund të mbulojnë ata”.
“Kopshtet mbahen me taksat tona, ashtu siç mbahet i gjithë qyteti dhe nuk kërkoj shumë nëse dua të kem një raport të detajuar, çdo prind duhet të dijë, për problematikat që ka infrastruktura e çerdheve, kopshteve dhe shkollave publike ku do të dërgojnë fëmijët e tyre,” përfundoi ajo.
https://www.reporter.al/parate-e-prinderve-mbajne-hapur-kopshtet-publike-te-tiranes/